Dita Botërore e Postës

- Bota Sot

Dita Botërore e Postës

9 tetori njihet si Dita Ndërkombëtare e Postës.

Shërbimet postare janë shërbimet më të vjetra dhe më të përdorshmet. Ato lindën së bashku me njerëzimin, si një nevojë e domosdoshme e komunikimit midis fiseve, krahinave e rajoneve të ndryshme.

Në periudhën e hershme ato u realizuan në forma të ndryshme duke shfrytëzuar edhe relievin natyror dhe pozicionet gjeografike, duke përdorur sinjale me zë, me zjarre e forma të tjera.

Me zhvillimin e shoqërisë njerëzore, avancuan mënyrat e komunikimit, filluan të përdoren lajmëtarët që lëviznin me këmbë, me ditë të tëra për dërgimin e lajmit, filluan sinjalet me brirë, daulle, sinjale ndriçuese, të cilat përbëjnë edhe fillimin e organizimit të shërbimit postar.

Dokumenti i parë i shërbimit postar është gjetur në Egjipt dhe daton rreth 255 vjet përpara lindjes së Krishtit. Sipas këtij dokumenti, shërbimi postar është prezent në të gjithë kontinentet në formë të mesazheve, për dërgimin e tyre udhëtohej me ditë e muaj nga një kontinent në tjetrin.

Ky lloj shërbimi sigurisht erdhi duke u zhvilluar e përsosur si një nevojë e domosdoshme e komunikimeve universale, ku filluan të përdoren kalorësit dhe karrocat me kalorës dhe në raste të veçanta të shoqëruar me forca të tjera.

Një rëndësi të veçantë në këtë periudhë mori shpejtësia e dërgimit të mesazheve dhe mbrojtja e lajmëtarëve. Në shumë vende lajmëtarët filluan të shoqëroheshin me mjetet e kohës duke transmetuar lajmin në formë stafete deri në mbërritjen në destinacion.

Në këto momente konfigurohet realisht simboli tani i pa zëvendësueshëm i lajmëtarit (sot shpërndarësi i postës), i cili tani është transmetuesi dorë më dorë i të gjitha mesazheve të shkruara, mesazhe të cilat nuk mundi t’i zëvendësojë as teknologjia e sotme moderne.

Me lindjen dhe zhvillimin e sistemit kapitalist, shërbimi postar u bë një domosdoshmëri e veçantë komunikimi ndërmjet vendeve që tani kishin një zhvillim të shpejtë industrial.

Rritja e shpejtë e sektorëve të ndryshëm të ekonomive të vendeve të ndryshme e kryesisht atyre të zhvilluara, u shoqërua edhe me dendësinë e madhe të dokumentacionit.

Një tjetër simbol i veçantë i bashkëngjitet simboleve të postës automjete të veçanta për transportin e postave me emblemë e simbole njohëse për publikun. Kërkesa për komunikime me shpejtësi ndërmjet vendeve në kontinente të ndryshme rritën koston e këtij shërbimi. Njëkohësisht filloi të rritej me shpejtësi komunikimi me shkrim ndërmjet njerëzve si e vetmja mënyrë komunikimi ndërmjet tyre.

Në këto kushte lindi si domosdoshmëri përcaktimi i rregullave universale të komunikimit dhe mënyrat e pagesave. Në fillim të shekullit 17, filloi shkëmbimi i dërgesave postare ndërmjet vendeve, bazuar në marrëveshje bilaterale ndërmjet tyre, por që vazhdonte të mbetej shqetësim mënyra e pagesës së shërbimit për shkak edhe të kostove të larta të tij.

Futja e teknologjive të reja të komunikimit ndërmjet vendeve dhe njerëzve, diktuan nevojën e përsosjes të mëtejshme te shërbime postare në mbarë botën, duke kaluar në përdorimin e teknologjive moderne edhe për realizimin e shërbimeve postare, të cilat ndikuan shumë shpejt në rritjen e shpejtësisë të lëvizjes së objekteve postare.

Me gjithë shpejtësinë e madhe të zhvillimit të komunikimeve elektronike, roli i postës vazhdon të jetë i pranishëm kudo në botë si një shërbim i domosdoshëm dhe shumë i përdorur në çdo vend.



Read it all at Bota Sot