Vetëvendosje thotë se Qeveria e Kosovës e dha kontributin kryesor për rrënimin e objektit të ish-Ndërmarrjes “Liria” në Prizren

- Gazeta e Prizrenit

Vetëvendosje thotë se Qeveria e Kosovës e dha kontributin kryesor për rrënimin e objektit të ish-Ndërmarrjes “Liria” në Prizren

LVV-ja në Prizren ka reaguar pas njoftimit nga Komuna e Prizrenit se do të rrënohet objekti ish Ndërmarrjes Shoqërore “Liria”, duke ia atribuuar një meritë edhe Qeverisë së vendit, raporton Gazeta e Prizrenit.

Në komunikatë thuhet se LVV mbështet secilin projekt që realizohet për dhe në interes të qytetarëve të komunës së Prizrenit. Njëherit, LVV-ja në këtë komunë e ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për kontributin e saj në shpronësimin e objektit dhe mundësinë për rrënimin e këtij objekti.

“Në mbledhjen e 182 – të Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte miratuar inicimi i procedurës për fillimin e procedurave të shpronësimit të pronës së paluajtshme – Objekti / Ndërtesa e i ish-Ndërmarrjes Shoqërore “Liria” në Prizren.
Shpronësimi ka pasur si qëllim implementimin e Projektit “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve”, në të njëjtën kohë duke përfshirë zgjerimin e rrugës ekzistuese sipas Hartës Zonale për Qytetin e Prizrenit.
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se pas përfundimit të të gjitha procedurave të shpronësimit në fillim të muajit Tetor do të filloj rrënimi i objektit të ish – Ndërmarrjes Shoqërore “Liria” ( lagjen Bazhdarhane ) në Prizren.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren e mbështet secilin projekt që realizohet për dhe në interes të qytetarëve të komunës së Prizrenit, dhe njëkohësisht falënderon Qeverinë e Republikës së Kosovës për kontributin e saj në shpronësimin e objektit dhe mundësinë për rrënimin e këtij objekti – rrënimi i të cilit do të krijoj hapësira për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve.
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren i bënë thirrje Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj që të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve në të mirë të komunës dhe qytetarëve të Prizrenit.”, thuhet në reagimin e LVV-së në Prizren.



Read it all at Gazeta e Prizrenit