“Zervistët i prenë kokën djalit dhe më pas të atit”- Si u masakruan Nuh Muhedini bashkë me të babain pak ditë pas martesës! Zbardhet dëshmia e nënës së tij

- Bota Sot

“Zervistët i prenë kokën djalit dhe më pas të atit”- Si u masakruan Nuh Muhedini bashkë me të babain pak ditë pas martesës! Zbardhet dëshmia e nënës së tij

Sali Muhedini nga Paramithia ishte pinjolli i një familjeje nga paria e shqiptarëve të qytetit të Paramithisë. Lindi në 1878 dhe ishte i biri i Afuz Muhedinit, kryebashkiak i Paramithisë para vitit 1913, në kohën e Perandorisë Osmane. Afuz Efendiu e mbajti atë detyrë deri në 23 shkurt 1913, kur Greqia aneksoi krahinën e Çamërisë.

Është me interes të citojmë historianen greke E. Nikolaidu, e cila në veprës e saj “Alvaniqi qimisi sto Vilajeti Joaninon…(1908-1912)”, Janinë 1984, mes të tjerave shkruan, se Tahir Mete ishte takuar me Ismail Qemalin në vitin 1912. Ka dëshmi, se bashkë me Tahir Meten ka qënë dhe Afuz Muhedini. Në një dokument të vitit 1921, ku përfaqësuesit e Komiteteve të Bashkuara të Shqiptarëve iredent, i drejtojnë një memorandum Bonin Longarit, ambasadorit të Italisë dhe anëtar i Konferencës së Paqes shkruhet: ” Të quajturit Afuz Muhedini dhe Tahir Mete Mazreku, nga Paria e Çamërisë vdiqën nga rrahjet në burgun e Janinës, muajin e kaluar.” Nga të njëjtat burime mësojmë, se në qelitë e Janinës nga Paria e Filatit dhe e Paramithisë janë Haki Musai, Musa Demi, Qamil Izeti, Abdi Rojba, Kasem Rusi, Damin Mete, Haxhi Braho… etj.(AQSH, Fondi 251, v.1921, D.44, Fq. 86-88).

Sali Muhedini ishte një pronar i madh tokash dhe dyqanesh jo vetëm në qytetin e Paramithisë por edhe në Janinë. Sali Muhedini është nga figurat kryesore të Paramithisë mes bashkëqytetarëve të tij, si Xhemil Mullai, Aqif bej Dino, Ibrahim Pronjo, Imami Refik Bako, Isuf Pronjo etj, që gëzonte respektin e bashkëqytetarëve të Paramithisë e të rrethinave, pa dallime fetare. Edhe ai vazhdoi traditën e familjes së tij, veçanërisht të të atit, Afuz Muhedinit. Për këtë po citojmë nga burimet arkivore shqiptare, një dokument të rëndësishëm të vjeshtës së vitit 1923, ku përfaqësuesit shqiptarë të Çamërisë, i drejtohen kryetarit të Qeverisë, Ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Bujqësisë dhe Ministrit të Punëve të Brendshme të Greqisë, në Athinë.

Në këtë ankesë ngriheshin shumë probleme për gjëndjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve të Çamërisë nga veprimet e Qeverisë së Athinës. Atje theksohej, se sigurimi publik dhe rendi ishte tronditur nga masat shtypëse të organeve greke, për shpronësimet e pronave, për shtimin e grabitjeve të këtyre pronave etj.etj. Mes firmëtarëve të Parisë së Çamërisë, krahas Nushi Pronjos, Myftiut të Margëlliçit, Myftiut të Filatit, Musa Demit etj. është dhe Sali Muhedini, që përfaqëson Parinë e Paramithisë. Ky dokument gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, të Shqipërisë. (F.251,V.1923, D.203, Fq. 278-279) dhe është në gjuhën greke.

