“Iu fusnin nga një plumb pas koke dhe ashtu të lidhur me tela me gjemba ose zinxhirë lope…”- Dëshmia tragjike e ish-të dënuarit politik

- Bota Sot

“Iu fusnin nga një plumb pas koke dhe ashtu të lidhur me tela me gjemba ose zinxhirë lope…”- Dëshmia tragjike e ish-të dënuarit politik

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

 

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

(Varka e mbytur në stere)

Në rastet kur kufoma përpëlitej brenda tabelave kufizuese të “ndalim kalimit”, policët e tërhiqnin për këmbësh, deri sa ta hidhnin matanë enjave; atje e fotografonin, përpilonin proces-verbalin, ku shkruanin shkakun e vdekjes: “Tentativë arratisje nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Mandej fatziun e përgjakur, e ekspozonin pak kohë në sheshin e kampit terrorizonin bashkëvuajtësit; pastaj meitin e thyer më dysh, e rrasnin në një gjysmë arkë mort dhe e groposnin skërkave. Po këtu, futeshin edhe vdekjet e imponuara ose vet ekzekutimet.

Edhe këto mund të ndodhnin si pasojë e plumbave të ushtarit apo, me vullnetin e vetë viktimës. Sidoqoftë, në të dyja rastet si shtysë, shërbente dhuna fizike dhe psikike. Viktima që supozonte se e kishin zhytur në një qorrsokak pa rrugëdalje, s’gjente dot forca t’i rezistonte më tej presionit dhe merrte vendimin fatal. Për të realizuar qëllimin final, mund vetë-zgjidhte çdo mjet, sipas mundësive dhe kushteve rrethanore. Instrumentet vdektare s’mungonin atje: mund të të ndihnin plumbat e ushtarit, duke iu vërtitur telave me vetëdije të plotë për pasojën; një prize elektrike; një fije teli; një këmishë e shqyer në metra dhe gjithçka tjetër që mund të zëvendësonte litarin dhe përfundimisht, viktimën e gjenin me gjuhën jashtë, duke u kolovitur në ndonjë zgarrë dritareje apo shtyllë tensioni.

Në mungesë të tyre, mund të vetë-zgjidhte zhytjen kokëposhtë nga lartësitë e dritareve dhe ballkoneve të hetuesive, nga oxhaqet apo tarracat e kantiereve në ndërtim e sipër, nga furnelat apo zgafellat e galerive, etj. Përherë, fatkeqit që vetëmbyllet jetën në një nga këto forma, i vihej diagnoza “me depresion” dhe me kaq mbyllej kapitulli, për të vazhduar më pas, me të tjerë e të tjerë. Do të shtoja edhe një shkak vdekje paksa të veçantë, që në fakt duhej t’i përkiste rastit të vakive natyrale, por për specifikën që mbart, më duhet ta klasifikoj te të jashtëzakonshmet.

Në burgjet politike fusnin edhe pleq të moshave mbi tetëdhjetë vjeçare, dënimet dhjetë vjet e përpjetë, që aplikonin për këtë kategori, ishin stratosferike. Vetëm mendimi se edhe sa mund të zgjaste jeta e tyre, ish kujë më vete! Pa le pastaj të llogarisje rrezikshmërinë shoqërore të këtyre rrozhgove! Rrjedhimisht, dënimet tej kufijve realë të moshës fizike, barazoheshin me dënim me vdekje të avashtë e, të mundimëshme. Sido që komunistët e justifikonin këtë, me zbatimin rigoroz të ligjit; ligj që në duart e tyre mori vlerat e një topthi plasteline. Askund s’dënohen të vdekurit apo, ata që gjenden buzë të varrit! Të arsyetojmë paksa, mbi veçantinë e vdekjes në burgje, nga po ky proces, kur ndodh di-kund tjetër. Dallim krucial përbën mënyra si trajtohej ky eveniment sublim.

