Ekzekutimi i elitës ushtarake/ Nga Tuk Jakova te Temo Sejko, cila ishte skema e persekucionit në ushtri, eliminimi i 88 komisarëve

- Bota Sot

Ekzekutimi i elitës ushtarake/ Nga Tuk Jakova te Temo Sejko, cila ishte skema e persekucionit në ushtri, eliminimi i 88 komisarëve

Ndonëse regjimi që erdhi nga malet, iu solli shqiptarëve talonin, lufta që bënë partizanët meriton gjithnjë nderime pasi si luftë ajo ishte kundër pushtuesve të huaj. Ato që ndodhën pothuajse gjysmë shekulli më pas, kanë kundërthëniet e domethëniet e veta. Dënimi i pothuajse i të gjithë anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm që drejtoi Luftën Antifashiste dhe i të 86 komisarëve madhorë të asaj lufte , duke filluar nga ato të brigadave partizane deri te të divizioneve e korparmatave, është po tregues i regjimit antinjerëzor të Enver Hoxhës. Dhe ajo që evidentohet nga arsenalet dokumentare është se: Fillimisht u eliminua i gjithë lidershipi i Luftës partizane?!

Enver Hoxha si përgjegjës dhe regjimi i tij, eliminoi fillimisht pothuajse të gjithë lidershipin e ushtrisë partizane?! Se si e përse, kjo është çështje më vete dhe ende ha diskutime të mëdha, por fakt është që ai i eliminoi. Në Shtabin e Përgjithshëm të krijuar më 10 korrik të vitit 1943, major Abaz Kupin e dënoi me përjashtim nga shtabi, major Spiro Moisiun ish-Komandant i Shtabit të Përgjithshëm e liroi nga Ushtria, (nga ajo Ushtri të cilën ai e krijoi dhe komandoi), Baba Faje Martaneshin (Mustafa Xhanin) e vranë, Dali Ndreun zv.Komandantin e Shtabit të Përgjithshëm e pushkatoi, Dr. Ymer Dishnicën e dënoi, Ramadan Çitakun e dënoi, Mustafa Gjinishin e vrau në pabesi, Bedri Spahiun e dënoi, Sejfulla Malëshovën e dënoi, e më pas me kooptimet në Shtabin e Përgjithshëm të dy të tjerëve si kolonel Islam Radovickën e pushkatoi, gjeneralmajorin Mehmet Shehu ish Komandantin e Brigadës së parë partizane heroinë e vrau. Ky ishte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë partizane, i cili nga 13 anëtarë që kishte në krijimin e tij, 11 prej tyre Enver Hoxha i pushkatoi dhe dënoi. Rast i rrallë ky e i pa precedent ose i pa ndodhur kurrë në Historinë e Ushtrive Botërore. Ndërsa regjimi i Enver Hoxhës dhe vetë Komisari i Shtabit e më pas Komandanti i Ushtrisë Nacional Çlirimtare, të gjithë ata njerëz me vlera i sakatoi e i asgjësoi të gjithë.

Përveç Shtabit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe regjimi që ai ngriti dhe kryesoi, në memorien arkivore ekzistojnë edhe sot masat drakoniane ndaj kuadrove të ushtrisë partizane, komisarëve e komandantëve, veçanërisht ndaj atyre të rangjeve të larta, komisarë brigadash e më tej. Dhe objeksion i këtij shkrimi këtë radhë kemi vetëm komisarët e Luftës Antifashiste, herë tjetër do të shkruajmë për Komandantët e ekzekutuar.

Komisarët, e “meritojnë të evidentohen të parët” edhe për faktin se ata janë quajtur të “dritës së partisë” e ajo pjesë i eliminojë fizikisht e politikisht. Nxitës i këtij studimi u bë, një ish komisar brigade i socializmit, një ish kuadër i atij regjimi, që nuk po ia vë emrin e plotë, por vetëm Gani E., me të cilin patëm një debat për e mbi komisarët, i cili shkoi keq e për dreq, sepse qemë e mbetëm në pozicione të ndryshe, ai mbi rolin pozitiv të Komisarëve e unë në analizë të ngjarjeve historike i mëshoja idesë ka fati i komisarëve ka qenë i keq e me pasoja jetike për ta, ndërsa kontributi me besnikërinë ndaj partisë u është shpërblyer me mesa drakoniane. Duke u ndalur te niveli i tyre kulturor e profesional, që edhe ka lënë për të dëshiruar, komisarët përgjithësisht nuk kishin asgjë tjetër dalluese veç besnikërisë ndaj regjimit, shto në socializëm se komisarët kishin edhe disnivele kulturore e arsimore si në shkollimin e tyre ashtu edhe në atë shoqëror”. Edhe pas këtyre Komisar Gania mbeti në të tijën kundra, e nuk po i arkivoj mendimet e tij heretike. Secili mbajtëm pozicionin që menduam, por se ç’ishin komisarët dhe si veproi regjimi me ta, po i drejtohemi memories arkivore, e cila do të na japë edhe drejtësinë, qoftë edhe të atij debati.

