“Një gjak borxh ma ki…”, 57-vjeçari në Suharekë pengon dhe kërcënon Policinë pasi shkaktoi aksident

- Gazeta e Prizrenit

“Një gjak borxh ma ki…”, 57-vjeçari në Suharekë pengon dhe kërcënon Policinë pasi shkaktoi aksident

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në Suharekë, ku një 57-vjeçar ka penguar zyrtarët policorë, që kishin shkuar për të intervenuar pas një aksidenti trafiku.

Siç mëson Sinjali, rasti ndodhi derisa Policia ishte në vendin e ngjarjes, ku i dyshuari e kishte shkaktuar aksidentin dhe në shenjë revolte është kapur me policët.

Pavarësisht pengesave, Policia e ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin.

Sipas informacioneve të para, për të mos mbaruar me kaq, i njëjti e ka kanosur një zyrtar policor brenda stacionit, duke iu drejtuar ndër të tjera edhe me fjalët “Një gjak borxh ma ki…”.

Të njëjtat burime thonë se i dyshuari ka refuzuar edhe avokatin sipas detyrës zyrtare, e po ashtu nuk është deklaruar, duke u mbrojtur në heshtje.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.



Read it all at Gazeta e Prizrenit