“Brigada ku kishte dhe shumë spiunë birucash, drejtohej nga një malazez”- Kujtimet e ish-të dënuarit politik

- Bota Sot

“Brigada ku kishte dhe shumë spiunë birucash, drejtohej nga një malazez”- Kujtimet e ish-të dënuarit politik

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

R E P S I

(Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Mbas një Rambujeje, ku një tjetër Hashim po delte në skenë, u morën vendime të rëndësishme për fatet e popullit shqiptar të Kosovës. Rambujeja, ndryshoi hartën politike të Ballkanit por, fatkeqësisht realizoi edhe njërin nga parashikimet e Hashim Toplicës, që na tha që më 1969, ndarjen e kombit shqiptar në dy shtete. Parashikim, të cilin unë dhe shumë miq të mi, s’e patëm besuar, e quajtëm lajthitje të tij për mungesë informacioni. Sidoqoftë, me ndihmën e forcave të N.A.T.O.s, u korrigjuan vendimet e gabuara nga vetë ata që dikur kishin gabuar. Shqiptarët fituan lirinë e shumë-ndërruar ndër breza! Pikërisht në këtë periudhë, si shumica e shqiptarëve që hapën portat e shpirtit dhe të shtëpive, për të pritur e lehtësuar sadopak dhimbjen dhe dertet e vëllezërve të gjakut, të shkaktuara nga represioni serb, u angazhova edhe unë.

Në qytetin tim, u ngritën tri qendra pritje, në tre ish-reparte ushtarake, ku fillimisht u sistemuan pjesa më e madhe e refugjatëve, sepse një pjesë u strehuan ndër familjet beratase, që ndanë varfërinë e tyre bashkë me vëllezërit kosovarë. Në një nga këto ditë, në kampin e Moravës, ndesha një të moshuar me mbiemrin Toplica. Menjëherë m’u kujtua Hashimi, ndaj e pyeta plakun nga ishte. “Nga Prizreni”! – m’u përgjigj. Kur e thashë se mbiemri Toplica, më kujton një mikun tim të vjetër, që tashmë s’rronte më, ai më kërkoi emrin, ia thashë. Po plaku mbeti i vuvët, u lëshua i këputur mbi një stol druri gjysëm të kalbur, hoqi plisin e bardhë nga koka e thinjur dhe u zhyt në mendime të thella.

U ula edhe unë pranë tij, dërrasa kërkëlliu nën peshën time. Krisja e flrurit, e ktheu plakun në realitet, u soll drejt meje e më shihte me sy të zmadhuar nga habia dhe mosbesimi, si të kthehej nga një botë e largët. “Të pasha Zotin, or mik, s’po ma mbush synin ta kesh pas njoh Hashimin! Ka tash nji jet, q’ai asht kon ndër burgje t’Enverit! I ka hup ara dhe vorri”! Desha ta ndërprisja, ndaj e lashë t’i shfrehte gjithë këto pasthirrma; asi u shfre deri në pikën e fundit, heshti dhe u zhyt prapë në botën e re, kur kuptova se s’kish ndërmend të fliste më, u ngrita dhe e lashë aty ku ishte, vazhdova vizitën në çadrat e tjera.

Të nesërmen u riktheva sërish në vizitën rutinë. Shoqëroja një ekip mjekësh të spitalit rajonal, që kishin ardhur të vizitonin të sëmurët; ngaqë ndër fëmijët e shumtë që ndodheshin në kamp, ishte përhapur një epidemi diarreje. Te dera e hyrjes, pranë ushtarit roje, sa s’u plasa me plakun e një dite më parë. Ai s’priti të këmbenim as mirëmëngjesin, por m’u drejtua: “Kom tash dy sahat, tu t’prit njitu! Du me fol me ty”! “Më duhet të shoqëroj mjekët në çadra, te fëmijët e sëmurë”, – i thashë dhe u nisa pas mjekëve. “Qëndro, he burrë, se mos je doktor ti! Ka plotë të tjerë që e bëjnë kët punë, unë s’kom fjet tan natën e Zotit, tuj t’prit”!

U ndava dhe ia lashë detyrën një tjetri. Hymë në klubin e ngushtë të repartit. Tavolinat ishin të zëna, po një burr i moshuar u ngrit e na bëri vend në tavolinën e tij. Pa zënë vend ende, kamarieri na solli kafetë. Dukej, plaku tjetër kish porositur para se të hynim ne të dy. I njohuri, më prezantoi shkurt: “Ky asht aj që t’fola dje! Asht kon shok me Hashimin”! Nga shprehja e mimikës, vura re pendesë për mosbesimin e ditës së mëparshme, kur kish vënë në dyshim sinqeritetin tim.

Tjetri përballë, pak më i ri se i pari, më zgjati dorën dhe përshëndeti pa folur. Kishte fytyrë me rrudha të thella, si brazda të hapura nga një martinel, vetulla të trasha, nën të cilat të hetonin një palë sy të vrenjtur, ngjyrë kafe të çelët, mbi kokë mbante plisin e bardhë karakteristik, mbështjellë rreth ballit dhe veshëve me një turban bezeje. “A je burrë! – e përshëndeta”. “Qe besa, mirë jena”! “Si i keni familjet”? – e pyeta më tepër për forcë zakoni. “Këta ktu, mirë; ata që kan mbet tuj luftu me serbin, kjofshin mirë e i ruajt Zoti”!

“Nga të kemi”? – vazhdova ta pyes. “Jena kushërinj”! – u hodh më i vjetri. – “Me origjinë kah Toplica”? “Po kena tash katërdhetepesë vjet, që jem largu nga fshati e jena ngul n’Prizren, te disa kushërinjtë tanë. – vazhdoi ai. – Tash, dum me ndi kah ti, kush je e ku je njoft me kushrinin tonë, Hashimin?! Allahile, kena nji peng t’madh, për rob t’fisit tonë, që ka hup krejt! Për hatër të Zotit, dum me ndi nji fjalë për të”!

Iu tregova kush isha, ku isha njohur me Hashimin, iu fola për vuajtjet dhe mjerimet që kish hequr ndër burgje, për aq sa dija, sepse vetëm dy vjet jetova me të, ndërsa ai bëri një jetë burg. Pastaj iu tregova për karakterin e paepur dhe dashurinë e paskajshme që ushqente ai për popullin e kombin shqiptar, iu fola për mendimin e tij politik dhe për parashikimet për ngjarjet dhe rrjedhën e tyre sot, të bëra këtu e tridhjet vjet më parë. Ata më vështronin drejt e mbi buzë, sikur do t’u shfaqej papritmas nga goja ime, Hashimi apo hija e tij. Kur përfundova, më këqyrën edhe një herë në bebe të syrit, pastaj si shkëmbyen vështrime kuptimplote me njëri tjetrin, më i moshuari u hodh:

“Po, qe besa, nj’ashtu asht kon Hashimi! Ka kon koka ma e zgjuet e fisit, ma trimi, por dhe ma i hedhuri. Ka kon komunist i vendosur ai! I ka sakrifikue t’tana, për at ideal t’mallkuet! Ene familjen, ene fisin, ene fshatin! Mbas arratisë tij, kena hjek fort keq nga U.D.B.-ja, na kan shti n’burg t’tan burrat e fisit e të fshatit. Mbas burgut, jena shpërrngul. Kena pas mendu se Hashimi pat shpëtue prej Rankoviçit, por kënkemi gabu rand, ai e paska kalue ma zi se na! T’paktën na e kishim me shkjaun, po ai e pat nga vllaznt e vet! Apo jo, Sadri”? – iu drejtua tjetrit, si t’i kërkonte t’ja përforconin mendimin e sapo shprehur.

“Po, bre, nj’ashtu asht”! – bëri tjetri, pa shtuar asnjë fjalë më shumë. Kur iu kallëzova për mendimet e Hashimit, për përçarjen mes shqiptarëve të andej e këtej kufirit, për armiqësinë që kish nxitur Titua me Enverin, më plaku ngriti plisin nga koka dhe si fshiu ballin me një beze të pistë, u pizgos si ta kishte pickuar ndonjë grerëz dhe m’u ngrehos: “Jo, or burr, në kët pikë Hashimi s’ka pas të drejt, na jena vllazën gjaku e gjuhet, nane e babet, s’kan mujt me na përça kund! Ba me kon sot e me pah si jan prit kosovarët, kah vllaznit e vet, kish me ndrrue mendimin! Vallahi n’dit t’kobit, njihet robi i mirë! Kët që keni ba ju për na, s’dij a do kishim mujt me e ba edhe na për ju, në t’njajtin hall! Vllau vllait, mishin ja ha, por ashtin ja run!

