“Kisha ardhur pa pasaportë” – çka kujtonte Jackson për hyrjen e tij në Kosovë në krye të paqeruajtësve të NATO-s

- Gazeta e Prizrenit

“Kisha ardhur pa pasaportë” – çka kujtonte Jackson për hyrjen e tij në Kosovë në krye të paqeruajtësve të NATO-s

Mike Jackson, komandanti i parë i KFOR-it, forcës paqeruajtëse të NATO-s për të zbatuar marrëveshjen e paqes në Kosovë, ka vdekur dje në moshën 80 vjeçare.

Jackson mori komandën e KFOR-it në vitin 1999, menjëherë pas fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, për t’i dhënë fund spastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë.

Jackson është nënshkrues i marrëveshjes së Kumanovës.

Pas 78 ditësh bombardime që NATO kreu ndaj strukturale militare serbe, marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor 1999, por e hyrë në fuqi 2 ditë më vonë, i dha fund luftimeve.

Me këtë marrëveshje që u nënshkrua nga komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë gjeneral Michael David Jackson dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviç, Serbia u detyrua t’i tërheqë të gjitha forcat e saj policore e ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja u arrit pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi kufijtë serbe për 2 muaj e gjysmë si dhe pas përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund, gjatë të cilës mbi 15 mijë njerëz janë vrarë ose zhdukur dhe mbi një milionë u zhvendosën.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s dhe nisi largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete. Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë nisi edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. Në të njëjtën kohë, u shpërbë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Vite më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Gjenerali Sir Michael David Jackson, ishte dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Gjeneralit britanik kjo medalje i është ndarë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë.

“Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm, historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon. Kemi punuar në kohë sfidash bashkërisht, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që e kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka thënë në atë kohë Thaçi.

Jackson, atë kohë u shpreh mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“U ktheva në Kosovë shtatëmbëdhjetë vite që kur kisha ardhur këtu për herë të parë, kur, më duhet të them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme për të parë se sa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, kishte  thënë ai. /GazetaSinjali/



Read it all at Gazeta e Prizrenit