As-gjëkundi në botë, madje as në burgje, vdekjen nuk e denigrojnë; përkundrazi, momentin e agonisë së një qenie humane, e respektojnë si një çast solemn, pavarësisht bartësit të kësaj jete. Në mos e lironin nga burgu, që ta çonin të ndërronte jetë pranë të dashurve të vet, të paktën viktimës së pritshme të kosës së vdekjes, i krijonin mjedis më komod, të nxirrte frymën e fundit. Ndaj dërgohej në spital, azil apo manastir, ku shuhej nën përkujdesin e mjekëve apo të murgjve, nën liturgjinë e faljes së gjynaheve. Atje, edhe nëse mjekësisë i kishin shterur mjetet, të paktën gjente prehjen e munguar shpirtërore. Në burgjet e komunizmit s’respektohej ky adet, konsiderohej borgjez dhe pikë! Dallime të tjera kur pllakoste vakia, ishin edhe mënyra se si trajtohej kufoma dhe ritet që e shoqëronin atë.

Pak mbas sistemimit në kapanonin e rrozhgove, rasti e solli të ndodhte vdekja e parë, të paktën që nga koha kur kisha mbërritur unë në Reps. Kisha dëgjuar për vakira të mëparshme, po vet s’më kish rastisur të shihja. Mirëpo fatkeqësisht, një mëngjes plaku minoritar Jorgji Kote, u gdhi kufomë. Gjatë gjithë natës kish luftuar në agoni mes jetës dhe vdekjes. Diku, në të gdhirit, shpirti u shkëput nga kjo botë makthi dhe fluturoi në qiell. Edhe pse flija në të njëjtin kapanon, s’e kuptova ç’po ndodhte; mbas një dite rraskapitëse, më kishte kapluar keqas një gjum plumb.

Si nëpër ëndërr, përgjatë natës ndjeva zhurma. Priftërinjtë ortodoksë karshi meje, zbrisnin dhe ngjiteshin nëpër shkallaret e drunjta, mirëpo unë flija. Flija gjumin e moshës! Ngjitje-zbritjeve të tyre, iu vura një nofkë: “Zakone pleqsh, si të moshuar, vuajnë nga veshkat dhe prostatat, dalin herë pas here të zbrazen në nevojtore”! Kaq dhe e gjykova shkak të mjaftueshëm. Vetëm kur u bë zgjimi në mëngjes, xha Miçua më rrëfeu ç’kish ngjarë. Me pak fjalë më shpjegoi ndodhinë e më rekomandoi të ndiqja të tjerët për ngushëllim. Mandej kur të vinte momenti, të ndihmoja me sa të mundja në transportin e kufomës. Hyra në varg pas të tjerëve; kur iu avita jatakut, një formë e çrregullt nën batanije, më krijoi idenë se duhej të ishte mbetja trupore e të ndjerit. Anash xhenazes, rrinin ulur ca pleq minoritarë, të cilët i njihja vetëm si fytyra. Te këmbët e të ndjerit, lutej At Vaska.

Helbete në mëdyshje, panorama me meitin në mes, se ç’më kujtoi një tablo të Gojës. S’po dija kujt t’i drejtohesha, i shushatur u hapja shtegun atyre që po vazhdonin të vinin nga kapanonet e tjerë, që bënin ngushëllimet dhe iknin sërish. Mbeta i topitur. Njerëzit vinin e iknin, unë në vend! Ishte ballafaqimi i parë me vdekjen e njëmendët. Një çast Vaska ktheu kokën, më kqyri me vëmendje dhe se ç’më bëri një shenjë, apo ashtu m’u duk mua! Gjithsesi afrova veshin dhe dëgjova të më pëshpëriste: -“Ky ishte ai plaku që ra në gropën e banjës, para ca muajsh! Drejtohu atyre dyve që janë ulur në krye”!

S’e zgjata, po iu shtriva dorën dy të moshuarve dhe diç gërmëzova ca fjalë pa lidhje: një farë, “t’i rrojnë fëmijët apo, iu pastë lenë uratën”! që s’më kujtohen tamam. Atë çast ia behën policët e shërbimit që duket, dikush i kish njoftuar. Pa folur fare, një prej tyre tërhoqi cepin e batanijes dhe zbuloi fytyrën e të ndjerit. O Zot, sa e flashkët, e verdhë dyllë! E ngjashme me flakën e qiririt! S’di ç’ndjesi pata atë çast, veçse një lëmsh m’u mblodh në grykë dhe një gromësimë më përcëlloi fytin. Prej thellësisë së rropullive, m’u ngrit një pështjellim, si për të vjellë.

Ish hera e parë që shihja për së afërmi çehren e një meiti. Goja e kufomës, pa dhëmbë, gjysmë e hapur, të shtinte krupën. Shëmbëllente me një zgafellë të zymtë. Fytyra e venitur dhe njëri sy i çakërritur, m’u bë se më këqyrnin ngultas, sikur donin të më shprehnin ndonjë sekret, që s’duhej marrë në gropë. “O Zot, falja gjynahet”! M’u fanit çasti i ankthshëm, kur mjerani llapashitej në gropën e fekaleve, me thonjtë të ngulur mbi këmbajkën tranversale dhe unë me Xhavit Murrizin, e ngritëm lart, ashtu të fëlliqur kokë e këmbë. Ushtari gagariste mbi kokat tona, ndërsa plaku dridhej dhe fërgëllonte. Më kumbuan në vesh fjalët e një gjuhe të pakuptueshme.

Ato bebe të perënduara, më kujtuan çastin kur iu afruam dusheve, për ta pastruar, prej mbetjeve biologjike njerëzore. O Zot, bebet e venitura që përthyenin dritën e marrtë mëngjesore, tashmë, shprehnin lebeti! Ai sy i shqyer, sikur më thoshte: “Amanetin e kufomës, s’ka dhe ta tresë! Fiksoji këto çaste sublime dhe fol, fol e fol”. “Po, barba Jorgji, do flas një ditë”! Mendova se i fola ndërgjegjes, por tingujt përshkuan dhëmbët e dolën jashtë.

– “Ç’je tuj than, or tëj? A po flet me të dekmit, a”? – m’u kthye një nga policët. Kisha gabuar, kisha shprehur me zë, atë që bluaja në tru. S’dija ç’përgjigje të ktheja. Vaska më kqyri në loçkë të syrit, por polici tjetër, me gishtin drejtuar nga unë, më nxori nga sikleti: – “Hajd, tëj e tëj, e ju dy qerët, kapni batanijen dhe çojeni n’morg”! U bëmë katër të rinj, e ngritëm batanijen ashtu siç ishte. “Oh, sa i lehtë ky skelet njerëzor, si kurm i vockël i një fëmije rakitik”! Kufoma pa jetë, më kujtoi peshën e shpirtit:

“Shpirti a’ i lehtë, përndryshe do merrte me zori flatrimin për në qiell; materia a’ baltë, ndaj gropohet njitu, për me plehërue tokën”! m’u ndërmendën fjalët e plakut nga Postriba, Arif Ura, në birucat e Shkodrës. “Po, or bac! Shpirti i këtij mjerani po ngjit amëshimin, i ngarkuar e barrën e gjithë derteve tokësore, po merr me vete vuajtjet, dhunën, jerimin; këtu poshtë, po na lë këtë grusht-eshtrash, mbledhur me curë, dhe amanetin…”!

Me kufomën ndër duar, morëm të përpjetën që të nxirrte në platformën sipërme, për t’u drejtuar kah infermieria. Disa dhjetëra të dënuar, që ato çaste po merreshin me higjienën personale, lanë ç’kishin ndër duar dhe u vargosën në të dy krahët e udhës. Na hapën një shteg të kalonim ne, me ngarkesën funebre. Tej e tej Repsit, asnjë pipëtimë, veç ndonjë kolle të thatë dhe ca rrufitje indesh. Proçesion i çuditshëm që kjo botë, as kish parë dhe, as do të shihte ndonjëherë! Truproja e nderit e përbërë nga disa qindra zhelanë këmbë zbuluar, me kapelet e bardha ndër duar, të ngurosur gatitur në të dy krahët; me sytë shkreptimë, përcillnin mbetjet e ish-bashkëvuajtësit të tyre fatzi.

Mbase jam shumë i pasaktë sepse, nën peshën e emocioneve të momentit, mund të mos jem objektiv. Porse, ajo që kujtoj sot, është gjesti i përsëritshëm i asaj tufe mjeranësh, me zemër të madhe. Ata martirë të tillë, të rreshtuar në të dyja anët e fillesës së “Rrugës së Golgotës”, shoqëronin me dhimbje për në tualetin makabër, kufomën e bashkëvuajtësit të tyre, por edhe vetë prisnin radhën të përfundonin po si ai, xhenaze. Seç më kaploi një brengë që më gërryente përbrenda, për fatin e zi të mjeranit që po transportonim, po edhe për mjerimin që priste truprojën e nderit! Kufoma e tupakur e atij plaku, kruspullosur nga mosha e mundimet, para se ta rrëmbenin xhelatët e, t’a thyenin më dysh, për t’a rrasur në një gjysmë arkë-mort, që ta groposnin në ndonjë grykë përroi, i meritonte homazhet.

Në mungesë të familjarëve, shokët e të njëjtit hall, u mobilizuan dhe e nderuan. Ky procesion mortor, do stampohet për gjithë jetën në kujtesën time djaloshare, si një basoreliev i gdhendur në shkëmb e beton. Kur iu afruam infermierisë, na drejtuan në derën e një barake ndanë saj dhe atje, na urdhëruan ta shtrinim mbi një bankë druri, që mbase ishte instaluar kinse për këtë qellim. Me ta sistemuar mbi të, sërish me shenja na urdhëruan të dilnim jashtë. Ndalova mbi pragun e derës, u ktheva edhe njëherë pas dhe i hodha kufomës një shikim të fundit.

Tashmë, cepat e batanijes ishin varur teposhtë dhe ekspozonin në dritë të plotë, fytyrën dhe kurmin e ngurtësuar të meitit. Syri i shqyer dhe goja gjysmë e hapur, sikur më lutën së dyti: “fol” dhe unë sërish u betova: “Po, Barba, do flas, veç në mos dalsha i gjallë”! Por kësaj radhe, u kujdesa t’i mbaja nën fre emocionet. Kurrë deri atëkohë s’kisha prekur një kufomë. Për mua ky qe ballafaqimi i parë me vdekjen e njëmendët. Përjashto rastin kur në moshën shtatëvjeçare, një stërgjyshja ime mbi njëqind vjeçe, ndërroi jetë. Por neve, si të mitur, na qitën jashtë dhomës ku kryheshin ritet.

Besëtytët dhe përrallat, na kishin yshtur me idenë metafizike se kur dikush vdiste, shpirti shkëputej nga trupi dhe fluturonte në qiell. Mirëpo që ta përshkonte rrugën më lehtë e, të mbërrinte sa më shpejtë destinacionin, meiti duhej të ishte i pastër. Ndaj për këtë qëllim, angazhonin baxhinë e lagjes. Baxhi quanin personit që kryente ritin e larjes dhe shërbimin e fundit ndaj kufomës. Sipas rastit, kur i ndjeri ishte mashkull edhe baxhiu ishte i tillë dhe kur e ndjera ishte femër, këtë detyrë e kryente baxhia. Natyrisht në rastin e së ndjerës stërgjyshes sime, baxhija që bëri ritualin në bodrumin e shtëpisë, domethënë në mes të haurit.