Është me interes të citojmë një fakt nga autori grek, Pavlidis, i cili në veprën e tij, shkruan, se peticioni për gjendjen e shqiptarëve të Çamërisë në vitet 1923-1924, nënshkruar nga Paria e Shiptarëve të Çamërisë, ka kaluar në fshehtësi të plotë, pa rënë në sy të autoriteteve vendase. U mendua, që në arkat e ambalazhuara me vezë, peticioni të futej në një guackë veze dhe që andej të kalonte në Gumenicë e më pas në Itali. Këtë informacion Pavlidis e kishte mësuar nga e shoqja e Isuf Musait, nga Paramithia, e cila mburrej me mprehtësinë e të shoqit të saj, për të kaluar peticionet jashtë Çamërisë.

PARAMITHIA NË TRAZIRAT E LUFTËS SË DYTË BOTËRORE

Në pranverën e vitit 1941 Çamëria u pushtua nga forcat fashiste italiane, megjithëse Paramithia ishte bastion i dinenjve, vëllezërve Nuri Dino dhe Mazar Dino dhe mbështës të flaktë të pushtuesit fashist, ndikimi i tyre në masën e shqiptarëve të qytetit e të rrethinave ishte i papërfillshëm. Shqiptarët e Paramithisë nuk u pajtuan me veprimet hakmarrëse që kishin filluar vëllezërit Dino kundër të krishterëve në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e 72 martirëve të Çamërisë në vitin 1913. Sali Muhedini dhe paria e shqiptarëve të Paramithisë dhe të fshatrave shqiptare përreth, si Gardhiqi, Karbunara, Njihori dhe Minina etj, u distancuan nga veprimet e klanit të dinenjve, Mazar Dino e Nuri Dino.

Historiani paramithjot, V. Pavlidis, shkruan në veprën e tij, se “distancimi nga klani i dinenjve në fund të vitit 1941 u duk qartë edhe në parinë e qytetit të Filatit nga Musa Demi, Shuaip Mete Llaja, fisi i dojakëve në Filat, nga paria e shqiptarëve të Koskës, Spatarit, Dolanit, Varfanjit. Madje edhe ata që beu i konsideronte si miq të vërtetë, u distancuan prerazi nga fryma e urrejtjes dhe përçarjes, që synonte të realizonte Mazar Dino. *V. Pavlidis, “I alvano tsamides tis periohes Paramithios”, fq. 39-40). Në vitin 1942, Sali Muhedini, në moshën 64 vjeçare, u caktua kryetar i bashkisë së Paramithisë. Në fillim agai i Paramithisë e refuzoi këtë detyrë, por ishte insistimi jo vetëm i parisë myslimane për ta marrë drejtimin administrativ të qytetit e të rrethinave, por edhe i atij ortodoks të qytetit. Arsyeja ishte se Sali Muhedini shquhej për ndershmëri dhe karakter të fortë. Ai, bashkëqytetarët e tij myslimanë, ortodoksë, vlleh, hebrenj, i shihte si një familje e madhe në qytetin e tij, pa dallime fetare dhe me dashuri e respekt.

Në vitin 1942-1943 fshatrat e krishtera malore të Paramithisë, si Selani, Llabanica, Popova etj, sulmoheshin shpesh nga forcat italiane e më pas nga ato gjermane dhe familjet e krishtera të atyre fshatrave izoloheshin e shpesh përballeshin me krizën e urisë.

Sali Muhedini e përjetonte vuajtjen dhe shqetësimin e familjeve të krishtera dhe bashkë me agallarët e Paramithisë dhe fshatrave, bëri ç’është e mundur, që t’i furnizonte fqinjët e tyre të krishterë në këto ditë të vështira me bereqet.* V. Pavlidis ” I alvanotsiamidis”…. Sali Muhedini, ishte agai i Paramithisë, që dallohej për bujarinë dhe humanizmin e tij. Ai në familjen e tij merrte edhe fëmijë të krishterë, që nuk ishin në gjëndje të mirë ekonomike dhe i mbante bashkë me fëmijët e tij, duke i dërguar në shkollë bashkë me fëmijët e tij dhe njësoj të veshur e të mbathur si ata. Kur biseduam para disa vitesh me të krishterë të moshuar, që e kishin njohur nga afër Sali Efendiun, siç e quanin ata, na emocionuan me fjalët zemrës e vlerësimet që shprehnin bashkëqytetarët e tyre të krishterë.

Njëri prej tyre që do t’ia ruajmë anonimatin, na tha: “Ai ka qënë për ne Perëndia. Kushdo që kishte ndonjë hall, Sali Efendiu ja zgjidhte menjëherë. Sali Efendiu në Paramithi as edhe një mizë nuk ka shkelur. Vritej Sali Efendiu? Ah! Ah ç’burrë ka qënë ai!”

SALI MUHEDINI DHE DJALI I TIJ NUHU NË MBROJTJE TË BASHKËQYTETARËVE TË TYRE HEBRE

Në Paramithi kishte disa familje hebrenjsh të ardhur në atë qytet shumë vite më parë nga Janina. Fëmijët e tyre mësonin në shkollën e Paramithisë, bashkë me fëmijët e komuniteteve të tjera të qytetit. Nuh Muhedini vazhdonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Janinë. Ai kishte shumë shokë hebrenj, që nga gjnimnazi i Paramithisë. Njëri prej tyre, që e kishte si vëlla, ishte Sione djali i Erza Bakallos, që edhe ai vazhdonte studimet për mjekësi bashkë me Nuh Sali Muhedinin.

Në vitin 1943 ndaj izraelitëve, kishin filluar përndjekjet dhe çdo ditë jeta e tyre, pa marrë parasysh moshën dhe seksin rrezikohej. Një ditë me shumë ndrojtje, ai iu afrua shokut të fëmijërisë, Nuh Muhedinit dhe me një zë të dridhur i tha:- Kam jetën e familjes në rrezik. A mund të ndërhysh tek babai yt, Sali Eefendiu, të na vijë në ndihmë në këto orë të zeza që kalojmë? – Dhe nga sytë e djalit hebre rrodhën pika loti, që tregonin se ishte tronditur dhe e kishte parandjerë rrezikun që i kanosej familjes së tij.- Çfarë ndihme mund t’u ofrojë babai im? – Ndihma e vetme që mund të na bëjë ai dhe askush tjetër, është të na lëshojë disa letërnjoftime (pasaporta) me emra myslimanësh ose të krishterësh që të largohemi nga qyteti në fshatrat greke në thellësi të Greqisë.

Nuhu ia tha menjëherë të atit problemin që kërkonte ndihmën e kryebashkiakut dhe menjëherë ai i tha të birit t’i thoshte djalit hebre, se do të bënte çmos ta ndihmonte dhe se ishte në nderin e tij, të përpiqej për të mirën e bashkëqytetarëve të tij. Siç kemi mësuar nga dëshmitë e familjarëve të Sali Muhedinit, që mundëm t’u shpëtonin masakrave të bandave të Zervës së 27 qershorit 1944. Sali Muhedini pajisi 5 familje hebrenjsh me dëshmi, identitetet e të cilëve i kishte shënuar në letërnjoftime me disa emra myslimanësh e disa me emra të krishterësh. Hebrenjtë në Paramithi flisnin rrjedhshëm shqip dhe greqisht dhe në të folurit nuk dalloheshin nga vendasit.

