Gazetari nga Serbia thotë se Radoiçiq nuk dorëzohet në Kosovë

- Bota Sot

Gazetari nga Serbia thotë se Radoiçiq nuk dorëzohet në Kosovë

Në një intervistë rrejtori i deskut të Informacionit në televizionin Nova të Serbisë, Slobodan Georgiev, ka thënë se deri në pranverën e vitit 2025, nuk pritet të ketë risi në dialog midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, ardhja e presidentit Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të ketë fokus Ballkanin Perëndimor.

Para tri javësh kryenogaciatorët, ai i Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel.

Por takim të tillë nuk ka tash e disa muaj midis kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Drejtori i deskut informativ në televizionin Nova të Serbisë, Slobodan Georgiev thotëse dialogu midis dy vendeve mund të nis në pranverë.

“Do ta shohim dikur në pranverë. Më duket se deri në atë çast asgjë speciale në dialog s’do të ndodhë. Në fokus janë edhe ndryshimet në Bashkimin Evropian. Në tryezë është formimi i Komisionit Evropian, do të shohim edhe emisaren e re për zgjerim e cila vjen nga Sllovenia, do të shohim çfarë do të bëjë ajo,  do të shohim çfarë do të bëjë edhe ajo që vjen nga Estonia. Pra dikur në pranverë mund të shohim shenjat se çfarë planifikojnë të bëjnë rreth dialogut administrata e re në Uashington dhe Komisioni i ri Evropian”, ka deklaruar ai.

Georgiev thotë se nëse Kosova dëshiron të ketë partneritet të besueshëm me faktorin ndërkombëtar, duhet të përmbush obligimet e marrëveshjeve të arritura deri më tani me Serbinë.

“Nëse Kosova dëshiron të dëshmohet si partnere e besueshme në Perëndim duhet t’i përmbushë obligimet. Është obligim i qeverisë në Prishtinë, të cilin duhet ta përmbushë. Kur do ta përmbushë, kjo është pikëpyetje. Me sa kuptoj, atje në Kosovë do të ketë zgjedhje. Do të shohim si do të kalojnë zgjedhjet në veri, çfarë plani ka për ato komuna. A do të ketë mundësi të bëhet një situatë normale në veri, a do të marrin pjesë shumica e asaj pjese në zgjedhje që të shohim rezultate të vërteta.”

E sipas tij, Millan Radoiçiq nuk pritet t’i dorëzohen organeve të drejtësisë në Kosovë, meqë ai thotë se ndikimi i tij në politikën e Beogradit, është i madh.

“Jo. Kjo s’do të ndodhë. Sepse kjo do të shihej sikur Serbia pranon Kosovën. Pra nuk e besoj këtë. Kjo është njëra arsye, e tjetra arsye është që Milan Radoiçiq është mjaft i fuqishëm  këtu në Serbi, e shihet që e kemi të rëndë edhe ta burgosim atë. Ai ka ardhur vetë ka dhënë deklaratë, dhe ka vazhduar të jetojë. Jeton dhe shijon gjithçka. Kështu që mendoj se Prishtina mund të kërkojë, nuk besoj se kjo do të ndodhë”, ka pohuar ai.

Gazetari nga Beogradi kërkoi nga qeveria të ketë një politikë demokratike për serbët në katër komunat veriore, për të larguar ndikimin e Vuçiqit në Kosovë.

“Mendoj që do të ishte më mirë që në Prishtinë pak të bëhen më të mençur, që të bisedohet me serbët si palë të barabarta, e mos t’i shohin gjithmonë si instrument i qeverisë së Beogradit. Prishtina vazhdimisht diskuton me po atë Beograd, e nëse ky Beogradi na qenka aq i zi, pse diskutojnë me ta”.

Slobodan Geogiev theksoi se Kosova duhet të implementojë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.



Read it all at Bota Sot