80 vjetori që na kujton dhe na fton të mbrojmë lirinë!

- Bota Sot

80 vjetori që na kujton dhe na fton të mbrojmë lirinë!

80 vjet më parë, më 17 nëntor 1944, Tirana u zgjuar e përgjakur nga trupat e intelektualëve të Tiranës, të vrarë nga barbarët komunistë, vetëm pse ata nuk ishin komunistë. 80 vjet më vonë, sot, kremtohet 80-vjetori i vrasjes së tyre përballë murit ideologjik të diktaturës, të rikrijuar në emër të "demokracisë", pa dhënë llogari për krimet që kishte bërë Partia Komuniste Shqiptare. Pas 80 vjetësh, këta intelektualë nuk kanë as një varr. Sot, shumicës prej tyre nuk u është dhënë dëmshpërblimi, pasi nuk janë vrarë pas 25 tetorit, një arsyetim banal dhe klasor që vetëm klasa politike shqiptare, e formuar nga mbeturinat e komunizmit që kishin zënë kolltuqet e legjislativit shqiptar, mund ta bënte.

Sot, shoqëria shqiptare është e ndarë në mënyrë të pashmangshme në antikomunistë dhe komunistë, të cilët e kanë nderuar emrin si socialistë. Ku po shkon Shqipëria? Kujt i intereson kjo ndarje? Pse antikomunistët duhet të përballen me urrejtjen klasore të pasardhësve të diktaturës? Pse nuk e shembim këtë mur, siç u shemb muri i Berlinit 35 vjet më parë? A po përballemi ne me të kaluarën tonë si shoqëri dhe si komb?

Vëllavrasjet e shumta që shkaktoi Lufta e Dytë Botërore për marrjen e pushtetit nga komunistët, arratisjet e shumë shqiptarëve antikomunistë, që e dinin stuhinë që po vinte, ishin të ndërgjegjshëm se çështja shqiptare ishte shitur tek ata që shërbenin antishqiptarëve. Vrasjet e pafundme pa gjyq, arrestimet, dënimet, pushkatimet, rezistenca në male, djegiet e kullave, shpronësimet, zbatimi i dhunshëm i shtëpive, rrëmbimi i pasurive të arit, internimet masive të familjeve, gra, pleq e fëmijë të elitës shqiptare, e shndërruan pesëdhjetëvjeçarin e pushtetit diktatorial në një faqe të zezë dhe makabre të një genocidi ende të panjohur për botën demokratike. Të mos heshtësh përpara së keqes është një mision. Ky mision kombëtar është emergjent për shoqërinë tonë, në këtë periudhë postkomuniste, ku diktatura ka mbetur legjitime e pa u dënuar.

80-vjetori i vrasjes makabre të elitës së kombit, siç ishin 39 intelektualët e Tiranës të vitit 1944, na kujton dhe na obligon: dënimin e krimeve komuniste juridikisht, siç e kërkon Europa, siç e kërkojnë konventat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut. Demokracia nuk është për të mbrojtur krimin, por për ta dënuar atë, që të mos përsëritet. Në një shoqëri normale dhe demokratike, ata që i shërbyen diktaturës nuk mund të kenë referencë morale për të qenë udhëheqës politikë në një sistem demokratik.

Por, çfarë ndodhi pas 34 vjetësh pluralizmi në Shqipëri? Partia Komuniste, përgjegjëse direkt për krime, ndryshoi emrin dhe nuk u penalizua ligjërisht për krimet ndaj kombit të vet. Klasa politike shqiptare, si produkt i diktaturës, ktheu në ligje datat selektive të diktaturës, siç janë 5 maji, 17 nëntori dhe 29 nëntori, që shënojnë vendosjen e regjimit diktatorial në Shqipëri. Partia që ndryshoi emrin, sot është mazhoranca e vendit dhe po përgatitet të kremtojë 80-vjetorin e të ashtuquajtur "çlirimi" dhe rehabilitimin e diktatorit Enver Hoxha. Këto data nuk janë aspak në shërbim të së vërtetës dhe shoqërisë, por janë mbrojtje politike për sistemin diktatorial në Shqipëri.

E vërteta, e dokumentuar edhe nga arkivat e huaja, është ndryshe. Lufta kundër fashizmit dhe nazizmit u bë nga shqiptarët, pa dallim feje, krahinë apo ideje. Ajo luftë u vadit me gjakun e tij nga ushtaraku i Mbretërisë Shqiptare, Mujo Ulqinaku, dhe Abas Kupi me trimat e tij, si dhe trimi i Vlorës, ballisti Hysni Lepenica. Pra, ishin shqiptarët pa ideologjinë komuniste ata që e rreshtuan vendin e tyre në koalicionin botëror kundër diktaturave të asaj kohe. Komunistët luftuan për marrjen e pushtetit me sloganet e diktatorit rus, "Bijtë e Stalinit jemi ne", dhe e realizuan misionin e tyre fatkeq më 29 nëntor 1944, kur instaluan diktaturën dhe diktatorin më të lig të Europës në pushtet.

Kjo diktaturë vrau mbi 6000 shqiptarë dhe e rrënoi vendin për 45 vjet. 17 dhe 29 nëntori 1944 janë ditët më të zeza për Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse ato shkëputën Shqipërinë nga Europa dhe ne humbëm shansin për të qenë një vend demokratik. E vërteta dhe shoqëria duhet t’i çjerrin maskat deformuesve, nostalgjikëve dhe enveristëve që na dalin si kërpudha pas shiut. Diktatori Enver Hoxha është në historinë e popullit shqiptar si Pol Pot i Kamboxhës dhe Stalini i fundit në shekullin e kaluar. Ai do të njihet në histori për vrasjet që i bëri kombit të tij. Nuk ka historian që mund ta shpëtojë.

Është koha që të gjithë forcat antikomuniste, institucionet fetare, partitë, intelektualët me mendim liberal, dhe mediat progresive të reagojnë të bashkuar ndaj kësaj përpjekjeje të mbarsur me moral pervers që po kërkon t’i serviret dhe t’i imponohet brezit të ri. Helmatisja e brezit të ri me ideologjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike.

Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje duhet konsideruar tradhti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan për liri e demokraci. Mesazhi përkujtues i 80-vjetorit të vrasjes së intelektualëve të Tiranës përmbledh dy çështje madhore për antikomunistët dhe të përndjekurit politikë të Shqipërisë, dhe për shqiptarët në përgjithësi:

E para, të luftojmë kundër harresës. Harresa është vdekja e dytë e viktimës. Komunistët kanë vrarë mbi 6000 burra e gra dhe u kanë zhdukur kufomat. Por, po të harrojmë sakrificat e tyre, dëshmorët do të vdesin përfundimisht, dhe po të ndodhë kjo, ne të gjithë jemi përgjegjës. Me rikujtimin e tyre, ne i shpëtojmë ata nga vdekja e përhershme, heronjtë, dëshmorët dhe viktimat. Na që i mbijetuam katastrofës kolektive të terrorit të kuq, e kemi për detyrë. Ne duhet çdo ditë të ballafaqohemi përpara shoqërisë me të vërtetën, përpara hipokrizisë, mashtrimit dhe gënjeshtrës komuniste, kësaj helmatisjeje antikombëtare.

E dyta, është fare e qartë se askush nuk shqetësohet për fatin e të përndjekurve politikë. Ajo që na mbetet është solidariteti mes nesh. Solidariteti njerëzor është forma më sublime e dashurisë për njëri-tjetrin, e mirëkuptimit dhe ndihmës së ndërsjelltë. Të japim dorën njëri-tjetrit, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ka sot me mijëra ish-të përndjekur politikë që kanë mbetur në rrugë, pa familje, pa fëmijë, pa shtëpi. Kjo masë fatmjerësh është turpi i pushtetit politik sot në Shqipëri. Na bie detyra kombëtare të shkatërrojmë murin politik dhe klasor që ka ndërtuar prej 34 vitesh klasa politike shqiptare kundrejt familjeve dhe fëmijëve tanë. Asnjë i përndjekur politik nuk lejohet të jetë në administratë apo institucione të shtetit shqiptar. Ky është krimi i dytë klasor ndaj të përndjekurve politikë shqiptarë.

Ne duhet të punojmë me solidaritet mes njëri-tjetrit për të ardhmen e fëmijëve tanë. Të themi "ndal" revansheve ideologjike që na shfaqen me kostume demokratike. Shqipëria, atdheu i të gjithë shqiptarëve, i përket demokracisë dhe jo të kaluarës diktatoriale. Grupi parlamentar i opozitës duhet të organizohet brenda këtij sesioni parlamentar për të aprovuar Ditën e Kujtesës Kombëtare dhe për të dënuar me ligj krimet e komunizmit, ashtu siç ka vepruar Europa pas Luftës së Ftohtë, pas shembjes së Murit të Berlinit. Dhe mos ta harrojmë fjalën e një të burgosuri politik spanjoll: "Mos e mbyllni librin e krimeve komuniste derisa çdo rresht, çdo faqe të lexohet nga të gjithë." Ky është një mesazh që vlen për shoqërinë shqiptare!

Lavdi dhe krenari për intelektualët e kombit shqiptar, që me veprën e tyre ndaj kombit, na drejtojnë dhe na ftojnë të mbrojmë lirinë dhe shenjtërinë e saj!

Besim NDREGJONI



Read it all at Bota Sot