Në disa burime historike e dëshmi të besueshme, apo botime që flasin enkas për vitet e luftës në Çamëri, marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve, marrëzitë në vitet e luftës nga elementë të veçantë, shqiptarë të Çamërisë e të krishterë, të cilët të verbuar nga propaganda nacionaliste këtej dhe andej kufirit, shkelën besën, mohuan bukën që kishin ngrënë, në shtëpitë e njëri- tjetrit. E bëmë këtë parantesë, se për Sali Afuz Muhedini, nuk kemi hasur asnjë akuzë, qoftë nga nacionalistë ekstremistë, që janë në vitet e luftës në Çamëri, me përjashtim të të krishterit nga Paramithia Vasil Krapsiti. Ai është autor i disa librave. Është njeri me kulturë. Ka studiuar në shkollën “Zosimea” të Janinës e më pas vazhdoi për filozofi në Universitetin e Athinës. Pavarësisht kulturës, ai mbetet një nacionalist ekstremist, thënë ndryshe një grek “patriot i rremë”. Ai në veprat e tij: “Historia e Paramithisë”, “Historia e Margëlliçit”, “Myslimanët Çamë të Thesprotisë”, vetëm vjell vrer e mllef për shqiptarët çamë. Në mënyrë të veçantë, kur shkruan për historinë e Paramithisë, në qendër të sulmeve vë Sali Muhedinin dhe bijtë e tij, e në mënyrë të veçantë Nuhun.

Ai çamët, bashkëqytetarët e tij edhe Sali Muhedinin i quan “bisha të egra”, “instrument të turpshëm të forcave fashiste” “mbështetës të devotshëm të kriminelit Mazar Dino”. (në imerologio “Ditari”). Një dëshmi autentike është dhe një bashkëbisedim që bëri Vasil Krapsiti me Nuh Muhedinin, vetëm 2-3 muaj para pushtimit të Paramithisë nga batalionet e Napoleon Zervës dhe paramilitarët nacionalistë, që ishin armatosur enkas në sulmin që përgatitej për pushtimin e Paramithisë. Atë takim Krapsiti e përshkruan në “Imerologio” (Ditar), ku shkruan: “Në mëngjesin e së dielës të 23 marsit 1944, më ndali Nuh Muhedini, djali i Sali Muhedinit, kryetarit të bashkisë, të cilin e urrej e më tha: “Nëse rrezikohemi ne myslimanët, do të na mbroni ju bashkëqytetarët e krishterë për të shpëtuar jetët?”.

Përgjigja e Vasilit ishte e menjëhershme: “Jo se mbi ju rëndon ndërgjegja e grupit”-Cila është barra jonë, e shumicës së myslimanëve të Paramithisë, që ndaj të krishterëve kanë shprehur e shprehin ndjenja njerëzore e miqësore e mbështetje në ditë të vështira? Bashkëbiseduesi ia ktheu menjëherë: “… Vetëdija e grupit është anonim.. me një fjalë përgjegjësia për krimet që u bënë ndaj të krishterëve këto 2- 3 vjet mbi ju të gjithë myslimanët e Thesprotisë (Çamërisë)

V. KRAPSITI NË “IMEROLOGIO” (DITAR) CILI ËSHTË AUTORI I KËTYRE SHËNIMEVE?

Në “Imerologio” (Ditarin), më 22.11.1940, ai shkruan, se ishte caktuar nga Komanda e Xhandarmërisë, me këto detyra: Të mblidhte informacione për gjëndjen e të krishterëve në Filat, Gumenicë me 28 tetor kur Italia sulmon Greqinë, të survejonte myslimanët e Paramithisë, që shkonin në kafenenë e qytetit e kalonin orë të tëra, të survejonte Nuh Muhedinin, se e kishte shënuar në listën e atyre militantëve të Paramithisë, që propagandonte për një “Shqipëri të madhe”. Kuptohet, se akuzat e V.Krapsitit ishin të gënjeshtërta, të pavërteta.

Ato ishin shpifje të turpshme, që dilnin nga goja e një greku nacionalist. Ndryshe nga shpifjet e akuzat që shkruan Krapsiti për Sali Muhedinin dhe u masakrua siç tregonte një nga shokët e Vasil Krapsitit, një tjetër historian paramithjot, edhe pse ishte në strukturat e larta të EDES-it, mik i Napoleon Zervës, për vrasjen e Sali Muhedinit ai ka shprehur dhimbje dhe ka shkruar: ” Vrasja e Sali Efendi Muhedinit ishte tërësisht e padrejtë”. V. Pavlidis, “I alvanotsamidis”. f.140.”

