“Zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 ishin farsë e vërtetë, pasi aty mori pjesë vetëm Partia Komuniste”- Dëshmitë e rralla të mjekut italian

- Bota Sot

“Zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 ishin farsë e vërtetë, pasi aty mori pjesë vetëm Partia Komuniste”- Dëshmitë e rralla të mjekut italian

Lufta e Dytë Botërore, pati ndikime të fuqishme edhe në tokat shqiptare. Për këtë është folur mjaft nga historianët tanë, në frymën komuniste. Brezat e para vitit 1990, e kanë mësuar këtë nga tekstet shkollore, nga Historia e Partisë së Punës dhe Historia e Shqipërisë, por shumë pak syresh, janë njohur me trajtimin alternativ bërë nga historianët dhe autorët jo komunistë, brenda dhe jashtë vendit. Lidhur me këtë, është me shumë interes libri “La guerra piu lunga” i Franco Benantit, ish mjek në ushtrinë pushtuese italiane, në Ballkan e Shqipëri, botuar nga shtëpia “Mursia” e Milanos (botimi i parë më 1966, pasuar nga katër ribotime të mëvonshme).

Kryengritja komuniste në Shkodër

Me 12 nëntor 1945, më urdhëruan të transferohesha në Gjirokastër. Po atë ditë policia sekuestroi të gjitha mjetet e transportit dhe u vu re një lëvizje e pazakontë. Komisari na mblodhi dhe na njoftoi se; “në Shkodër reaksionarët dhe banditët, armiq të popullit, kanë ngritur armët kundër qeverisë, por revolta e tyre është likuiduar brenda pak orësh”.

Ai vazhdoi se; “likuidimi i krejt reaksionarëve është problemi ynë sot më i rëndësishëm”. Sikurse morëm vesh më vonë, njerëzit në Shkodër, nuk e kishin duruar dot më shtypjen e komunistëve dhe kishin parapëlqyer më mirë një fund të tmerrshëm, se sa një tmerr të pafund. Në Gjirokastër takova miqtë e mi, priftërinjtë bazilianë. Drejtori i spitalit një farë Dr. Vasili, gjysmë mjek dhe gjysmë politikan, kishte një urrejtje për italianët. Ai denoncoi dy mjekë italianë, Varanon dhe Vitin, të cilët u arrestuan dhe u mbyllën në kështjellën e qytetit.

Në regjiment u njoha me komandantin, Ferik Hado dhe instruktorët jugosllavë, që kishin ardhë për të përgatitur kuadrot ushtarakë këtu. Qeveria jugosllave, kishte sjellë furnizimet me armë, municione, veshmbathje dhe materiale të tjera të nevojshme.

Farsa e zgjedhjeve

Shtypi vendas, i tëri në anën e komunistëve, çdo ditë bënte propagandë për zgjedhjet që po afronin. Ato konsideroheshin shumë të rëndësishme. Por vetëm sovjetikët dhe satelitët e tyre, e njohën qeverinë e Enver Hoxhës. Jugosllavët dërguan në muajin prill, ambasadorin Velimir Stojniç, ish-shefin e misionit ushtarak jugosllav. Vetëm në fund të 1945-ës, katër fuqitë e mëdha e njohën qeverinë shqiptare, por me një rezervë: marrëdhëniet diplomatike, do vendoseshin pasi të sqarohej gjendja në këtë vend.

Zgjedhjet u mbajtën me 2 dhjetor 1945, dhe qenë një farsë e vërtetë. Mori pjesë vetëm Partia Komuniste. Morën pjesë, 542.000 votues. Për çdo 10.000 syresh, do zgjidhej një deputet. Pothuaj të gjithë, votuan për kandidatët komunistë. Madje kishte raste, që ata votuan pro 110%! Pse kështu? Sepse quheshin të pavlefshme, vetëm skedat e bardha, të pambushura, kurse ato që mbusheshin “gabim”, shkonin në favor të kandidatit. Kështu ndodhi në një qendër në Gjirokastër, ku dolën dhjetë skeda, të mbushura gabim. Si rezultat, 99.99% e votuesve ishin pro kandidatëve komunistë. Kjo nuk mund të mos sillte zhgënjim te aleatët perëndimorë, të cilët nuk e ftuan Shqipërinë në Konferencën për Reparacionet gjermane të Luftës. Jugosllavët dhe çekosllovakët, ndanë nga pjesa e tyre diçka për Shqipërinë.