Pernjime, na kish verbue Enveri, e thirshim ‘Bac’, se shihnim te ai çështjen e vendit amë. Vërtetë në çdo shpi Kosove e gjithkund, ku ka kosovarë në dynja, e kishin vu kah nji fotografi të tij, po s’dijshim ç’ka kish ba me njerëzit e vet! Allahile, ene Hashimin, e kena qujt të padrejtë me ‘Bac’ Enverin, po tash që po shohim e po ndijmë t’tana kto gjama që paska ba mbi popull, na jan hap sytë. Bash për kët, s’të kom kthy përgjigje dje! Si thue, Sadri”?! – iu drejtua për ndihmë tjetrit. “Po qe besa e Zotit, nj’ashtu asht”! – pohoj prerë, Sadriu.

“Na ke lehtsue me kto që na tregove për robin tonë, tash po ua kallëzojmë e tjerëve, kto bama të Hashimit e ta po kërkojmë ku mund t’jet varrue, m’e i gjet ashtat. Duem me t’falenderue ty e, familjen tënde”. “Jo, unë dua t’ju falenderoj juve, më lehtësuat nga një brengë, që më rëndonte prej tridhjetë vjetësh, duke ua treguar ndihem i çlirët tani. Sidoqoftë, kur bëj bilancin e ngjarjeve që kanë rrjedhur dhe i ballafaqoi me parashikimet e Hashimit më 1969, më rezulton se sa i saktë paskërka qenë ai, qoftë për kohën, qoftë dhe në të tjerat.

Sot jemi dy shtete shqiptarësh, me dy mentalitete paksa të ndryshëm, me dy flamuj të ndryshëm, edhe pse Flamuri Kombëtar, na prin në gëzime dhe hidhërime. Me të vërtetë, një pjesë politikanësh sot, e kanë fort për zemër këtë gjendje; ashtu si e kishte parashikuar Hashimi, po ndjenja e dashurisë së ndërsjellët, është ajo që më ngroh dhe më mban gjallë shpresën, se në të ardhmen do të jemi, ashtu siç e kanë ëndërruar e shpresuar të parët tanë të ndritur; një komb, një gjak, një gjuhë, një trup, një zemër”.

Le ti kthehemi kronologjisë atje ku e lamë. Kaloi data 29 nëntor mes shpresës dhe zhgënjimit. Ata që kishin llapur si shumë për faljen e shumëpritur, madje edhe ishin mburrur se i kishin rënë pikës, duke përcaktuar jo vetëm datën por, edhe orën e saktë, se kur do lexoheshin emrat e përfituesve dhe mandej tërë ditën e kishin kaluar me llafe e me kafe, e me duhan, sa te njeri te tjetri, me të mbaruar apeli i mbasdites, mbuluan kokën me batanije dhe u zhdukën nga qarkullimi, me sa mund të fshiheshe atje.

Të zhgënjyerit, ata që gjithë ditës kishin ndarë kafe dhe cigare, me shpresë e besim te fjalët e orakujve, me përfundimin e apelit, të dëshpëruar ishin mbledhur bashkë e qanin hallet kokë më kokë, me shoqi-shoqin. S’vajtonin vetëm faljen e munguar, por edhe ditët që do iu duhej të numëronin, deri sa familjet, t’iu zëvendësonin porcionet e firuara të kafesë dhe duhanit. Skeptikët, ata që qysh në sabah kishin paralajmëruar talljen e çdovitshme të komunistëve në prag festash të nëntorit, tani të kapardisur gjezdisnin shtrat më shtrat e grup më grup dhe me tone edhe më të ngritur deklamonin:

“E mo, e patë, kishim të drejtë ne! Hapini sytë, o qorra dhe këqyrni realitetin, vetëm dhunë, burg dhe dyfek, njohin këta! Do Zoti e thyejnë qafën sa më parë”! dhe shkonin te grupi tjetër. Unë, si kalova trallisjen e fillimit, kur vërtet e besova se mund të ndodhte ndonjë mrekulli, iu drejtova shtratit tim. Prej atje mes dy pleqve të mirë, ndiqja zallamahinë e thashethemnajën e kapanonit. Nga njëra anë ndjeja keqardhje për këta burra të vjetër të zhgënjyer keqas në shpresën e parealizuar, në anën tjetër mendoja se edhe unë një ditë, do katandisesha në atë gjendje të rënduar psikologjike.

