Gazetari serb: Nuk pres asgjë nga administrata Trump në dialog, janë të paaftë

- Bota Sot

Gazetari serb: Nuk pres asgjë nga administrata Trump në dialog, janë të paaftë

Gazetari serb, Branko Çeçen në një bisedë ka thënë që presidenti i ardhshëm amerikan, Donald Trump është shumë miqësor me presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas tij, kjo është arsyeja që Trump  gëzon përkrahje të madhe në Beograd.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte ndër liderët e parë që e uroi Donald Trumpin për fitoren e zgjedhjeve ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Madje i pari i Serbisë njoftoi se kishte pasur një bisedë të shkëlqyer në telefon me liderin republikan.

E nëpër rrugët e Beogradit dhe Novi Sadit janë parë disa pankarta me figurën e Donald Trump dhe me sloganin ku shkruhej bëjeni “Serbinë të madhe sërish”.

Gazetari serb, Branko Çeçen, tregon arsyet se pse presidenti Trump është kaq i popullarizuar në Serbi.

“Trump është shumë miqësor me Vladimir Putinin, i cili është figura më popullore në Serbi, madje i krahasueshëm edhe me Aleksandar Vuciqin. Serbët tani mendojnë se Trump do i ndryshoj gjërat dhe se serbët nuk do të jenë më viktima të lojërave gjeopolitike ashtu siç pretendojnë. Mediet në Serbi vazhdimisht e kanë lavdëruar Trumpin dhe Putinin, sepse Serbia gjithashtu ka një lider populist. Unë konsideroj që këta tre përbëjnë rrezik serioz për demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut” , ka deklaruar ai.

Çeçen nuk pret që kjo administratë e udhëhequr nga Trump të ketë ndikim pozitiv në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, republikanët në të kaluarën patën një qasje të gabuar në dialog duke imponuar marrëveshje sipërfaqësore mes të dyja vendeve.

“Edhe ndërkombëtaret kanë përgjegjësi për këtë status-quo në mes të Kosovës dhe Serbisë sepse në këtë çështje përfshihen shumë interesa. Mirëpo ne kemi parë më herët përpjekje nga Grenell dhe njerëz të tjerë të paaftë duke bërë më shumë dëm sesa mirë në këtë proces. Administrata Trump më herët synonte të bënte marrëveshje të lehta dhe sipërfaqësore por këto gjëra kështu nuk funksionojnë në  një dialog kaq kompleks. Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë më këtë administratë, por për mua këta njerëz nuk janë shumë kompetent. Në anën tjetër shpresoj shumë që Kosova dhe Serbia të bëjnë përpjekje serioze për normalizim të marrëdhënieve”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me administratën e re amerikane.

Kujtojmë që Kurti e pati quajtur “puç” rrëzimin e Qeverisë së tij të parë, duke akuzuar drejtpërdrejtë ish të dërguarin e posaçëm të Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për ndërhyrje në punët e brendshme.



Read it all at Bota Sot