Pas zgjedhjeve, u liruan dy mjekë italianë, Varano dhe Viti, që ishin arrestuar më parë. Ata më treguan se çfarë u kishte ndodhur. Një ditë prilli, dy oficerë të policisë politike, (Sigurimi Shtetit) kishin shkuar në spital dhe kishin kërkuar dy mjekët. Kur këta ishin paraqitur, oficerët ishin sjellur njerëzishëm, por i kishin ftuar ata në kështjellë, ku ishin zyrat e policisë sekrete. Aty i kishin kontrolluar dhe u kishin marrë gjithçka (para, orë, etj.).

Pastaj i kishin mbyllur në një qeli, dy javë para se t’i pyesnin. Hetuesi i kishte pyetur veç e veç: emri, mbiemri, atësia etj. Jeta e mëparshme me imtësi, njerëzit që njihnin. etj. Në hetuesi ishin thirrur shumë herë, ditën e natën, duke u akuzuar për veprimtari subversive dhe spiunazh. U akuzuan se kishin bashkëpunuar me kolaboracionistët. etj. Gjithçka me sa duket, bëhej për të krijuar kudo një frymë paniku dhe terrori. Po afroheshin Krishtlindjet. Shkova e i takova priftërinjtë, natën e 24 dhjetorit. Atje gjeta një farë Nesti Papajorgji, një i ri minoritar grek.

Pas Krishtlindjeve, ndjeva se një hije dyshimi, po hidhesh rreth meje në regjiment. Megjithatë, shefi i financës më thirri në zyrë dhe më dorëzoi 250.000 lekë, pagën e dy viteve punë. Kjo shumë i shtohej disa napolonave ar dhe parave të fituara në Korçë dhe Delvinë. Po mendoja t’i dërgoja te familja ime, në Itali. Prandaj i shkrova konsullit Turcato. Por ai s’pati kohë të më përgjigjej sepse, me 21 janar, atë e përzunë nga Shqipëria. Atë kohë arrestuan edhe Nesti Papajorgjin, të cilin e mbyllën në kështjellë.

Komisari më thirri në zyrë dhe më pyeti se çfarë kisha bërë natën e Krishtlindjes. “Si ka mundësi një mjek si ju, të mashtroheni nga disa djaj, siç janë priftërinjtë” – vërejti ai. Pas kësaj, shumë nëpunës dhe të njohur të tjerë të mi, më kthyen krahët ose, më qëndronin ftohtë.

Dëbimi i klerikëve italianë

Pasi u bë kryeministër në Itali zoti De Gasperi, qeveria shqiptare, urdhëroi dëbimin e gjithë klerikëve italianë. Këta klerikë, vepronin në Shqipëri prej shumë vjetësh. Vetë Krishtërimi, ka hyrë këtu që në fillimet e tij. Kuvende dhe kisha paleokristiane, i gjen kudo në vend. Të krishterët shqiptarë, kundërshtuan të gjithë pushtuesit e huaj, përfshi këtu ata të fundit, otomanët.

Në krye të tyre në shekullin XV-të, ishte i famshmi Skënderbe, që kur po vdiste, i porositi të afërmit të shkonin në Itali. Por shumica e atyre që nuk e lanë atdheun, u konvertuan në myslimanë. Vetëm më 1815-ën, kur Austria vuri në zotërim rajonin Lombardi-Venecie, në Shqipëri erdhi grupi i parë i misionarëve katolikë, që i përkiste Shoqërisë së Jezuit, veneto-lombarde. Pas jezuitëve, në Shqipëri erdhën edhe urdhra të tjerë, si; françeskanët, etërit e don Oriones, lazaristët dhe vinçestianët, Bazilianët, katolikët e ritit oriental. Klerikë të shquar vendas, kanë qenë Patër Anton Arapi, Patër Gjergj Fishta, Patër Bernardin Palaj, Vincens Prenushi, Pjetër Gjura, etj.

Në atë kohë katolikët në Shqipëri, numëronin 124.000 vetë, duke përfaqësuar 11.27% të gjithë popullsisë. Kisha Katolike, dispononte dy Arqiodeza, të Durrësit dhe Shkodrës, tre Dioqeza të Pultit, Sapës dhe Lezhës, administratën Apostolike për Shqipërinë e Jugut, 131 kisha. Gjithsej ishin 93 priftërinj shekullarë, 94 që u përkisnin urdhrave fetarë dhe 230 motra, të kongregacioneve të ndryshme.

Tre muajt e parë të pasçlirimit, vijoi një paqe e heshtur, ndërmjet qeverisë dhe Klerit. Qeveria e hiqte veten si mbrojtëse e të varfërve, sikurse edhe Kleri. Ajo donte të fitonte një farë mbështetje dhe nga Kleri, sa kohë e ndjente veten ende të pa forcuar. Por ideologjikisht feja, ishte një kundërshtare e komunistëve, që e konsideronin atë si pjesë përbërëse e rendit kapitalist. Madje komunistët, ndeshën te feja një rezistencë më të madhe, se sa e prisnin. Prandaj e konsideruan atë armikun numër një. Nisi një fushatë e pashembullt kundër Klerit Katolik, që quhej si; “vegël e Vatikanit dhe e imperializmit amerikan”.

Regjimi sajoi mijëra arsye, fakte, vetëm për ta kompromentuar dhe luftuar Klerin Katolik në veçanti. Në prill 1945, u arrestuan katër priftërinj, që u dënuan me vdekje, të akuzuar për “veprimtari kundërrevolucionare”. Shumë të tjerë pësuan dhunë fizike. Me 24 maj, komunistët i vunë zjarrin selisë Apostolike. U mbyllën azilet e fëmijëve, që mbaheshin nga motrat dhe shkollat fetare, ose mësuesit e tyre, u zëvendësuan me mësues shtetërorë, ndërsa programet u ndryshuan, në frymën marksiste-leniniste.

Ofensiva komuniste, vijoi me dënimin me vdekje të 11 priftërinjve, të Seminarit të Shkodrës, që u tha se mbahej me “pare të huaja”. Ata u shkuan në plumb, me 4 mars 1946. Kufomat e tyre, qëndruan tërë ditën ndanë një përroi, në periferi të Shkodrës. Anëtarët e tjerë të Seminarit, u dënuan me nga 15-30 vjet.

Me 18 janar 1946, u dëbuan nga Shqipëria, 82 priftërinj italianë. Policia u mori atyre gjithçka që kishin, i hipën në kamionë dhe i shoqëruan me roje për në Durrës, deri në ndërtesën e Arqidioqezës, nga ku kishin marrë të arrestuar Vinçenso Prenushin. Policia i trajtonte klerikët, njësoj si të ishin kriminelë ordinerë. Priftërinjtë italianë, duhej të prisnin atje 36 ditë, para se të niseshin për Itali.

Vinçensio Prenushi, u dënua me 30 vjet burg, vdiq në gusht 1952. Viktima të tjera, qenë Frano Gjini, Gjergj Volaj dhe Krustofor Kisi. Tregojnë për Gjergj Volajn, se kur e ëma shkoi ta shohë para se ta pushkatonin, e luti atë, që “të qajë, jo për të birin e vuajtjet e tij, por për vuajtjet e kishës”!

Shtypi komunist shkruante pasi pushkatoheshin priftërinjtë se “ata kishin pohuar me gojën e tyre krimet e kryera si spiunë të Vatikanit dhe imperializmit”. Egërsia e komunistëve shqiptarë, i kaloi edhe ato që pësuan martirët e parë të krishterë. Kryeprifti i Katedrales së Tiranës, Dom Shtjefën Kurti dhe ai i Durrësit, Jozef Bonati, u pushkatuan pa asnjë proces.

Një prift ortodoks, Papa Pando, nga Fieri u pushkatua si spiun e tradhtar, sepse kishte kaluar në katolicizëm, në vitin 1943. Papa Petro Isaku, i misionit Katolik të Korçës, i cili qe emëruar prift në Kolegjin grek të Romës, u dënua me burgim të përjetshëm. Dënime dhe përndjekje, pësuan Agostin Spanu, Benardin Shllaku, Laka, Gurakuqi, Papa Josifi.