Ajo ishte një grua e moshuar por e shëmtuar si shtrigat. Mbase s’ishte tamam e tillë, po ky përfytyrim m’u ngulit, ngaqë kjo grua kryente këtë shërbim human. Mbi ca gurë, ajo shtroi një derë që s’e di nga e kishin hequr, shtriu mbi trupin lakuriq të plakës dhe më një krah, një kazan me ujë të ngrohtë që lëshonte re avulli e në tjetrin, shpalosën direkt mbi dysheme, një turra beze të bardhë. Baxhija e ngrinte kurmin eshtak dhe i hidhte ujë me një mashtrapë llamarine, mandej e kthente në krahun tjetër, ku një ndihmëse saj, i derdhte sërish mashtrapën mbi krifën e bardhë.

Meqë qëlloi muaji më i nxehtë, gusht 1957, frëngjinë e vetme nga merrte dritë dhe ajër bodrumi, e kishin lënë hapur që të dilnin avujt e ujit si valë, po edhe të futej brenda pak ajër i pastër. Ne fëmijët kuriozë, të mbrujtur me besëtytni siç e përmenda më sipër, ishim kacavirrur mbi kurrizet e njëri tjetrit dhe rrinim varur në pezullin dritares. Si fillim, shihnim veprimet mekanike që kryente baxhia me xhenazen, po synim mbetej momenti kur shpirti do të shkëputej nga trupi.

Atëkohë se kisha idenë e vdekjes. Na kishin edukuar me mendimin se gjallesat nuk zhduken, po ndryshojnë formë, nga qenie tokësore, ndërrohen në objekte qiellore. Pra, edhe pse ishte e para mbetje njerëzore që shihja, s’u përqendrova fare mbi kufomën e zbardhëlleme të lyer me sherbet gëlqereje, po prisja me ankth çastin kur shpirti i asaj plake të dashur për ne fëmijët, do ndryshonte formë e, të merrte përpjetë qiellin. Dhe hapësira e vetme që lidhte bodrumin me botën e jashtme, mbetej dritarja ku kishim zënë pusi ne, ndaj u zbythëm paksa, ta linim të lirë kalimin.

Nën vapën dihatëse të gushtit, mbanim frymën dhe prisnim shpirtin bardhë flatra-ndehur, të asaj plake të thatë, të fishkur e të rrudhur, të niste fluturimin. Edhe pse s’iu ndava asaj pike vrojtimi, asnjë engjëll me flatra s’po dukej të delte jashtë nga dritarja e vetme e bodrumit. Megjithatë vazhdova të prisja e të prisja, deri sa mbaroi punë baxhija, domethënë sa e fashoj me disa metra linear basma të bardhë, i lidhi buzën dhe gishtat e këmbëve dhe duarve dhe ashtu të mbledhur e nxorën dhe e shtrinë në mes të odës, mbi një dyshek leshi. Asgjë e veçantë nuk ndodhi.

I zhgënjyer për humbjen e momenti që e mendoja si kulmin e spektaklit dhe për orët e shkuara dëm, u mërzita dhe s’iu afrova më xhenazesë. Kështu, qysh atëherë m’u fiksua në kujtesë, një imazh i paqartë për vdekjen, që mbeti i pandryshuar. Pas kësaj s’më rastisi më të shihja përsëdyti një kufomë. Pas plotë dymbëdhjetë vjetësh, do përballesha sërish me faktin, po këtë herë bëhej fjalë për vdekje të njëmendët, me të gjitha dimensionet e saj makabre. Ishte e shtunë. Këtë ditë e kujtoj saktësisht sepse të nesërmen, më vinte për takim babai, me një djalin e hallës.

