BE-ja ndien lehtësim pas rezultatit të zgjedhjeve në Moldavi

- Bota Sot

BE-ja ndien lehtësim pas rezultatit të zgjedhjeve në Moldavi

Zyrtarët në Bruksel u zgjuan me një ndjenjë lehtësimi mëngjesin e së hënës, pasi presidentja proevropiane e Moldavisë, Maia Sandu, u rizgjodh në krye të këtij vendi.

Në balotazhin e ngushtë presidencial më 4 nëntor, ajo siguroi 55 për qind të votave. Kundërshtari i saj prorus, Alexandr Stoianoglo, mori 45 për qind.

Përndryshe, kjo ishte një vjeshtë e rëndë për bllokun evropian, pasi partitë populiste - skeptike ndaj BE-së - fituan zgjedhjet parlamentare në Austri dhe dolën jashtëzakonisht mirë në tri lande të Gjermanisë lindore.

Pastaj, javën e kaluar, ishte Gjeorgjia - vend kandidat për anëtarësim në BE që nga dhjetori i vitit 2023 - ku Partia Ëndrra Gjeorgjiane, gjithnjë e më autoritare, përfundoi me lehtësi e para në zgjedhjet parlamentare, që u përshkuan me shumë parregullsi. Kjo është një çështje ndaj së cilës Brukseli nuk është ende i sigurt se si do të reagojë.

Të gjitha këto rezultate i shkaktuan BE-së një ankth të vërtetë, duke u pyetur: a po zbehet fuqia e saj tërheqëse dhe çfarë është duke bërë gabim? E, mbase më e rëndësishmja, a po mundet nga Rusia në lagjen e tyre të përbashkët?

Moldavisë iu dha statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2022, me shpresën se negociatat e pranimit do të fillojnë në vitin 2025.

Kohëve të fundit, BE-ja ishte jashtëzakonisht aktive në Moldavi. Që nga viti 2022, ajo i dha asaj 2.2 miliardë euro, ndërsa pak para zgjedhjeve u angazhua edhe për 1.8 miliard.

Oligarkët prorusë, si Ilan Shor dhe Vlad Plahotniuc, të cilët përçanë jashtëzakonisht shumë politikën moldave, u sanksionuan nga BE-ja, ndërsa dhjetëra udhëheqës dhe ministra evropianë vizituan Kishinjevin gjatë verës, për të shprehur mbështetje për presidenten Sandu.

Për Brukselin, kjo tregon përkushtimin e tij ndaj Moldavisë, por edhe shqetësimin e tij për të, marrë parasysh se vendi është thellësisht i ndarë në kampe proevropiane dhe proruse.

Rezultati i ngushtë në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale dy javë më parë dhe, gjithashtu, fitorja e ngushtë e kampit që votoi me “po” në referendumin për anëtarësim në BE, që u mbajt në të njëjtën ditë, i ndezën kambanat e alarmit në Bruksel.

Tani, vëmendja e BE-së do të kthehet te zgjedhjet parlamentare të Moldavisë që do të zhvillohen në verën e vitit 2025.

Gjatë mandatit të dytë të Sandusë, Moldavia ka shumë të ngjarë t’i afrohet anëtarësimit në BE, por do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë për Qeverinë për t’ua demonstruar qytetarëve përfitimet nga anëtarësimi në bllok.

Vendet e Ballkanit Perëndimor për shembull, si Maqedonia e Veriut dhe Serbia, janë kandidate për vite me radhë, por ende nuk kanë dalë nga dhoma e pritjes.

Për më tepër, BE-ja ka tani edhe sfida të tjera: një administratë të re në SHBA, luftën e vazhdueshme në Ukrainë dhe gjakderdhjen e vazhdueshme në Lindjen e Mesme.

Me shumë mundësi, BE-ja do të ndajë më shumë para për Moldavinë, por a do të mund t’i bëjë konkurrencë Rusisë, sidomos pas dyshimeve se Kremlini është duke blerë vota?!

“Ne, si evropianë, përpiqemi t’i blejmë zemrat e moldavëve me fjalë, por rusët i blejnë mendjet e moldavëve me para”, tha një zyrtar i BE-së në kushte anonimiteti.

Vetë paaftësia e BE-së për t’i promovuar në mënyrë efektive avantazhet e lidhjeve më të ngushta me Brukselin, duhet fajësuar për këtë. Disa vëzhgues theksojnë nevojën që vendet e BE-së të kenë një prani më të madhe në Moldavi, me më shumë diplomatë dhe zyrtarë.

Ekziston, gjithashtu, nevoja që Qeveria moldave të bëjë gjëra me rëndësi për qytetarët e zakonshëm, sidomos reforma në drejtësi, të cilat, sipas një vlerësimi të fundit të BE-së, kanë nevojë për përmirësim.

Sandu, e cila ka punuar për Bankën Botërore, është padyshim e njohur dhe e respektuar në Bruksel, dhe kjo e ndihmon shumë reputacionin e Moldavisë jashtë vendit.

Por, kjo mund edhe të mos mjaftojë, sidomos për faktin se ajo shihet si një “presidente e diasporës”, për shkak të mbështetjes së madhe që ka nga emigrantët moldavë.

Marrë parasysh fuqinë në rënie të BE-së dhe kërcënimin që paraqet ndërhyrja ruse, beteja e ardhshme ka të ngjarë të zhvillohet në frontin e brendshëm./rel



Read it all at Bota Sot