Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka thënë se është suspenduar nga puna zyrtari policor, nga shkrepja e armës të së cilit ka mbetur e plagosur një kolege e tij në Stacionin Policor ‘Jugu’ në Prishtinë të premten.
Incidenti ka ndodhur mëngjesin e së premtes.
IPK-ja, në një komunikatë për media, tha se zyrtarja policore është plagosur në këmbë dhe se është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë”, tha IPK-ja.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor”.
Sipas IPK-së, bëhet fjalë për një incident të shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit.
“Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar”, thuhet në komunikatë.
Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.