MASAKRIMI I SALI MUHEDINIT DHE I NUHUT

Dita e 27 qershorit 1944, ose e premtja e zezë e Paramithisë, është nga ngjarjet më të kobshme në historinë e këtij qyteti martir dhe kujtesën tragjike të Çamërisë. Historiani grek Jorgos Margaritis, në librin e tij “Bashkëpatriotë të padëshiruar”,(Tiranë, 2008) mes të tjerash shkruan, se qyteti atë ditë i ngjante një thertoreje. Le të ndalemi në fundin tragjik të Sali Muhedinit. Këtë ditë në shtëpinë e tij shkuan një grup nga Paria e Krishterë e Paramithisë, për ta uruar për martesën e Nuhut, djalit të tij. Sali Muhedini i priti me gëzim miqtë e krishterë dhe zonjat e familjes i gostitën me gjithë të mirat. Nuhu ishte i gëzuar dhe shoqëronte gjatë bisedës me ndonjë fjalë të rrallë edhe të atin. Kur po i përcillte miqtë e krishterë, Sali Muhedini në rrugicën pranë shtëpisë, pa se andartët grekë po keqtrajtonin një paramithjot. Ai foli me zë të lartë që të ndalnin keqtrajtimin e çamit mysliman. Kaq u desh, që “miqtë”, që erdhën për urim, ta tërhiqnin zvarë Kryebashkiakun dhe mikun e tyre, që i mirëpriti në shtëpinë e tij.

Të njëjtën gjë bënë edhe me Nuhun. Ata i çuan në shkollën e mesme të qytetit, që nuk ishte larg shtëpisë së Muhedinëve. Nuk e dimë ç’mund të ketë ndjerë babai i gjorë dhe një nga autoritet e qytetit, Sali Muhedini, kur zervistët i prenë kokën në sy të tij, Nuhut. Ndoshta ka bërtitur me zë të lartë për këtë vepër makabre. Por krahët i kishte të lidhur dhe koka e përgjakur e Nuhut ishte jo larg të atit. Më pas zervistët i prenë kokën dhe e coptuan Sali Muhedinin. E shoqja e tij shkon më pas në vendin, ku ishte bërë krimi i tmerrshëm. Në një dëshmi të dhënë prej saj në Tiranë, një gazetari të gazetës “Bashkimi”, në vitin 1945, ajo pohon se i mblodhi një nga një copat e trupave të të birit dhe bashkëshortit të saj të nderuar.

E kisha të vështirë thotë ajo, t’i dalloja pjesët e coptuara të tim biri dhe burrit tim. E dhimbshme kjo ngjarje. Tronditëse, përtej kësaj fjale. Ulëritëse deri në kupë të qiellit. Në 80 vjetorin e Genocidit grek ndaj popullsisë së pafajshme çame, i bëjmë apel opinionit të shëndoshë të Greqisë fqinje, që të paktën të pranojnë krimin e tmerrshëm dhe të na lejojnë të vemi t’u bëjmë homazh qindra viktimave, nënave e grave të reja, pleqve e burrave, fëmijëve të pafajshëm. Këtë e kërkon koha. Këtë e kërkon ndërgjegja e trazuar e vendit fqinj. Këtë e kërkon Europa Demokratike.

Këtë e kërkon e ardhmja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, që kjo e fundit të çlirohet nga makthet e të shkuarës, të shkaktuara jo nga populli grek, por nga nacionalistët ekstremistë, që për fat të keq edhe në ditët tona ngrenë krye. Në këtë shkrim u përpoqëm të hedhim dritë, në prag të 27 qershorit, për një nga figurat e shquara, jo vetëm të Paramithisë dhe të rrethinave të saj, por edhe të Çamërisë, Sali Muhedinin, emri i të cilit vazhdon të kujtohet me respekt nga bashkëqytetarët e tij, shqiptarët çamë myslimanë, të krishterët, grekë, vllehë, apo hebrej.



Read it all at Bota Sot