Që nga lartësia e jastëkut tim, ktheja vështrimin herë në dy krehët dhe vëreja fytyrat e murrëtyera. Pranë meje, xha Esherefi gdhendte mbi drurin e verdhë të bushit dhe me fërshëllimë të lehtë, ja kish marrë një vije melodike, këngës mjaftë të njohur dibrane të Hajredin Pashës. Ndërsa prifti, ish përthithur në fletët e zverdhura të një libri të vjetër pa kopertinë, por që duhej të ish mjaft interesante, ngaqë ai se çoi kokën për asnjë çast, edhe kur zhurmat u ngritën në kupë të qiellit.

Ku s’më shkoi mendja, ato çaste! Te liria që po më largohej përditë, te robëria që do zgjaste pesë vjet, te shpresat që po veniteshin me kohën, te indiferenca e shokëve të krahëve! Mendimin m’i vagëllonte një pyetje dyshuese: “Vallë kështu në automat do katandisem edhe unë? Në një zgërbonjë pa ndjenja, pa shpirt, pa vullnet?! O Zot”! Por shpejt do kuptoja se kisha gabuar. Kur u ktheva në vendin tim pas apelit, Vaskën dhe xha Esherefin llafoseshin:

“S’di ç’të them or mik, s’di t’a shpjegoj çoroditjen e pjesës dërrmuese! Ndjej keqardhje për konstatimin! Si bre, s’e kuptokan se rrethanat politike, janë oportune! – vazhdonte Vaska arsyetimin e nisur pa prezencën time. Ashtu qoftë, këto ua fal të rinjve, po ne të moshuarit, më të vjetrit në burg, na del detyrë t’i sqarojmë me realizëm, drejt e pa dorashka; t’iu flasim për gjendjen e sotme, natyrisht pa iu vrarë shpresat. T’ua themi qartë, ku përballuni me realitetin! Shpresoni, ama rezistoni! S’shpresoj të na kuptojnë injorantët, ama intelektualëve, nuk ua fal”! Prifti heshti, më hodhi një vështrim dashamirës dhe vazhdoi:

“O mik, sot lufta e klasave ka arritur apogjeun, shihni egërsinë kundër fesë dhe fetarëve, presionin që ushtohet ndaj brezit të ri, ta implikojnë në këtë luftë pa principe! Mandej lexoni situatën ndërkombëtare, s’është aspak në favorin tonë, s’ka ca muaj që trupat ruse pushtuan Çekinë, pa po, në kufijtë e jugut, ka triumfuar një juntë kolonelësh, në veri ca të ngjashmit e këtyre tanëve, paçka se hiqen pak më të zbutur, prapë komunistë mbeten! kemi në një pozicioni gjeografik, ku s’ka shumë shpresa për t’u shndërruar në objekt i rëndësisë gjeostrategjik për lakminë e perëndimorëve.

Duke përfunduar, doja të shtoja se edhe komunistët i kanos vetvetja, sepse lidhja me Kinën e largme, i ka prishur balancat në eurozonë, tashmë janë në përplasje ideologjike me euro-komunistët. Prej Lindjes së Largme, kanë importuar këtu, përveç Revolucionit pseudo-Kulturor, edhe modelin e njeriut të ri, që duhet pranuar se mund të jetë gjithçka, veç model njeriu, jo! Pra, si përherë ata vazhdojnë luftën e bërrylave me sho-shoqin që, në mos qofsha i gabuar, s’mund të finalizohet pa koka në tepsi. Mjerë, kush shpreson drejtësi nga i shtrëmbërti dhe mëshirë nga katili”!

“Po ke të drejtë, or prift! Unë jam i pashkollum, s’di me fol kaq bukur, ama kaq gja e kam kuptu me vakt, jo ma të kulturuemit”!- u fryu ashklave të drurit që po gdhëndëte dhe m’u kthye mua: – “Po s’kena ç’me ba, or mec, nji ky asht burgu! Nji ky asht brumi, ’njita jan robt! Dun me pa andrra n’dill! Le të shohin! Ani, ene un shoh kaiher andrra me liri”! – plotësoi xha Esherefi, refrenin që la mangët prifti. – “Cull-o, të këshilloj mos ndij ç’grijn’ ëndërrimtarët! Shif hallin tat e, shërohu njiher, mandej ka Zoti! Qyr me nxan’ ene ndonji gja të hajrit! Pa, burgjet kështu i kena gjet, e kështu kem m’i lan! Allah-bin që shofim andrra, se ba mos me pa as ato, kishim m’u ther me sho-shoqin”! – e mbylli ai.

