Viktimat e represionit rus nderohen me çmimet “Magnitsky”

- Bota Sot

Viktimat e represionit rus nderohen me çmimet “Magnitsky”

LONDËR – Që nga viti 2015, aktivistët për të drejtat e njeriut në Rusi janë mbledhur në Londër çdo nëntor për të prezantuar Çmimet për të Drejtat e Njeriut ‘Magnitsky’, që nderon individë që kanë shfaqur guxim në luftën e tyre për të drejtat e njeriut dhe kundër korrupsionit.

Figura si Boris Nemtsov, Jamal Khashoggi dhe Maria Ressa janë në mes të fituesve të këtij çmimi.

Këtë vit, e veja e udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny, Yulia Navalnya u nderua për guximin e treguar nën trysni, si edhe për kontributin, sakrificat dhe qëndrueshmërinë që ka shfaqur ajo dhe familja e saj ndër vite.

Udhëheqësi rus i opozitës Alexey Navalny vdiq në një burg të izoluar në Arktik në muajin shkurt. Familja dhe bashkëpunëtorët e tij besojnë se ai ishte helmuar.

Ai mendohet se duhej të ishte pjesë e grupit të të liruarve që u këmbyen me të burgosurit rusë gjatë verës. Në mesin e tyre ishte aktivisti tjetër rus Vladimir Kara-Murza, i cili i prezantoi zonjës Navalnaya çmimin në javën e kaluar në Londër.

Çmimi mban emrin e avokatit rus Sergei Magnitsky, i cili në rolin e tij si specialist taksash me firmën ‘Hermitage Capital Management’ të themeluar nga William Browder, ekspozoi korrupsionin e zyrtarëve qeveritarë rusë.

Zoti Magnitsky u arrestua në vitin 2008. Ai u dhunua fizikisht dhe nuk iu dha përkujdesje e duhur mjekësore në burg, ku vdiq një vit më vonë.

“Emocionet janë gjithmonë të gjallakur ke të bësh me vrasje, torturë, keqtrajtim. Pavarësisht se çfarë ndodh, kemi të bëjmë me disa çështje shumë serioze dhe shumë të trishtuara, por lirimi i Vladimir Kara-Murzës është një ndër pikat e rralla të ndritshme në këtë botë me dhembje,” deklaroi zoti Browder.

I vetëdijshëm që autoritetet në Rusi kurrë nuk do ta zbulonin se çfarë i ndodhi zotit Magnitsky gjatë qëndrimit në burg dhe se nuk do të merrnin masa ndaj vrasësve, zoti Browder loboi në Uashington për një përgjigje.

Si rezultat i këtyre përpjekjeve, në Kongresin amerikan në vitin 2012 u miratua Ligji Magnitsky, që i hapi rrugë ngrirjes së pronave dhe ndalimit të udhëtimit të atyre që ishin përgjegjës për vdekjen e tij.

Që atëherë ky ligj mori përmasa globale dhe paraqet bazën ligjore për t’iu vendosur sanksione shkelësve të të drejtave të njeriut nëpër botë. Çmimet Magnitsky për të Drejtat e Njeriut u jepen atyre individëve që i kundërshtojnë ata.

“Bashkojmë heronjtë nga e tërë bota. Ata shndërrohen në një komunitet ku ndahen përvojat dhe përkrahet njëri-tjetri. Shpresoj që dikur (ky çmim) të shndërrohet në Çmimin Nobel për të drejtat e njeriut”, thotë zoti Browder.

Në mesin e të pranishmëve në ceremoni ishte edhe Marina Litvinenko. Bashkëshorti i saj, Alexander, një ish agjent rus i shërbimit të sigurisë i shndërruar në kritik të zëshëm të Presidentit rus Putin, vdiq në Londër në vitin 2006, pasi me gjasë ishte helmuar me polonium radioaktiv.

“Nga njëra anë, jam shumë e dëshpëruar që vdekja e bashkëshortit tim nuk i ndërgjegjësoi njerëzit se sa i rrezikshëm është ky regjim. Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë njerëzit po e kuptojnë se kush është zoti Putin dhe se çfarë mund t’iu bëjë shteteve dhe individëve të tjerë ky regjim”, deklaroi ajo.

Fati i disidentëve rusë ishte preokupim i shumë të pranishmëve.

“Kemi ende shumë punë për të bërë. Isha me fat që bashkëshorti im u kthye. Por shumë nuk u kthyen... Ka qindra e qindra të burgosur politikë prapa hekurave në vendin tonë dhe atyre u duhet përkrahja dhe solidariteti ynë”, deklaroi aktivistja Evgenia Kara-Murza, bashkëshortja e aktivistit Vladimir Kara-Murza./VOA



Read it all at Bota Sot