“Fare Cinema”: Filmat rekord mbërrijnë në Kosovë nga 18-20 qershor

- Bota Sot

“Fare Cinema”: Filmat rekord mbërrijnë në Kosovë nga 18-20 qershor

Kthehet në Kosovë “Fare Cinema”, përmbledhja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë që promovon kinemanë dhe industrinë e filmit italian në botë. Takimi fillon prej datës 18 deri më 20 qershor në kinemanë “Kino Armata” Prishtinë dhe më 19 qershor në shkollën “Nena Kabrini” në Prizren. Shfaqja është planifikuar të shfaqet dy herë (më 18 në Prishtinë si premierë kombëtare dhe më 19 në Prizren) për filmin që theu rekorde “C’è ancora domani” nga Paola Cortellesi, “La Chimera” nga Alice Rohrwacher (19 qershor) dhe “Rapito” nga Marco Bellocchio (20 qershor). Filmat do të shfaqen në gjuhën origjinale (italisht) me titra anglisht, ndërsa për filmin “C’è ancora domani” do të ketë edhe titra shqip.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që po rikthejmë në Kosovë festivalin ‘Fare cinema’ me filmat italianë më të vlerësuar me çmime të shumëfishta vitin e kaluar. Kjo ngjarje do të ofrojë mundësinë për t’u zhytur në historitë, personazhet dhe vizionin artistik të disa prej regjisorëve dhe aktorëve italianë më të dashur ndërkombëtarisht. Përmes kësaj nisme synojmë gjithashtu të forcojmë lidhjet kulturore në mes Italisë dhe Kosovës, duke inkurajuar një shkëmbim idesh dhe perspektivash që do të pasurojnë të dy komunitetet”, shprehen ambasadori italian në Prishtinë Antonello De Riu dhe Drejtori i Institutit Italian të Kulturës së Tiranës (përgjegjës edhe për Kosovën) Alessandro Ruggera.

“Me filmin ‘C’è ancora domani’ në mënyrë të veçantë, ne kompletojmë festimet për festën kombëtare. Filmi, në fakt, zhvillohet në vitin 1946, vit në të cilin u mbajtën zgjedhjet e lira në Itali pas përfundimit të luftës dhe njëzet viteve të fashizmit; me këtë rast për herë të parë mundën të votojnë dhe të zgjedhen edhe gratë. Lufta për të drejtat e grave është tema të cilës do t’i kushtojmë një debat të veçantë pas përfundimit të filmit. Filmi i dytë ‘Kimera’, është sa ëndërrimtar aq edhe shpirtëror, historik dhe dokumentar, me një vështrim të rrallë që na bën të kuptojmë se sa shumë ndikojnë në të tashmen tonë, në përgjithësi, dëshmitë e të kaluarës dhe arti. Së fundi, ‘Rapito’ i referohet një ngjarjeje të vërtetë, pak të njohur, e cila ka ndodhur në vigjilje të shpalljes së Shtetit Italian në 1861, e cila na fton të reflektojmë mbi respektimin e autonomisë individuale dhe mbi pasojat që lidhen me indoktrinimin e detyruar dhe mohimin e identitetit”, shtojnë De Riu dhe Ruggera.

“Fare Cinema” është përmbledhje tematike kushtuar promovimit të kinemasë dhe industrisë italiane të filmit, organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ANICA, ICE, Istituto Luce – Cinecittà, Komisionet Italiane të Filmit dhe Akademinë e Kinemasë Italiane – Çmimi David di Donatello. Lansuar në vitin 2018, parasheh organizimin e ngjarjeve nga rrjeti diplomatik-konsullor dhe institutet italiane të kulturës jashtë vendit me qëllim të dyfishtë, promovimin e kinemasë si dhe profesionistëve italianë në këtë sektor.