Që fillimisht po them, (gjithnjë sipas arkivave), se mbi të gjitha qëndron ajo se komisarët (më se 90 për qind e tyre, për të mos thënë 100 për qind, në karakteristikat e tyre të punës kanë edhe “mjaft vepra sikur antiparti”), kane qenë besnikë si qeni të asaj partie që i shërbyen. Dhe dallim në këtë aspekt bëjnë komisarët, jo se komandantët e brigadave partizane e me pas të njësive të Ushtrisë ishin më pak besnikë ndaj regjimit, por se komandantët ishin më shumë teknikcienë dhe aftësitë e tyre profesionale ushtarake duhet thënë se prevalonin mbi Komisarët. Sido që ka qenë, objeksioni i këtij studimi janë komisarët.

Cili ishte përgjithësisht roli dhe fati i komisarëve të luftës?!

Pak a shumë në opinionin e kaluar roli i komisarëve të luftës pothuajse është i ditur, pavarësisht se dikur nuk ua mbante njeriu të shprehej. Megjithatë le t’i drejtohemi fakteve:

Deri në mbarimin e Luftës Antifashiste, ish Partia Komuniste në Shtabin Partizan dhe Komandën e Përgjithshme të asaj ushtrie, vetëm komisarë e zv. komisarë brigadash, divizionesh e korparmate, me një llogari të thjeshtë kishte më se 100 komisarë. Flasim për komisarë brigadash, divizionesh e korparmatash, pa përfshirë komisarët e rangjeve më të ulëta në nivele batalionesh e kompanish. Nga këta Komisarë të Luftës që rezulton se ishin personalitete, fizikisht deri në vitin 1980, (flasim për ato te Luftës Antifashiste), arritën gjallë as edhe 20 vetë. Të tjerët i vrau e dënoi Komisari i Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandanti i tyre, Enver Hoxha.

Përse, çfarë bënë ata që i pushkatuan dhe i dënuan?! A mos ata qenë disidentë të vijës së partisë që përfaqësonin? Absolutisht jo! A mos gabuan me direktivat e regjimit?! As kjo nuk qëndron! Mund të bënim shumë pyetje por ajo që predominon është se herë pas here puna e tyre nuk i vinte për josh Enver Hoxhës dhe regjimit. Kjo i dënoi e pushkatoi se ceduan. Me një fjalë, ata gjithë jetën folën e propaganduan për Luftën e Atdheun dhe në fund ose hëngrën kokrrën e plumbit ose u dënuan ose u çuan në origjinën e vjetër në fshat me 9-të mishat e “mishat” e tjerë. Më mirë se sa deduksioneve le tua lemë fjalën dokumenteve arkivore, fakteve se sa dhe cilët Komisarë pushkatoi dhe dënoi Enver Hoxha. Le te ndalemi te objeksioni, te Komisaret e Brigadave, te Divizioneve dhe te Korparmatave, te fati i tyre gjatë Luftës e pas Luftës….I paraqesim me radhë sipas brigadave partizane:

