Materniteti “NËNA” – 28 vjetori i themelimit në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë

- Bota Sot

Materniteti “NËNA” – 28 vjetori i themelimit në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë

Para se të flasim për maternitetin “NËNA”, si qendrën e mbrojtjes së jetës, kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë,  sipas parimit të Shën Nënës Tereze: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”, ia disa të dhëna për kontekstin shoqëror dhe politik të SHHBK “Nëna Tereze”, që lindi në Pranverën e madhe të vitit 1990, së bashku me Pajtimet e Gjaqeve, sistemin paralel shkollor, më vonë edhe shëndetësor.

SHHBK “Nëna Tereze” është formuar më 10 maj 1990, me 127 delegatë nga viset e ndryshme të Kosovës. Zhvillimi i hovshëm dhe nevoja, domosdoshmëria, kanë mundësuar që t’i kemi: 40 degë, 636 nëndegë, me 7200 vullnetarë, ndërsa jashtë Kosovës ishin 38 degë.

Pasi ishim jashtë ligjit dhe sistemit, së shpejti në kuadër të SHHBK “Nëna Tereze” janë themeluar edhe Shërbimet shëndetësore: 96 klinika apo ambulanta humanitare, në krye me ambulancën  “Nëna” më 30 mars 1992, në shtëpinë e Shaban Svircës; kanë punuar 1637 mjek, motra medicinale dhe teknikë profesional.

Materniteti “NËNA” është formuar më 8 korrik 1996, ku kanë punuar 71 mjek profesional, 15 specializantë, Këtu kanë lindur shëndosh dhe mirë 13.716 fëmijë, që është një sukses i jashtëzakonshëm.

Ndihma e Zotit dhe e Nënës Tereze nuk ka munguar kurrë, por edhe e donatorëve tanë nga mbarë bota, si dhe e popullatës tonë, në veçanti e profesionistëve të larmisë së shëndetësisë.

Pasoja e Luftës 1998 – 1999 ishin shumë të rënda: janë vrarë 112 bashkëpunëtorë, prej të cilëve janë 8 martirë të shëndetësisë; të pagjetur 14, prej të cilëve 3 janë nga shërbimet shëndetësore.

Objekti “Materniteti” është nën mbrojtjen e MKRK nga 7 tetori 2022,

2.    Dy ngjarje të paharrueshme

Dy ngjarje që kam përjetuar në këtë qendër. Ishte një delegacion nga SHBA-ja. I ndjeri Dr. Gani Demolli, organizatori kryesor i shërbimeve shëndetësore të Shoqatës,  së bashku me Prof. Jak Mitën, mendjen dhe zemrën e Shoqatës, më lutën që të merrja pjesë në takim të rëndësishëm.

Posa hyra, përgjegjësit më thanë që është një shtatzëne  para lindjes në gjendje të rrezikshme. Mjekët ishin munduar që ta bindnin që të shkonte në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, por pa sukses.  Më thane mua që të provoja.

Gruaja me vendosmëri më tha: Jo, ju lutëm më leni që të vdes në mesin e njerëzve të mi! S’pata më fjalë as kundër argumente.

Pas vizitës, fill pyeta për gjendjen e kësaj gruaje. Më thanë: çdo gjë ka shkuar mirë, si nëna asht edhe fëmija janë shumë mirë.

Shkova për ta përshëndetur dhe për t’ia uruar lindjen e fëmijës. Kjo burrëreshë më tha: Don Lush Gjergji, edhe për ne ka Zot! Së paku Ti këtë nuk duhet të dyshosh!

Rasti i dytë: gruaja e shefit të policisë serbe për Prishtinë, ishte sëmurë dhe kishte ardhur për t’u kontrolluar dhe mjekuar në një ambulantë tonë. Pritja ishte në nivel dhe shumë e përzemërt, miqësore, si gjithmonë, por edhe profesionale. Pas kontrollimit, ajo i kishte thënë burrit të saj kështu: ata ishin engjëj! Ti nuk duhet t’i pengosh!

Një ditë më vonë kishte ardhur krye shefi i policisë serbe për ta vërtetuar rastin dhe i kishte thënë prof., Jak Mitës kështu: Tash e tutje e keni përkrahjen time, dhe nëse keni ndonjë pengesë, vetëm më lajmëroni mua!

3.    Disa porosi të Shën Nënës Tereze për shëndetësi:

“Sot barna ka mjaft, por jo edhe duar dhe zemër – dashuri.”

“Dashuria mjekon dhe shëron çdo sëmundje.”

“Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula apo kanceri, por vetmia, mungesa e dashurisë.”

“Jepe pjesën më të mirë të vetvetes, zemrën, dashurinë.”

“Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim.”

“Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën.”

“Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.”

“Asnjë sëmundje, as gërbula apo kanceri, nuk mund ta deformojnë njeriun, që unë në të mos ta shoh, njoh, dua dhe shërbej njeriun, njeriun vëlla apo motër, vetë Zotin.”

Prishtinë, 28 gusht 2024                       Don Lush GJERGJI



Read it all at Bota Sot