Prizren: Komuna rishpallë tenderin për shërbimet juridike të përfaqësimit të saj në organet gjyqësore

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Komuna rishpallë tenderin për shërbimet juridike të përfaqësimit të saj në organet gjyqësore

Komuna e Prizrenit sërish ka iniciuar aktivitetin e prokurimit për kontraktimin e shërbimeve juridike lidhur me përfaqësimin e saj në organet e gjyqësorit.

Në njoftimin për kontratë thuhet se në kuadër të këtij aktiviteti të prokurimit “do të nënshkruhet kontrata kornizë 12 mujore për shërbimet juridike, të cilat kanë të bëjnë me përfaqësimin e Komunës së Prizrenit në organet gjyqësore”, raporton Telegrafi.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë kornizë një vjeçare është 50 mijë euro, teksa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është caktuar data 14 tetor 2024.

Një aktivitet i ngjashëm i prokurimit për shërbime juridike ishte iniciuar nga Komuna e Prizrenit edhe në maj të këtij viti. Por në fund të muajit qershor e kishte anuluar atë, teksa edhe kërkesën e operatorit ekonomik Zyra e Avokatisë Blerim Mazreku për rishqyrtim e kishte refuzuar.

Në fillim të korrikut i njëjti operator ekonomik kishte paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky organ në fund të muajit gusht ka marrë vendim që të refuzohet si e pabazuar ankesa e këtij operatori ekonomik, duke lënë në fuqi edhe njoftimin e Komunës së Prizrenit për anulimin e procedurës së prokurimit, raporton Telegrafi.

Paneli Shqyrtues i OShP-së ka gjetur se ankesa e operatorit ekonomik duhet të refuzohet si e pabazuar dhe rrjedhimisht ka vendosur të mbetet në fuqi njoftimi i Komunës së Prizrenit lidhur me aktivitetin e prokurimit: “Ofrimi i shërbimeve ligjore për nevojat e Komunës së Prizrenit”.

Kontraktimi i shërbimeve ligjore lidhur me përfaqësimin në organet gjyqësore është një praktikë që zbatohet prej vitesh nga ana e Komunës së Prizrenit, me arsyetimin se ka burime të kufizuara njerëzore në raport me numrin e madh të lëndëve që duhen përfaqësuar në gjykata. /Telegrafi/



Read it all at Gazeta e Prizrenit