Konfliktet në mes të familjarëve në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe përcillen me kanosje serioze e përleshje që eskalojnë edhe në rrahje brutale. Problemet për të cilat nuk arrijnë të merren vesh i shtyjnë ata t’i qërojnë vet hesapet, duke u futur kështu në sherr edhe në Polici.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Komoran, ku nisi paradite një sherr mes dy familjarëve (xhaxhai me nipin) dhe eskaloi pasdite, në fshatin e tyre në Nekoc.
Xhaxhai po dyshohet se në mëngjes i kishte shkuar nipit te lokali ku ndodhej dhe kishte tentuar ta sulmojë, por s’kishte arritur.
Nga aty, konflikti ka vazhduar në shtëpinë e tyre, ku dyshohet se u përfshinë në rrahje.
Rasti është denoncuar në Polici dhe si rezultat, dy të dyshuarit janë arrestuar.
Të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, ku u intervistuan lidhur me rastin.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.