I shtyta edhe ca ditë me raportin që më lëshoi doktor Çitozi. Shokët që erdhëm bashkë nga Shkodra, i kishin nxjerrë në punë ne brigada të ndryshme. Tashmë me ta, takohesha vetëm mbrëmjeve, kur ktheheshin të rraskapitur. Kur iu këqyrja duart e pllakosura, plotë plagë të shkaktuara nga bishtat i kazmës dhe lopatës, prisja me ankth ditën, kur do më duhej t’i kapja edhe vet aletë të mallkuara. Koha e gjatë në izolim, më kish fshehur nga shputat, çdo shenjë kallo, dobësia trupore dhe paaftësia për t’iu përshtatur punës fizike, më zhyste edhe më keq në këtë gjendje makthi sa më dridhej zemra.

Tërë ato ditë, miqtë e mi s’lanë gurë pa luajtur, shfrytëzuan lidhjet dhe njohjet me njeri tjetrin, të më siguronin një punë më të lehtë. Fal raportit të doktor Naimit, njohjet e xha Dautit e të Sulos, por sidomos afërsinë e Vaskës, me kryetarin e Zyrës Teknike, Tefik Tarellin, si korçarë që ishin, por edhe për shkak të moshës sime minore, më caktuan në punë në brigadën e “Tekahytëve”.

 Në kampin e punës

(Atje ku farkëtohej durimi!)

Së fundi më nxorën në punë. Duhet të ketë qenë java e parë e dhjetorit, po datën s’e kam fiksuar. Ndihesha ende i dobët, sëmundja dhe apatia nga qëndrimi i gjatë në biruca, më kishin rraskapitur. Sidoqoftë, ajo ditë e butë, me diell si rrallëherë në dimrat e egër të luginës së Fanit, të joshte. Në rrugicën që lidhte dy kampet, në rreshtimin e mëngjesit, u gjenda krah njerëzish të panjohur. Veç ustait, një korçari me emrin Gaqo, që me përkëdheli e thirrnin Gaqkë, me të cilin më njohu prifti mbrëmjen e shkuar, të tjerët i shihja për herë të parë.

Dua të theksoj se të njohurit e mi në kamp, prifti dhe xha Esherefi, si shokë krahësh, po edhe Sulo Gorica, beratasi im i dashur, Daut Runa, labi besnik që do më bëhej baba e nënë, topalli, Emini gojëmbël, që do më linte gjënë dhe katandinë e tij, të grumbulluar në vitet e gjata të burgut dhe s’do kisha rast ta takoja as ditën e lirimit dhe asnjëherë tjetër në jetë, mustaqe verdhi Karolin Shala, hamalli i ditës së parë, po edhe miku im i viteve të më pasme, por edhe të tjerët, miq të miqve të mi, që do t’i njihja pas, u bënë ato ditë tutorët dhe avokatët mbrojtës të interesave që s’mund t’a imagjinoj dot, ç’drejtim do kish marrë jeta e mëvonshme në burg po dhe jashtë tij, nëse s’do kisha patur mbështetjen materiale dhe psikologjike të këtyre burrave të mençur. Gjithsesi me regjjen e mëvonshme në burg e mbas lirimit, jam përpjekur ta justifikoj përkrahjen që më dhanë atëkohë.

Portën e kampit të punës e kapërceva i fundit, ngaqë edhe brigada ku më emëruan, rreshtohej e fundit. Kjo për dy arsye; e para: se përbëhej nga pleq të ngathët, të sëmurë kronikë dhe e dyta: një pjesë e anëtarëve të brigadës, ishin njerëzit më të besuar të komandës dhe si të tillë, duhej të mbyllnin varganin, për siguri. Në këtë brigadë, rezidenconin spiunët e birucave, mbasi ktheheshin nga misionet nëpër hetuesira. Si i shfrytëzonin si karrem, për të “peshkuar ndonjë krap të madh”, (veprimtari për të cilën do të flasim me radhë), apo ua nxirrnin dëshmitarë të rremë grupeve të reja armiqësore, për t’iu rënduar pozitat, gjasme si pjesë e agjenturave të rrezikshme ndërkombëtare, që mandej nëpërmjet dënimeve monstruoze, të shantazhonin publikun e terrorizuar; së fundi i binin për “verim”.