Papa Pandelejmonin e misionit Katolik në Pogradec, e masakruan në një pritë. E thirrën nga Fieri me një telegram fallso dhe e qëlluan, kur po udhëtonte. Pastaj e copëtuan trupin e tij, e futën në një thes dhe ia dërguan Misionit. Copa më e madhe, ishte koka. Në gojë komunistët i futën një biletë, ku shkruhej “Përse bëhesh partizan i Papës”?

Shumë priftërinj të tjerë shqiptarë, e kanë paguar me kokë besnikërinë e tyre ndaj Kishës. Në vitin 1948, komunistët nxorën një dekret, për krijimin e Kishës Skismatike Shqiptare, me qëllim që ta shkëpusin atë nga ndikimi i Vatikanit dhe ta venë në shërbim të regjimit. Shllaku e disa priftërinj të tjerë, u lanë të lirë me kusht, që ta pranonin projektin e statutit të ri të Kishës. Që atëherë pushuan përndjekjet ndaj kishës.

Ashpërsimi i terrorit kundër italianëve

Me 14 janar 1946, qeveria shqiptare e dëboi misionin konsullor dhe titullarin e saj, Turcatin. Madje, kur personeli i misionit po priste avionin në aeroport, këta u rrethuan nga ushtarë të armatosur, u kontrolluan valixhet, nga ku ju morën gjithçka të çmueshme, si 280.000 lira, që kishte pasur arka e misionit, 24 sterlina ari, të porositura për një familje italiane, nga një qytetar italian në Shqipëri.

Me 27 janar 1946, një urdhër i ministrit të Punëve Publike, bënte të mundur konfiskimin e të gjithave pasurive të italianëve, kundrejt një fature, që s’mbante as firme as vulë zyrtare. Pas largimit të Turcatit, rreth një mijë italianë të tjerë, mundën të riatdhesohen, por sërish shumë mjekë, mbetën ende këtu, “për nevoja të vendit”.

Më 1946, u mbajt plenumi V-të i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Aty, sekretari organizativ, Koçi Xoxe përjashtoi nga Byroja Politike, Sejfulla Malëshovën, nën akuzën e politikës reaksionare në fushën e jashtme, sidomos atë ekonomike. Ky kërkonte, që të përmirësoheshin marrëdhëniet me Perëndimin, për tolerancën ndaj Klerit Katolik, për ekonominë private, lënien të lirë të fushës së aksioneve, për kreditimin e biznesit, etj.

Atë kohë u arrestua Prof. Venanzio Lozzi, kirurgu i parë i spitalit të Tiranës, nëpunësit mjekësorë, Semproni dhe Armeni, ing. Ludovik Patrassi, drejtor i kantierit të naftës në Kuçovë, Dr. Antonio di Marchis, asistent i Prof. Lozzit, Dr. Rummo, mjek civil, ing. Gallo, ing. Agostione dhe industrialisti Masserini. Akuza e përbashkët ishte; “veprimtari kundër regjimit” dhe “sabotazh”, etj.

Prof. Lozzi që kishte fituar emër të mirë në popullin e kryeqytetit e më gjere u akuzua për kontrabandë floriri. Në të vërtetë atë e kishin parë të vizitonte legatën amerikanë dhe arqidioqezën e Durrësit (pra e quanin “spiun”). E patën lënë të shkonte të vizitonte familjen në Itali, me kusht që të mos rrinte gjatë atje.

Sapo u kthye këtu, e arrestuan nën akuzën se “kishte çuar në Itali, vlera dhe sende të çmueshme, me ndihmën e të shoqes”. Sipas prokurorit, ai kishte futur në barkun e italianëve të operuar, sende të çmueshme, si flori, bizhuteri, etj. Por në mungesë të provave, atë megjithatë e dënuan me pushkatim. Shumë italianë vuanin në burgje, në kushte tmerrësisht të këqija.