Pjesët

Filmi bardh e zi “C’è ancora domani” (2023) na tregon ngjarjet e një familjeje në Romë në vitin 1946; lufta sapo ka përfunduar dhe qyteti është ende i pushtuar nga ushtarët amerikanë. Protagonistja Delia, grua dhe nënë, sakrifikon veten çdo ditë duke u përpjekur t’i bëjë të gjithë të lumtur, ani pse duket se askush nuk i sheh dhe vlerëson përpjekjet e saj. Ajo detyrohet të bëjë paralelisht jetë të shumëfisht: kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, kryen njëqind punë të ndryshme për të plotësuar të ardhurat e familjes, kujdeset për vjehrrin e saj invalid e tiran dhe ështe viktim e dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti i saj Ivano. Martesa e vajzës së saj, i ndryshon këndvështrimin mbi një rruge pashmangëshmërisht të paracaktuar të jetës së gruas: Delia nuk është në gjendje ta pranojë këtë fat për vajzën e saj, dhe ndoshta as për veten e vet. “Kimera” (2023) zhvillohet në vitet 1980 në Tuscia. Një grup grabitësish te varrezave fitojnë jetesën duke vjedhur gjetjet Etruske. Mes tyre është edhe Arturi, një arkeolog i ri anglez, i cili ka dhuntinë të gjejë ku ndodhen varret e lashta. Arturi miqësohet me Italinë, një nënë beqare braziliane që ndjek zërin e saj të brendshëm dhe rebelohet kundër përdhosjes sistematike të vendeve të shenjta. Secili nga personazhet ndjek kimerën e vet. Filmi shpaloset mes skenave thuajse dokumentare të jetës së fshatit, realitetit historik të trafikimit të paligjshëm të gjetjeve arkeologjike, jetës së një familjeje të lartë borgjeze, thirrjeve të botës së përtejme si dhe përpjekjes për të krijuar një jetë ndryshe në një komunë grash dhe fëmijësh, pothuajse duke ripropozuar vlerat e shoqërisë misterioze etruske, artefaktet e së cilës risjellin buzëqeshjet e ndritshme të grave të rafinuara dhe autonome. “Rapito” (2023) është frymëzuar nga një histori e vërtetë. Jemi në 1858 në Bolonjë, ushtarët e Papës hyjnë në shtëpinë e familjes hebreje Mortara për të marrë me forcë djalin e tyre shtatëvjeçar Edgardon. Si foshnje ai ishte pagëzuar fshehurazi nga shërbëtorja dhe ligji kanunor është i pakthyeshëm: ai do të duhet të jetojë në Romë për të marrë një arsimim katolik. Familja e tij do të bëjë gjithçka për të rikthyer djalin e tyre, madje duke lëvizur edhe politikën ndërkombëtare, por Papa nuk do të pranojë ta kthejë fëmijën. Në sfond janë ngjarjet historike të kohës: fuqia kohore e Kishës Katolike ecën drejt rënies dhe trupat e Savojës do të pushtojnë Romën, e cila do të bëhet kryeqyteti i Italisë.

Kalendari i shfaqjeve

E martë 18 qershor, ora 18, Kino Armata, Prishtinë

“C’è ancora domani” nga Paola Cortellesi (2023), italisht me titra në anglisht dhe shqip (në shqip përkthyer me dashamirësi nga “Centro Dante” në Prishtinë). Vijon një debat i moderuar nga Fjolla Muçaj (Qendra për Informim dhe Përmirësim Social) me Bjeshkë Guri (Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë) dhe Adelina Berisha (Rrjeti i Grave të Kosovës) dhe ne fund një koktej rasti.

E mërkurë 19 qershor, ora 19, Kino Armata, Prishtinë

“La chimera” nga Alice Rohrwacher (2023), italisht me titra anglisht.

E mërkurë 19 qershor, ora 20, Shkolla Nena Kabrini, Prizren

“C’è ancora domani” nga Paola Cortellesi (2023), italisht me titra anglisht dhe shqip.

E enjte 20 qershor, ora 19, Kino Armata, Prishtinë

“Rapito” nga Marco Bellocchio (2023), italisht me titra anglisht.



Read it all at Bota Sot