Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës sot do të dorëzojë në Kuvend nënshkrimet dhe shkresat tjera përcjellëse të nismës qytetare për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale.
Në njoftimin e SBAShK-ut thuhet se në lidhje me këtë nismë, janë mbledhur mbi 20 mijë nënshkrime.
“Ju informojmë se të hënën, më 30 shtator, në orën 10 e 30, do të jemi te Parlamenti i Kosovës për t’ia dorëzuar në mënyrë solemne 20.458 nënshkrimet dhe shkresat tjera përcjellëse të nismës qytetare për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08L- 248, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.
Ndryshimet në Ligjin e skemave pensionale kanë të bëjnë me kërkesën që vitet e 90-ta dhe vitet pasuese deri kur ka filluar së funksionuari Trusti Pensional i Kosovës, të njihen si kontributdhënëse.