Arrestohen 6 fajdexhinjtë që i morën viktimës para e prona në vlerë të 1 milion eurove

- Gazeta e Prizrenit

Arrestohen 6 fajdexhinjtë që i morën viktimës para e prona në vlerë të 1 milion eurove

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar mëngjesin e së enjtes një operacion policor në Prizren dhe Suharekë, duke arrestuar gjashtë persona të dyshuar për fajde dhe detyrim.
Sipas njoftimit, operacioni “Milioni” është realizuar në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë zbatuar urdhra-kontrolli dhe janë sekuestruar 20 prona banesore dhe lokale afariste, pesë automjete, armë dhe municione të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione të ndryshme, para të gatshme dhe prova digjitale.

“Gjatë zbatimit të operacionit policor, është realizuar urdhër-kontrolli i gjykatës, ku në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar: 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e sistemit prokurorial.

Të dyshuarit akuzohen për kontraktimin e shumave joproporcionale të borxhit, duke përfituar nga vështirësitë ekonomike të viktimave për të fituar pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme me vlerë mbi 1 milion euro.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prizren, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit