Dështon nisja e gjykimit për korrupsion ndaj ish-prokurorit Metush Biraj dhe dy të tjerëve

- Gazeta e Prizrenit

Dështon nisja e gjykimit për korrupsion ndaj ish-prokurorit Metush Biraj dhe dy të tjerëve

Për shkak se mbrojtja nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, ka dështuar sërish të nisë gjykimi në rastin ku ish-prokurori Metush Biraj akuzohet për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, kurse Shkodran Pulaj dhe Naim Osmani për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Mbrojtësi i Birajt, avokati Reshat Millaku, tha të premten se nuk janë të gatshëm për vazhdim të seancës, pasi që prokuroria nuk i ka pajisur me të gjitha provat, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

Propozimin e tij e mbështetën edhe mbrojtësi i të akuzuarit Pulaj, avokati Faton Fetahu dhe mbrojtësi i të akuzuarit Osmani, avokati Korab Bokshi.

Avokati Millaku, kërkoi që t’i sigurohen edhe aktvendimi për fillimin e hetimeve ndaj të akuzuarit Pulaj etj, kërkesën e Prokurorisë për kontroll të pasurisë dhe personit ndaj Shkodran Pulajt drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake në Prizren, urdhëresat e gjykatës për kontroll, procesverbalet e kontrollit, vërtetimin mbi sekuestrimin e përkohshëm të telefonit nga Shkodran Pulaj, aktvendimin e prokurorit të shtetit drejtuar Policisë së Teknikës Kriminalistike për ekzaminimin e telefonit, CD-në e ekzaminimit të telefonit, raportin e ekspertizës, transkriptën mbi përmbajtjen dhe të dhënave të të gjeturave në telefon si dhe incizimin e bisedës në mes Metush Birajt e Shkodran Pulajt në mënyrë të shkruar.

Lidhur me këtë, prokurorja speciale Shenaj Berisha tha se mbrojtja është pajisur me të gjitha shkresat që i ka kërkuar në seancën e kaluar, gjithashtu e njëjta tha se nuk ka pasur ndonjë listë që do të figuronte se me cilat shkresa janë pajisur mbrojtja, por e njëjta tha se do ta përmbushë obligimin e saj.

Gjykata ka obliguar prokuroren që të përmbushë obligimin e saj ligjor dhe ta pajisë mbrojtjen me provat e kërkuara nga kjo e fundit.

Më pas, gjykatësi Lutfi Shala aprovoi propozimin e mbrojtjes dhe seanca e sotme u shty për një ditë tjetër.

Ndryshe, edhe seanca e paraparë për 11 shtator kishte dështuar të mbahej për të njëjtën arsye.

Gjithashtu, edhe seanca e paraparë për 26 korrik kishte dështuar pasi nuk ishte i pranishëm askush nga Prokuroria Speciale.

Aktakuza ndaj ish-prokurorit Biraj dhe dy të tjerëve u ngrit më 4 mars 2024, pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” publikuar më 2 dhjetor 2023 me titull  “Sish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë”,. ku prokurori Biraj dyshohej se kishte marrë ryshfet rreth 5 mijë euro, për të tërhequr kërkesën për paraburgim të të arrestuarve Naim Osmani, Ukë Sadrijaj dhe Arbër Salihu, ndërsa rreth 20 mijë euro për dështim të rastit, përkatësisht tërheqjes nga aktakuza.

Ndryshe, aktakuza për këtë çështje penale është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, por për shkak se rasti ka të bëjë me një ish-prokuror të atij regjioni, Prokuroria këtë çështje për gjykim e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Gjilan, në Departamentin për Krime të Rënda. Mirëpo, Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Gjilan ka deleguar lëndën në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ky i fundit sipas tij ka hapur një konflikt lidhur me kompetencën lëndore të këtij rasti.

Sipas aktakuzës, Metush Biraj po akuzohet se në mes të muajve prill dhe korrik të vitit 2023, në Prizren, në cilësi të prokurorit të shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejt pranon ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20 mijë eurove, për të vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31 mars 2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në mungesë të provave ndaj të akuzuarve: Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja  dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se Biraj këtë e ka bërë në bazë të premtimit të marrjes së të hollave siç rezulton nga lënda penale në Prizren kur arrestohet edhe tani i akuzuari Shkodran Pulaj për shkak të veprës penale ’Blerja, posedimi, shpërndarja  dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe sekuestrohet një telefon i tipit “Samsung A52”.

Sipas prokurorisë, gjatë ekzaminimit të këtij telefoni nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike në Prishtinë se ka rezultuar se prokurori Biraj ka biseduar nëpërmjet rrjeteve sociale “Viber” me të akuzuarin Pulaj si dhe i akuzuari Naim Osmani ka biseduar me Pulajn nëpërmjet rrjetit social “Whats App”, dhe nga CD dëgjohet duke komunikuar Pulaj dhe Biraj, e që nga bisedua e lartcekur kuptohet se janë premtuar të holla në këmbim të heqjes dorë nga ndjekja penale në rastin e lartcekur, e që këtë veprim Biraj e ndërmerr përkundër udhëzimeve nga ana e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren që të vazhdohet me ndjekjen penale.

Me këto veprime, Biraj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, paragrafi 1 të KPRK-së.

Ndërsa, sipas dispozitivit të dytë të kësaj akuze, të akuzuarit Pulaj dhe Osmani akuzohen se në vend dhe kohë të përshkruar në dispozitivin e parë, të njëjtit me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të akuzuarin e parë Biraj, me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor te datës 31 mars 2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve Naim Osmani, Ukë Sadria dhe Arbër Saliu, për shkak të veprës të sipërshënuar penale.

Me këto veprime, Pulaj dhe Osmanaj akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit’’ nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

“Betimi për Drejtësi” më 2 dhjetor 2023 ka transmetuar hulumtimin se si ish-prokurori Metush Biraj dyshohet se mori ryshfet për të dështuar aktakuzën për 130 kilogramë marihuanë. Aty ishte siguruar një video-dëshmi, ku zhvillohen biseda për të ndikuar në rastin e drogës, në mes ish-prokurorit Biraj dhe të dyshuarit Shkodran Pulaj.

Bazuar në aktakuzën e plotë të ngritur nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Isuf Sadiku, del të mos jetë marrë për bazë shuma e përmendur në video incizim prej 20 mijë euro.

Lexo edhe:

Ish-prokurori i Prizrenit me aktakuzë për marrjen e 20 mijë eurove ryshfet, në ballë gjatë ceremonisë së 25-vjetorit të Komunës

Prokurori Sadiku ka ngritur akuzën duke u bazuar në paragrafin 1 të nenit 421 për “Marrje Ryshfeti” dhe 422 për “Dhënie Ryshfeti” të Kodit Penal të Kosovës. Këto paragrafe, një prej tyre parasheh dënim me gjobë dhe burgim nga 1 deri në 8 vjet burgim, kurse tjetri deri në 5 vjet.  Derisa, paragrafët tre të këtyre dy neneve parashohin se në rastet kur kemi të bëjmë me marrjen, respektivisht dhënien e ryshfetit për shumën që tejkalon 15 mijë euro, sikurse në rastin e Birajt, atëherë dënimi shkon nga 5 deri në 15 vjet burgim për marrje ryshfeti e deri në 8 vjet burgim për dhënie të tij.

Për këtë rast, pas publikimit të hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” kishte reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit