Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, Has-Pashtrik.
Në Pashtrik 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.
“13 dhjetori i vitit 1998, me kushte shumë të vështira atmosferike, borë, ngricë e temperatura të ulëta, nuk lëkundi vullnetin dhe përkushtimin e 147 ushtarëve në krye me Mujë Krasniqin që të marrin rrugën për realizimin e operacionit për furnizimin e UÇK-së me forca dhe armatim shtesë”, u shpreh kryeministri.
Ai ktheu në kujtesë se pikërisht më 14 dhjetor të vitit të kaluar, me nismë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, filluam projektin të cilin sot po e përurojmë – shenjëzimin e “Shtegut të Lirisë” edhe si shteg garash për motoçiklistët dhe shteg ecjesh për bjeshkatarët.
Shtegu i Lirisë së Pashtrikut, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit. Federata e Motoçiklizmit të Kosovës, sot për herë të parë organizon garën “Kupa e Kosovës” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të nisin garën nga Likenet e Hasit për ta përmbyllur atë në Krume./IO