Ja komisarët e brigadave e të divizioneve që vrau e dënoi regjimi i Enver Hoxhës

Siç e përmendëm, Komisarët nuk kanë qenë disidentë, por se kane ceduar me politikën e regjimit e të diktatorit. Ja t’i marrim një e nga një njësitë luftarake partizane të Luftës Antifashiste. Nga Brigada e 1-rë: Tuk Jakova Komisar i Brigadës i dënuar. Arif Hasko, Komisari Brigadës pas Tuk Jakovës i dënuar. Nga Brigada e 2-të: Vasil Konomi Komisar i Brigadës i dënuar, Kiço Ngjela zv. Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 3-të: Shahin Ruka Komisar i Brigadës i dënuar, Vasil Nathanaili zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 4-të: Pëllumb Dishnica Komisar i brigadës i dënuar. Nga Brigada e 5-të dhe e 6-të nuk ka pasur Komisarë të sajë të dënuar veçse po të konsiderojmë letrën akuzë të Vito Kapos se “Hysni Kapon ish Komisar i Brigadës së 5-të, e kanë vrarë”. Nga Brigada e 7-të: Kadri Hoxha Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 8-të: Rrahman Parllaku zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 9- të:Mihallaq Ziçishti Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 10-të: Mane Nishova Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 11-të: Halil Pulo Komisari Brigadës i dënuar, Dilaver Poçi zv.Komisar i Brigadës i dënuar (përjashtuar nga Ushtria). Nga Brigada e 12-të: Qemal Klosi Komisar i Brigadës i dënuar, Rrahman Parllaku, zv.Komisari Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 15-të: Shahin Ruka Komisar i Brigadës i dënuar, Vaskë Koleci zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 16-të: Abdyl Këllezi Komisar i Brigadës i pushkatuar, më pas Sofo Papajani Komisar i Brigadës i dënuar, Myzafer Trebeshina zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 17-të: Ndreci Plasari zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 18-të: Teme Sejko zv.Komisar i Brigadës i pushkatuar, Miço Kallamata Komisar i Brigadës i dënuar, Ilmi Çausholli Komisar i Brigadës i dënuar, Sotir Vullkani zv.Komisar i Brigadës i dënuar, Milo Qirko zv.Komisar i dënuar. Nga Brigada e 19-të: Vangjo Mitrojorgji Komisar i Brigadës i dënuar, Lefter Kasneci zv.Komisar i Brigadës i dënuar, Spiro Xhai zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 20-të: Llambi Premti Komisar i Brigadës i dënuar, Nuri Resnja zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 22-të: Tonin Jakova Komisar i Brigadës i dënuar, Nimet Ymeri zv.Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 23-të: Xhavit Qesja Komisar i Brigadës i dënuar, Mërkur Çela Komisar i Brigadës i dënuar, Abedin Shehu Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 25-të: Nuri Arapi Komisar i Brigadës i dënuar, Sadik Bekteshi Komisar i Brigadës i dënuar. Nga Brigada e 27-të: Sadik Bekteshi Komisar i Brigadës i dënuar.

Nga Divizionet. Divizioni i I-rë: Tuk Jakova Komisar i Divizionit i dënuar, Liri Gega zv.Komisare e Divizionit e pushkatuar. Nga Divizioni i II-të: Kristo Themelko Komisar i Divizionit i dënuar. Nga Divizioni i III-të: Pandi Kristo Komisar i Divizionit i dënuar. Nga Divizioni i IVt: Pëllumb Dishnica Komisar i Divizionit i dënuar, Isuf Keçi Komisar i Divizioniti dënuar.

Nga Korparmatat. Korparmata e II-të: Kristo Themelko Komisar i Koparmatës i dënuar. Nga Korparmata e III-të: Tuk Jakova Komisar i Korparmatës i dënuar.

Dhe pas gjithë kësaj rezymeje dokumentare, secili që ka dy “pare mend” e kupton se si e pësuan nga Enver Hoxha ata që i dhanë gjithçka Luftës e Partisë Komuniste, ata që me propagandën e bërë për të, për Enver Hoxhën, që e ngritën në zenith e ai Enver Hoxha i shkoi të gjithë në satër. Këtë radhë po i botoj me emër e mbiemër dhe funksione Komisarët e Luftës që i eliminojë Enver Hoxha, me qëllim që beniaminët e tij që ende ekzistojnë të mos kenë më nga të lëvizin duke e “justifikuar” krimin dhe krimet e “udhëheqësit të dashur të partisë e të popullit”. Ja ky ishte Enver Hoxha “lakuriq”, që vrau njerëzit më të afërt të tij, ata që e ngritën dhe e udhëhoqën popullin në Luftën çlirimtare, Komisarët.