Edhe unë, bujtës i burgut politik

Mëngjesin e 10 prillit 1946, më thirri komisari. Pa më parë në sy, më dorëzoi një urdhër transferimi dhe një fletë udhëtimi. Destinacioni: Spitali Ushtarak i Tiranës. Më tha se duhej të nisesha menjëherë. Nuk më dha asnjë shpjegim tjetër. Pas një udhëtimi me një makinë të postës, përgjatë më shumë se 150 km., arrita në mbrëmje në kryeqytet. Në hyrje të qytetit, na ndalën në një postbllok, ku na kontrolluan letër-njoftimet.

Atëherë, s’mund të qëndroje as 24 orë diku, pa u paraqitur në polici. Vijuam rrugën për në hotelin “Continental”. Ende s’kisha zbritur valixhen time, kur m’u afruan dy ushtarakë, një kapiten dhe një rreshter të policisë ushtarake. Ende e kujtoj atë moment.

– “Doktor, ju lutem të vini në komandë, për të plotësuar disa formalitete. Ju shoqëroj unë. Makina na pret jashtë”.

– “Përse të vij në komandë, kur mund të sqaroj që këtu” – vërejta unë.

– “Jo, s’është e mundur, kemi gjysmë ore që po ju presim për këtë. Lutem vishuni dhe na shoqëroni”!- shtoi kapiteni prerë.

Dolëm nga hoteli dhe hipëm në një “Xhip” amerikan, që ishte parkuar para hotelit. Pas 10 minutash, ndalëm para një ndërtesë njëkatëshe, me dritare me kangjella hekuri. Makina u fut në oborrin e saj. Nëpërmjet një korridori, dolëm në një dhomë të madhe, ku qëndronte ulur pranë një tryeze, drejtori i Sigurimit i Tiranës.

Më lanë vetëm për vetëm me të, ashtu në këmbë. Pasi më këqyri nga koka te këmbët, më tha:

– “Ke armë me vete”?

Një polic ndërkohë më kontrolloi në trup dhe s’më gjeti gjë, përveç 250.000 lekëve dhe disa monedhave në flori (franga ari) që m’i kishin dhënë si rroga të prapambetura në Gjirokastër kohë më parë. Duke kujtuar se bëri një zbulim të madh, drejtori më pyeti:

– “Nga i ke këto para? Mos t’i kanë dhënë priftërinjtë për punën tende prej spiuni”?

– “S’është e vërtetë,- iu gjegja unë.- I kam fituar me punën time. Mund të pyesni komandën e Gjirokastrës për këtë”.

– “E dimë ne nga t’i marrim informacionet – më ndërpreu ai. -Por nuk janë vetëm këto, ka gjera më të rëndësishme, që duhet të na i sqarosh”. Pastaj ai dha disa porosi për një rreshter, i cili më çoi në një bodrum ,ku më mori orën, disa sende personale, rripin e pantallonave dhe më mbylli pas një porte me një dry të madh, duke më shtyrë e duke thënë: “Futu brenda, or kriminel fashist”!

Që nga ai çast, pushova së qeni për ta një krijesë njerëzore Qelia më ngjau me një ferr: katër mure prej graniti, dysheme prej çimentoje, dritare me hekura. Asgjë tjetër. Nga dritarja dhe plasat e derës, hynte të ftohtit. Ajri ishte plot lagështirë. Truri im, nisi të punojë me shpejtësi. Përse u gjenda në këtë burg?! Cilat prova ishin kundër meje? Nuk di sa kohë kaloi kështu, derisa sa më zuri gjumi.

Të nesërmen hyri në qeli një oficer tjetër, që më bëri po ato pyetje, si një ditë më parë. Më vonë e kuptova se policia sekrete politike në Shqipëri, (Sigurimi i Shtetit), kishte krijuar një mbikëqyrje të shumëfishtë dhe koncentrike, sipas të cilës, çdo roje ruhej vetë nga dikush tjetër e, çdo kontrollor kontrollohej nga të tjerë, askujt nuk i besohej, mosbesimi ishte i ndërsjellë, gabimet të pamundura dhe regjimi i pathyeshëm.

