Përfaqësuesit e Listës Serbe, mbylljen e institucioneve serbe në veri të Kosovës e kanë vlerësuar si “persekutim politik të popullit serb”, sepse këto institucione kanë ofruar shërbime për qytetarët.
Anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq ka thënë se përfaqësuesit e institucioneve serbe që kanë marrë ftesa për seanca dëgjimore do t’u përgjigjen ftesave dhe se do të thonë qartë se “kanë punuar për të mirën e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve dhe se nuk kanë falsifikuar asnjëherë dokumente”, për çka po akuzohen nga organet e drejtësisë.
Sipas fjalëve të tij, organet e Kosovës kanë ditur për ekzistimin e institucioneve serbe, kjo nuk është asgjë e re.
Në këtë kontekst, ai ka shtuar se mënyra e funksionimit të tyre është negociuar në Bruksel.
“Këto institucione kanë ofruar shërbime juridike për të gjithë qytetarët, pasi homologu i tyre nuk ekziston”, ka thënë Simiq duke vazhduar se çështja është se “qytetarët nuk do të kenë ku të regjistrojnë lindjet, martesat dhe vdekjet”.
Ai ka përkujtuar se në vitin 2013, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj me të cilin është ratifikuar Marrëveshja e Brukselit, i cili trajton mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet serbe në sistemin e Kosovës.
“Këto institucione janë absolutisht të ligjshme dhe në përputhje me ligjin, Lista Serbe gjithmonë ka bërë thirrje për paqe dhe vetëpërmbajtje, si dhe tani bëjmë thirrje për paqe dhe përmbajtje. Ne do t’i përgjigjemi ftesës dhe do të themi qartë se ky është persekutim politik i populli serb dhe kjo është pjesë e një plani më të gjerë të persekutimit institucional të çdo gjëje serbe nga Kosova”, tha Simiq.