Pra, gjithë kjo kategori sistemohej në këtë brigadë, për trajtim të diferencuar. Aty ata bënin sikur punonin, por në fakt vetëm sa eglendiseshin. Ngaqë s’kishin punë, gjithë kohën sorollateshin front më front, apo grup më grup dhe nxisnin sherre. Natyrisht, kështu përmbushnim edhe detyrën që dinin t’a bënin më së miri e, që iu kishin ngarkuar, spiunllëkun. Pjesën tjetër të brigadës, e plotësonin ustallarë të mirëfilltë, si inxhinierë e teknikë të specialiteteve të ndryshëm, zanatçinj të aftë në profesionet e tyre, që ua ndjenin nevojën. Por kjo kategori, në çdo rast e rrethanë, ishin më të druajturit dhe më frikacët, jetonin me ankthin e humbjes së vendit të punës dhe tmerrin se mund të përfundonin pastaj, me të shumtët, në kazëm e lopatë.

Pjesa dërrmuese, që edhe pse ishin vërtetë specialistë të aftë, ishin caktuar në këtë brigadë, jo thjeshtë si profesionistë të mbaruar, sepse të tillë kishte pa hesap në burgje, po për shkak të moshës së thyer dhe sëmundjeve të pashërueshme që trashëgonin si pasojë e viteve të gjata të dënimit. Të paktën këtu, ende shërbenin për diçka dhe s’e hanin kotë bukën e qeverisë, i shfrytëzonin deri në ekstrem, fuqitë e tyre. Brigada drejtohej nga një malazias, një komunist fanatik i arratisur nga Jugosllavia, mbas vdekjes së Stalinin. Ai kishte ardhur në Shqipëri, me shpresë se do mirëpritej si anti-revizionist. Dhe vërtetë, fillimisht u prit birinxhi mirë; e sistemuan profesor të gjuhës ruse, në një shkollë të mesme në qytetin e Elbasanit.

Po shumë shpejt për idealistin e sëmurë, do nisnin andrallat, kulti i individit dhe dogmatizmi pa cak që aplikonte udhëheqja shqiptare, do ta zhgënjenin ligsht komunistin njëzetekatër karatësh. I mësuar në vendin e tij, ku parashtrimi i mendimit tolerohej diçka më tepër, ai do shprehej edhe këtu pa rezerva. Por te ne; “kishte lalai biçak”! E lanë-e-lanë dhe kur e mbushi kupën, e arrestuan. Me dëshmitarë fallso, mbas një procesi farsë, siç zhvilloheshin zakonisht gjyqet komuniste, e dënuan dhe përfundoi në kampet e punës. Pra, komunistin atititist, e ndëshkuan si titist i thekur! Qysh nga ai moment mbi fytyrën e tij, u stampua një hije e pandashme zhgënjimi, që i mbeti për tërë jetën. Velko Stepanoviçi, kështu quhej brigadieri ynë, ishte punëtor i palodhur. Edhe pse i gjymtuar, me gishtin e madh të dorës mangët, i vinte ndoresh për çdo gjë; i bënte dora ç’ti shihte syri.

Ndonëse i dënuar, komunistët vlerësuan kontributin në fushën e teorisë marksiste-leniniste dhe aftësitë në punë, i ofruan mundësinë që të drejtonte brigadën e zanatçinjve apo, “gjytyrymëve” (jo më kotë thonë: sorra sorrës, nuk ja nxjerrë sytë), dhe Velko Stepanoviçi, e pranoi. Si burr i drejt dhe i ndershëm, serioz dhe i kulturuar, vlerësonte njerëzit me virtyte dhe karakter të fortë, siç do ta provoja edhe vet pas ca javësh; por politikisht, kish mbetur idealist i pandreqshëm; dukej ashiqare se ish indoktrinuar totalisht, nga idetë utopike komuniste, që në të ri. Mund të shtoj pa gabuar, se i tillë do jetë ndarë nga kjo botë.

Me gjithë të metat ideologjike, Velkoja përfaqësonte njeriun pozitiv, të gjithë e vlerësonin për vetitë intelektuale, për inteligjencën e spikatur dhe për karakterin e pathyeshëm. Të tillë e gjykonin edhe miqtë e mi. Edhe unë do t’ia njihja këto vlera, kur m’u dha rasti të vihesha në provë. Ai burr serioz, me mustaqe të gjera mbi buzët e holla, s’pranoi të më fajësonte, përkundrazi, m’u bë krah dhe më inkurajoi në qëndrimin tim intransigjent, bash në momentin kur kisha më tepër nevojë, për këtë inkurajim. Memorie.al



Read it all at Bota Sot