Lavrov: Rusia nuk i refuzon kontaktet me SHBA-në

- Bota Sot

Lavrov: Rusia nuk i refuzon kontaktet me SHBA-në

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov deklaroi se ata nuk i refuzojnë kontaktet me SHBA-ne.

Në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse thuhet se Lavrov gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana u takua me presidentin e Kazakistanit, Kasım Jomert Tokayev dhe ministrin e Jashtëm, Murat Nurtleu.

Lavrov dhe Nurtleu nënshkruan planin për bashkëpunim mes dy ministrive në periudhën 2025-2026. Lavrov tha se gjatë takimeve me Tokayev dhe Nurtleu, janë diskutuar çështjet lidhur me përgatitjet për vizitën e presidentit rus Vladimir Putin në Astana më 27 nëntor, marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi në platformat euroaziatike.

I pyetur për kontaktet e Rusisë me administratën e re amerikane, Lavrov tha: “Ne kurrë nuk i kemi refuzuar kontaktet me askënd. Putini gjithmonë shpreh këtë qasje. Të flasësh është gjithmonë më mirë se të jesh i izoluar”.

Ai shtoi se problemet në marrëdhëniet me SHBA-në janë “të thella”.

“Elita amerikane përqafon ideologjinë e shkeljes së rivalëve në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që të mos shfaqet askush që vë në dyshim dominimin amerikan. Kjo ideologji vazhdon të ekzistojë mes amerikanëve. Do të shohim nëse do të ketë oferta të reja”, tha Lavrov duke shtuar:

“Nuk jemi ne ata që i prishim këto marrëdhënie. Prandaj, nuk na takon neve të propozojmë rigjallërimin e këtyre marrëdhënieve. Megjithatë, nëse ka një iniciativë për t’u konsultuar se ku jemi dhe në cilin drejtim do të lëvizim, ne do t’i përgjigjemi kësaj”.

Duke u ndalur në çështjen e emërimit të ambasadorëve të Rusisë dhe SHBA-së, Lavrov tha se administrata amerikane do të dëshironte të emëronte ambasadorin e saj të ri në Rusi. “Ne nuk do të vendosim asnjë pengesë në këtë drejtim”, tha ai.

Lavrov potencoi se së shpejti do të përfundojë procesi për emërimin e ambasadorit të ri rus në SHBA.



Read it all at Bota Sot