Dhe për sarkazëm në çdo ditë përkujtimore të dëshmorëve, te varrezat e tyre gjenden edhe nostalgjikët e qoftëlargut madje me fotografinë e tij në dorë. Po a nuk do qe më kuptimplotë që atë fotografi ta çonin “në ballafaqim” me çdo varr ish-komisari (nëse kanë) te ato Komisarët që unë më sipër u a përmenda emrat një e nga një, vlera njerëzore që Enver Hoxha i ka pushkatuar e dënuar me burgje të gjata, internime e degradime. Por nostalgjikët e mbetur nuk shkojnë te ato varre, por te ai tashmë imagjinar i kriminelit Enver Hoxha. Për pa integritetin e tyre, shkojnë te partizanët dëshmorë, që i udhëhoqën e i edukuan këto Komisarë që vrau Enveri dhe jo pak por mbi 98 për qind të tyre. A ka sarkazëm më të madhe!

Përse ky fat i zi për komisarët madhorë partizanë?!

Në këtë lidership, kokat e të cilëve gati tërësisht e rregullisht u hodhën në këmbët e diktatorit me egërsi dhe pa arsye, bënin pjesë gjeneralët, oficerët e lartë dhe intelektualët më të mirë të Ushtrisë Shqiptare. Kjo farë, kjo pyllësi e begatë u prish dhe u shkatërrua rregullisht, pasi ata përbënte trurin e Ushtrisë e për rrjedhojë, edhe një rrezik për udhëheqjen diktatoriale, ndërsa kësaj të fundit i nevojitej një trupë e verbër e një vegël e armatosur, për ta mbajtur atë në çdo rast nën tutelë. Kjo është apologjia e vërtetë dhe historia e persekucionit të Ushtrisë Shqiptare përfshi edhe Komisarët e sajë ish partizanë. Rrënjët e këtij persekucioni gjenden thellë në vitet e Luftës Antifashiste, duke u intensifikuar ngjethshëm në periudhën e shtetit totalitar, që shtrihet në hapësirën kohore 50 vjeçare të diktaturës.

Me dokumente zbulohen mënyrat e klasifikimit të atyre që goditeshin; si përfundim del se deviza e veprimit të persekucionit të regjimit ishte se ushtarakët e vjetër, të arsimuarit jashtë, në Perëndim apo edhe në Lindje, si dhe intelektualët e ushtrisë, medoemos konceptoheshin heshturazi edhe ishin kundërshtarë prandaj eliminoheshin herë pas here, pjesë- pjesë e individualisht. Një natyrë e tillë veprimi hap pas hapi dhe vit pas viti, çoi gradualisht në një holokaust për përmasat territoriale dhe njerëzore të Shqipërisë.

Ndërkohë, në ato që thamë spikat qartë dhe evidentohet saktë se ideja dhe arsyeja e këtij kalvari të ushtarakeve te shquar komisarë të regjimit, duhet kërkuar edhe diku tjetër, te synimi për të sajuar dhe ngritur një tabu për superstrategun, që udhëhoqi dhe drejtoi edhe në planin ushtarak luftën dhe ushtrinë në Luftën Antifashiste. Kështu del se Komisarët ushtarakët e mirëfilltë vetëm sa kishin zbatuar symbyllurazi idetë, planet dhe urdhrat e tij “gjeniale”. Për të liderët e ushtrisë nuk kishin asnjë vlerë krijuese, kjo është kaq paradoksale dhe e pabesueshme, por fatkeqësisht ishte glorifikuar dhe servirur zyrtarisht si një e vërtetë e padiskutueshme nga instancat e larta zyrtare. Skema e persekucionit në ushtri, shkonte nga eliminimi fizik, te burgosjet, internimet e deri tek përjashtimet nga partia apo lirimet nga ushtria, që këto të fundit rezultojnë si më të lehta ndaj Komisarëve. Evidencimi apo skicimi dhe karakterizimi i disa figurave tepër të njohura të Komisareve nga lista mjaft e gjatë emërore, përshkruan në vetvete ferrin perspektiv. Njëkohësisht përmes emrave theksohet fort fakti që Ushta Shqiptare ka pasur në çdo kohë personalitete të vërteta, me formim e aftësi të lartë bashkëkohore. Paraqitja dokumentare se si është lozur me jetën e Komisareve, të bind për vërtetësinë përfundimtare se “kur Enveri, dënoi Komisarët më të dashurit e tij, qe e bënë hero e monument heroizmi, të tjerët nuk u fuste në llogari”. Dhe kështu vërtet shkoi ajo punë me Komisarët por edhe me Komandantët e kuadrot e tjerë të lartë të këtij vendi, që do ti botojmë në vijim.

Autori: Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes



Read it all at Bota Sot