Çfarë nënkupton fitorja e Presidentit të zgjedhur Trump për NATO-n dhe Evropën?

- Bota Sot

Çfarë nënkupton fitorja e Presidentit të zgjedhur Trump për NATO-n dhe Evropën?

Aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë po debatojnë se çfarë do të thotë fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane për sigurinë dhe ekonominë e tyre. Mandati i parë i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë u karakterizua nga marrëdhënie shpesh të tensionuara me partnerët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgewell, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shtuar shqetësimet e Evropës mbi aleancën transatlantike.

Rreth 50 udhëheqës u takuan në Budapest të enjten për një konferencë të Komunitetit Politik Evropian, themeluar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Presidenti francez Emmanuel Macron thotë se Evropa duhet të mbrojë interesat e saj ndërkohë që fillojnë përgatitjet për mandatin e ardhshëm të zotit Trump në Shtetet e Bashkuara.

“Ai do të mbrojë interesat e popullit amerikan dhe kjo është një gjë legjitime dhe e mirë. Çështja është, a jemi ne të gatshëm të mbrojmë interesat e evropianëve?” deklaroi Presidenti Macron.

Aleanca e NATO-s mbetet shtylla kryesore e sigurisë së Evropës përballë sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Ndërlikimi i parë për aleancën është se si të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën nëse Shtetet e Bashkuara vendosin të tërheqin ndihmën ushtarake”, thotë Ed Arnold i institutit britanik “Royal United Services”.

A mund ta plotësojë Evropa këtë hendek?

“Po, por Evropa duhet të përpiqet shumë më tepër në këtë drejtim”, thotë analisti Ian Bond nga Qendra për Reformën Evropiane.

Gjatë fushatës, zoti Trump tha se do t’i japë fund luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës që “në ditën e parë” – por pa dhënë detaje se si do ta bënte një gjë të tillë. Analistët thonë se Ukraina ka frikë se do të detyrohet të hyjë në një marrëveshje të pafavorshme paqeje.

“Njëri prej shqetësimeve është se disa në Evropë mund të shtrojnë pyetjen se përse t’i shtojmë ndihmat nëse së shpejti do të ketë një marrëveshje të negociuar?”, thotë analisti Arnold.

Ish zyrtarët amerikanë thonë se gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump shqyrtoi mundësinë që të tërhiqte Shtetet e Bashkuara tërësisht nga NATO-ja.

“Mendoj se atij i pëlqen ideja që si aleatët ashtu edhe kundërshtarët e tij, të mos i parashikojnë dot veprimet e tij. Mendoj se ai e konsideron këtë si përparësi të tij, si burim të fuqisë së tij”, thotë analisti i politikës së jashtme amerikane pranë Universitetit të Londrës, Jonathan Monten.

Por Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte – i cili po ashtu po mori pjesë në takimin e Budapestit – vlerësoi zotin Trump që nxiti aleatët të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

“Si president, ishte ai që na nxiti në NATO të shpenzojmë mbi 2 për qind të produktit kombëtar bruto për të përmbushur detyrimin minimal”, deklaroi ai.

Aleatët e Shteteve të Bashkuara mund të ballafaqohen me shqetësime ekonomike kur zoti Trump të fillojë mandatin në Shtëpinë e Bardhë.

“Deklaratat apo pretendimet e zotit Trump për vendosjen e tarifave mbi 60 për qind importeve nga Kina do të kenë një ndikim shumë të madh në tregtinë botërore. Do të ketë pasoja për Evropën, Britaninë e Madhe dhe vendet tjera. Tarifat ndaj importeve nga BE-ja janë po ashtu të pritshme”, thotë analisti Garret Martin nga Universiteti Amerikan në Uashington.

Në përgjithësi, në Evropë ka një ndjesi nervozizmi para mandatit të dytë presidencial të zotit Donald Trump. Analistët thonë se fakti që ai është i paparashikueshëm nënkupton se udhëheqësit nuk kanë mundësi as të përgatiten.



Read it all at Bota Sot