Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka reaguar sot për përleshjen me armë në lagjen Aktash të Prishtinës mes familjes Sekiraqa dhe Capajve.
Ai këtë sulm ka tentuar ta ‘arsyetoj’ me sipas tij krimet dhe vjedhjet që kanë ndodhur gjatë 24 viteve kur në pushtet ishin partitë e sotme opozitare.
“Kosova vetëm në vitin 2018, ishte shndërruar në një çerdhe të grabitësve me 270 raste të grabitjeve të regjistruara. Disa prej tyre përfunduan tragjikisht, me humbje të jetëve. Prandaj, opozita mos të na mbajë ligjërata për siguri, sepse gjatë qeverisjes së tyre Kosova ishte si një “Teksas” ku sundonte krimi dhe pasiguria. Të mos harrojmë se cilat ishin rezultatet e qeverisjes së tyre në këtë aspekt. Ne mund t’i publikojmë brenda 24 viteve të gjitha statistikat e kriminalitetit dhe e shohim se si keni qeverisë”, ka shkruar Bajqinovci.
Të dielën e 1 shtatorit, në Aktash të Prishtinës ka mbetur i vdekur Përparim Gashi nga familja e Capajve ndërsa pesë persona janë plagosur.