MPJD apel qytetarëve: Merrni masa dhe përdorni pikëkalimet tjera kufitare

- Gazeta e Prizrenit

MPJD apel qytetarëve: Merrni masa dhe përdorni pikëkalimet tjera kufitare

Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës dënon fuqishëm veprimet e fundit në pikën kufitare të Bërnjakut, ku në njoftimin e tyre thuhet se persona të maskuar po ndalojnë vetura me regjistrim gjerman dhe, pas konstatimit se udhëtarët janë shqiptarë, nuk po i lejojnë të kalojnë.

“Kjo situatë është duke u mbikëqyrur nga vetura të policisë serbe, e cila nuk ndërhyn për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve, duke u bërë kështu bashkëfajtore e këtij veprimi të padrejtë.

Një sjellje e tillë, e cila nuk mund të tolerohet, rikujton periudha të errëta të historisë dhe përbën një akt veprimi të papranueshëm, diskriminimi dhe fashizmi”, thuhet në njoftim.

Për shkak të kësaj gjendjeje të papranueshme, pika kufitare e Bërnjakut do të mbetet e mbyllur deri në largimin e personave të maskuar dhe rikthimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët.

MPJD i bënë thirrje qytetarëve dhe mërgimtarëve që udhëtojnë drejt Kosovës apo nga Kosova në drejtim të shteteve tjera të marrin masa të kujdesshme dhe të përdorin pikat e tjera kufitare.



Read it all at Gazeta e Prizrenit