Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar ditëlindjen e këngëtares Shkurte Fejza, teksa njoftoi edhe për vizitë Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë.
“Dje, e madhja e popullit shqiptar, Shkurte Fejza mbushi 63 vjet. Para pak kohësh, bashkë në një organizim madhështor ia shënuam 50-vjetorin e karrierës. Sot ishim në Suharekë dhe e vizituam Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”, ndër investimet më të mëdha të qeverisë në infrastrukturën kulturore të vendit”, shkroi Kurti.
“Me Shkurten folëm për shumë tema të aktualitetit tonë, por mbi të gjitha për domosdoshmërinë e promovimit sa më të madh të kulturës sonë kombëtare. Pasuria kulturore e Kosovës është me vlerë për çdo gjeneratë në Kosovë dhe sidomos kënga jonë vendore është po aq me peshë për njohjen e Kosovës jashtë vendit në botë”.
“I urova shëndet e jetë të gjatë, me dëshirën që përveç Prishtinës e qyteteve tjera, tash e tutje ta dëgjojmë duke interpretuar edhe në skenën e bukur të shtëpisë së kulturës në Suharekë”, përfundon shkrimi i Kurtit.