Qysh se u detyruan para ca muajsh të kalonin një natë në të ftohtë, familjarët e mi, ndryshuan taktikë, vinin në takim vetëm të dielat. Përgjithësisht si pushim jave, ishte më e volitshme të bëje takim dhe më e mundshme të ktheheshe brenda ditës, nga kishe ardhur. Shoferët që rrihnin rrugët e Mirditës, të dielave shpiknin udhë, për të zënë ndonjë pare, ngaqë iu druheshin më pak kontrolleve të policëve rrugorë. Mirëpo arsyeja pse ky fakt më është ngulitur edhe më tepër në kujtesë dhe s’mund t’a harroj kurrsesi, si një rast i papërsëritshëm, ka lidhje direkte me të ndjerin.

Jashtë gardhit së bashku me të mitë, prisnin të takonin t’anë edhe dy djemtë e merhumit Jorgji. Po me kë do takoheshin, vallë? Me fatziun që kish ndërruar jetë para njëzetekatër orësh dhe s’dihej në ç’gropë dergjej! Djemtë e tij i përcollën me mashtrim, gjoja ati i tyre s’ish më efektiv në atë kamp, po e kishin transferuar gjetkë. Destinacionin mund ta mësonin me letrën e parë, që do t’iu vinte nga prindi. Pra, edhe kumtin e vdekjes s’ua dhanë! Ata të merakosur, pritën makinën të ktheheshin në Tiranë, të interesoheshin për vend-mbërritjen e atit të tyre.

Në takim me babanë, ai më foli për dy djemtë që prisnin pak më tej, më tha edhe për përgjigjen që iu kishin dhënë policët e më pyeti nëse dija ndonjë adresë të atit të tyre. E kuptova, i kishin mashtruar. Po edhe unë s’e kisha të lehtë; iu druhesha pasojave që mund të më vinin pas kësaj, por edhe atë ç’ka duhej të hiqnin të afërmit e mi. Ndaj, kur pashë policin që ndiqte takimin, të shpërqendrohej për një moment, pa i tërhequr vëmendjen, me një lojë fjalësh, shpejtova t’i jepja të kuptonte tim eti, se plaku kish vdekur dje: “Sa keq, qysh dje ka shkuar pranë gjyshes sime, gjetë rahmet, ku ka rënë”! dhe iu ktheva bisedës së zakonshme. Babai e kapi të vërtetën, vura re t’i ndehej një hije trishtimi që i murrëtiu fytyrën, iu varën vetullat dhe këndet e mustaqeve.

Mbas takimit, s’di si ua kumtoi lajmin e hidhur bijve të të ndjerit, mbase me kodin e heshtjes dhe ndjenjën e solidaritetit, që karakterizonte familjarët e të dënuarve politikë. Një Zot e mori vesh! Veçse pas kësaj, djemtë kërkuan me ngulm adresën e atit të tyre dhe së fundi një oficer, iu dha haberin e kobshëm. Që nga brenda rrethimit, ne ndiqnim zhvillimin e kësaj skene, ani pse s’arrinim të dëgjonim qartë fjalët që këmbyen, gjestet na dhanë të kuptonim ngulmimin e djemve, që kërkonin me çdo kusht kufomën e atit. Po përgjigja e prerë dhe zë lartë, aq sa e dëgjuam edhe ne mbas gardhit, ua preu shpresat:

– “Ikni, kërkojani Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, vetëm ata dhe Ministria e Brendshme, kanë kompetenca për veprime të mëtejshme. Ne s’na lejohet të bëjmë më shumë se ta varrosnim në varret e të dënuarve, deri në mbyllje të dënimit të dhënë nga gjykata”! Djemtë e fatkeqit u larguan të vrerosur, ndoshta për në Tiranë, ku me siguri s’do mund të bënin asgjë më shumë për kufomën e prindit të tyre. Edhe sot mbas dyzet e dy vjetësh, s’e di në i kanë gjetur eshtrat e atij qyqari. Pavarësisht shkaqeve që sillnin vdekjen, vetë trajtimi i kufomave, përfaqësonte një kanibalizëm më vete.