Pas ca kohe një polic jevg trupmadh më solli pak bukë misri dhe një supë bizelesh pa yndyrë ku mezi gjeje ndonjë kokërr brenda. Ushqimi vinte dy herë në ditë. Një herë në tri ditë sillnin cigare. Tërë natën dëgjoja ulërimat shtazarake, që vinin nga ana tjetër e korridorit, për shkak ë torturave që kryheshin aty dhe që më mbushnin plot frikë.

Dalëngadalë nisa ta marr veten. Bëja ecejake në dhomë, qëlloja me pëllëmbë e grusht muret, vetëm e vetëm që të ndjeja rrjedhjen e gjakut në trupin tim. Hapat e të burgosurve, tingëllima e çelësave, zërat e rojeve, ishin ato që ndjeja ditë për ditë. Më në fund, më morën në pyetje të rregullta.

– “Emri, mbiemri, atësia, etj. Na trego për jetën tënde, që nga fëmijëria deri sot. Në radhë të parë, duam të jesh i sinqertë, konkret, i saktë për veten tënde”. Donin të dinin gjithçka: ç’kishte bërë im atë, ku banonte familja ime, si i kishte kushtet ekonomike, përse e zgjodha profesionin e mjekut, ku kisha studiuar, etj., etj. Donin të dinin motivin e çdo veprimi timin. Vazhdoi kështu më shumë se tre orë.

– “Mjaft, shoqërojeni për në qeli”!- urdhëroi hetuesi.

– “Më fal një çast, zoti kapiten – ndërhyra unë – dua të di për çfarë akuzohem”?!

– “Tani për tani, s’mund të të them asgjë. Mund të shkosh”.

Kapiteni doli jashtë nga dhoma, pa më dëgjuar. Më thirrën sërish në dy të natës. U përsëriten të njëjtat pyetje. Flisja me njerëzillëk, ngadalë. Më pyetën se çmendoja për luftën, për kryeministrin, De Gasperi.

– “E urrej luftën, – i thashë, – De Gasperin nuk e njoh”.

Hetuesi mbante shënime.

– “Zoti kapiten – ngulmova sërish unë – për se ndodhem këtu? Kam dhjetë ditë, që përpiqem ta marr vesh. Po më ikën truri”?!

– “Po të ikën truri?! Truri po të ikën nga priftërinjtë dhe reaksionarët. Mund ta quani veten të vdekur, ata s’keni për t’i parë më kurrë”. Fliste me duar e shenja, i eksituar. E kuptova akuzën: lidhje me priftërinjtë dhe reaksionin. Kjo do të thonte dënim me vdekje! Hetimet vazhduan. Të nesërmen, para se të haja mëngjes, më thirrën në hetuesi.

– “Kemi të dhëna të sigurta, që je spiun i priftërinjve. Në se nuk do ta rëndosh gjendjen ku je, duhet të flasësh saktë dhe hapur. Na trego emrat e shqiptarëve dhe të huajve, që janë të lidhur me reaksionin. Po të dëgjoj”.

– “S’kam qenë spiun i askujt. Pra s’kam të tregoj ndonjë emër”.

– “Ashtu?! Nuk dini asgjë. Nuk njihni askënd”?

Hetimet u përsëritën gjithnjë e më shpesh. Më merrnin në orën 17 00 dhe më mbanin mbi tre orë së pyeturi. Me merrnin edhe në dy të natës, jo më pak se dy orë. Bëja të pamundurën për të rezistuar. E kuptova se hetuesit, nuk donin të gjenin të vërtetën, por kërkonin të mblidhnin materiale për të më inkriminuar mua patjetër. Më kishin gjetur një fotografi që e mbaja në valixhen time, ku kisha dalë së bashku me Patër Raffaele Muccno, që e kisha njohur në Korçë.

Po ashtu edhe disa tesha me yje, dhe grada që i mbaja kur isha bashkuar me partizanët. Mezi ia mbusha mendjen hetuesit që nuk bëhej fjalë për emblemën fashiste. Më kërkonin të deklaroja përse isha futur në ushtrinë italiane e cila kishte bërë krime kundër popullit shqiptar. Më kërkonin të dëshmoja për krimet që kishte kryer divizioni im. Memorie.al



Read it all at Bota Sot