Në rastin e plakut minoritar, jam dëshmitar i gjallë, e çuam kufomën me batanije në mëngjes dhe mbas dite e nxorën me një arkëz druri, jo më të gjatë nga një metër. Po ç’ndodhi me kufomën? Nga ajo që pashë, krijova idenë se sado i pakët të kish qenë plaku, s’mund të sistemohej në një arkë mort aq imcak, sikur edhe ta mblidhnin kruspull. Kështu, me dashje pa dashje, ta rrasje në aq pak vend duhej të manipulohej kufoma.

Nga bisedat me personelin shëndetësor të dënuar, po edhe me punonjës policie, që kanë punuar nëpër burgje, me të cilët kam pasur rast të flas pas viteve nëntëdhjetë, kam dëgjuar lemerira. Veçanërisht rrëfimet e doktor Naim Çitozit dhe infermierit Dilaver Minxhai, e më vonë edhe nga mjekë të tjerë që kanë shërbyer në burgje, si; Muhamet Kosovrasti, Thoma Dardeli e Bahri Marku, si dhe me infermierin elbasanas, Tasi Xhuvani, kur më kanë treguar për masakrat që kryheshin mbi kadavrat, jam shokuar.

“O Zot! Atje të këpusnin në kryqe, me një levë hekuri”! ky ish refreni i tyre. Sipas tyre edhe në kampet shfarosëse të Gestapos, veprohej më ndershmërisht, i digjnin të vdekurit në krematoriume dhe i shndërronin në hi, kurse këtu kufomat i përçudnonin. I goditnin në mes me një hanxhar apo, me një shufër hekuri dhe mbasi i këpusnin në kryqe, i palosnin më dysh. Atë që kish aplikuar së pari këtë metodë e kishin dekoruar si novator, ngaqë “shpikja” kish rezultuar shumë racionale sepse në përfundim të operacionit edhe një dy-metrosh, nuk zinte më tepër nga një metër vend, mbasi trupi ndahej në mënyrë simetrike, kur paloseshin këmbët arrinin lartësinë e kokës. Me këtë racionalizim kursehej lënda drusore, po edhe gropa bëhej më e vogël.

Vitet e para kur ndodhte një vdekje, që për hir të së vërtetës ndodhnin mjaft shpesh, kufomat hidheshin ashtu si të qëllonte, në ndonjë kanal apo përrua. S’përdornin arkë-mort, mbasi çdo i dënuar armik i regjimit, konsiderohej më pak nga qeni dhe si i tillë, s’meritonte as varr, duhej zhdukur përjetësisht. Por edhe kur i groposnin, s’vinin ndonjë shenjë dalluese, madje kjo iu dukej sa qesharake, aq edhe e kotë: “Mbetjeve të armiqve, u duhej vënë benzina, të qërohen nga faqja e dheut të mos mbetet shenjë prapa”! kështu shpreheshin botërisht vampirët.

Më prapa, duket ndërruan mendje, nisën përdorimin e arkë-mortit dhe më pas ende, praktikuan edhe futjen brenda të një shisheje me numrin apo emrit të viktimës. Natyrisht, kjo bëhej vetëm për fat keqët, që pësonin vdekje natyrale apo aksidentale, pavarësisht shkaqeve. Sepse për të dënuarit me vdekje që ekzekutoheshin nga togat e pushkatimit apo, ata që vriteshin në kufi, vazhdonte avazi i vjetër.

I merrnin në grup apo, veç e veç dhe i çonin buzë mezhdave apo përrenjve, iu fusnin nga një plumb pas koke dhe ashtu të lidhur, shpesh me tela me gjemba apo, zinxhirë lope, për të mos harxhuar gjermankat, i groposnin me pesë lopata dhe, sa të mos “qelbnin” dynjanë. Kish bërë vaki që kufomat e shqyera natën nga qentë, t’i gjenin të nesërmen udhëve, një kofshë këtu e, një krah atje dhe kokën në ndonjë pellgaçe…! Memorie.al



Read it all at Bota Sot