Sllovakia nderon revolucionin përmes protestave demokratike

- Bota Sot

Sllovakia nderon revolucionin përmes protestave demokratike

Rreth 17 mijë sllovakë përkujtuan 35-vjetorin e “Revolucionit të Kadiftë”, i cili shënoi fundin e qeverisjes së Partisë Komuniste. Shumë vetë protestuan edhe kundër asaj që e konsiderojnë si kërcënim të demokracisë sot.

“Baballarët tanë, prindërit tanë dhe shumë prej tyre që janë sot këtu, luftuan për lirinë dhe demokracinë. Është një dhuratë që na duhet ta mbrojmë dhe t’ua përcjellim fëmijëve tanë” – tha para gazetarëve Michal Simecka, drejtuesi i partisë opozitare “Progressive Slovakia” (PS), teksa turma mësynte qendrën e Bratislavës gjatë së dielës, për të përkujtuar demonstratat e vitit 1989, që çuan në rrëzimin e regjimit komunist në Çekosllovakinë e asaj kohe.

Vetëm tri vite pas “Revolucionit të Kadiftë”, Çekosllovakia u nda paqësisht në dy shtete të pavarura demokratike: në Republikën Çeke dhe Sllovakinë e sotme.

Pas 35 vitesh, fjalët e Simecka-s janë thirrje që sllovakët të vazhdojnë të rezistojnë, për atë që opozita këmbëngul se kryeministri Robert Fico kërkon me çdo kusht të zgjasë qëndrimin e tij në pushtet.

Protestat anembanë vendit shihen si një mesazh kundër përpjekjeve të Ficos për të shkëputur Sllovakinë nga Bashkimi Europian dhe NATO dhe për t’iu afruar më tepër Lindjes. 

Kërcënim ndaj demokracisë

“Sot, teksa shumë politikanë sllovakë po vënë në pikëpyetje demokracinë, po përpiqen të rishkruajnë historinë, po kufizojnë pjesëmarrjen qytetare, po sulmojnë lirinë e medias dhe shoqërinë civile, ne duam të shprehim respektin dhe nderimin ndaj paraardhësve tanë, të cilët pavarësisht kërcënimit dhe rrezikut personal, i bënë ballë totalitarizmit nazist dhe komunist” – deklaruan aktivistët në qytetin Topolcany.

Grigorij Meseznikov nga Instituti sllovak i Punëve Publike vëren se qeveria sllovake nuk organizoi asnjë aktivitet për të përkujtuar një nga festat më të spikatura të vendit. Ai i tha DW-së se Fico është “duke zhbërë në mënyrë sistematike shumë elementë demokratikë që Revolucioni i Kadiftë i solli vendit”.

Reformat qeveritare shkaktojnë alarm

I larguar nga pushteti pas protestave masive të vitit 2918, të cilat u nxitën nga vrasja e gazetarit Jan Kuciak, Robert Fico kaloi tri vite të ashpra politike, nën akuzat për korrupsion dhe marrëveshja të dyshimta me botën e biznesit, derisa u rikthye në detyrë në fundin e vitit 2023.

Edhe pse qeverisja e tij është shoqëruar nga shumë kundërshti gjatë kohëve të fundit, sërish ai ka ndërmarrë reforma që kanë shqetësuar së tepërmi opozitën dhe Bashkimin Europian.

Ngjashmëri me qeverisjen hungareze të Viktor Orban

Raportet e fundit sugjerojnë se BE-ja mund t’i ndëpresë fondet ndaj Sllovakisë pas shqetësimeve që lidhen me sundimin e ligjit. Edhe pse qeveria i tha DW-së se nuk është e shqetësuar për këtë, në këto raporte pretendohet se reformat e Ficos vijnë drejtpërdrejt nga ‘libri i strategjive’ të kryeministrit hungarez Viktor Orban.

Orban akuzohet se po minon demokracinë në shtetin fqinj, Hungari, duke ndryshuar sistemin e drejtësisë, median dhe sistemin zgjedhor. Për rrjedhojë, nën qeverisjen e tij Hungarisë i janë bllokuar miliarda euro fonde nga BE.

Por për dallim nga homologu i tij hungarez, Fico sillet shumë mirë në Bruksel. Ndërsa në shtëpi, ai shfaq shumë pak shenja përmirësimi të linjës politike që po ndjek.

Media dhe gjyqësori në shënjestër

Që kur i mbijetoi tentativës për vrasje në maj të këtij viti, Fico i ka shtuar ndjeshëm përpjekjet e tij për të “çimentuar” partinë e tij të majtë “Smer” që të qëndrojë në pushtet. Kritikët pretendojnë se këto përpjekje vijnë edhe si pasojë e frikës së Ficos se mund të përfundojë pas hekurave në rast se rivalët e tij politikë do të merrnin pushtetin.

Gjatë kohës që Fico nuk ishte në pushtet, një prokuror special dhe një njësi policore u përpoqën të çmontonin rrjetet kriminale për të cilat dyshohej se Fico i mbështeste në kohën kur ishte në drejtimin e qeverisë. Madje ai u hetua se kishte drejtuar personalisht një organizatë kriminale nga zyra e kryeministrit.

Pak ditë pasi rimori detyrën, Fico nisi të bëjë ndryshime të shpejta në sistemin gjyqësor, të cilat çuan në shpërbërjen e njësive që çuan në burg apo hetuan dhjetëra personazhe që ishin afër partisë në pushtet, “Smer”.

Media, të cilën Fico e akuzoi se kishte inkurajuar autorin e atentatit të tij duke nxitur dozat e urrejtjes, ishte një tjetër shënjestër e ditëve të para.

Transmetuesi publik “RTVS” është shndërruar në një organizatë mediatike tërësisht nën kontrollin e qeverisë dhe mediat e pavarura kanë vuajtur intimidimin dhe u është mohuar aksesi për të përfituar nga reklamat shtetërore. Gjithashtu, janë miratuar ligje që të vendosin kushte për marrjen e informacionit dhe pakësojnë të drejtat për të marrë përgjigje rreth politikanëve.  

“Koalicioni qeverisës po përpiqet të… ndërlikojë punën e gazetarëve dhe të rrisë ndikimin e tij në peizazhin mediatik” – i tha Deutsche Welle-s një gazetar i një mediaje të rëndësishme në Sllovaki, në kushtet e anonimatit.

Presidenti i alarmuar për reformën zgjedhore

Mes planeve më shqetësuese në agjendën e kryeministrit sllovak është sugjerimi i kohëve të fundit se sistemi zgjedhor i vendit duhet të ndryshojë në mënyrë që të përfitojnë partitë e mëdha. Rritja e pragut të votave do ta bënte më të vështirë hyrjen në parlament për shumë parti politike.

Ideja e Ficos ka alarmuar madje edhe Peter Pellegrinin, “nxënës” i Ficos, i cili u zgjodh president i Sllovakisë në qershor të këtij viti.

“E shoh këtë ide si një ndërhyrje në qasjen e popullit tek demokracia dhe personalisht, nuk mund të pajtohem kurrë me të” – deklaroi ai.

Kundër aleatëve për Rusinë dhe Kinën

Një tjetër linjë të cilën Fico po e ndjek njësoj si homologu Orban, ka të bëjë me lidhjet e tij me Rusinë dhe Kinën, duke u pozicionuar kundër politikave të BE-së dhe NATO-s.

Kryeministri sllovak i tronditi aleatët kur gjatë një intervistë të dhënë në tetor për televizionin shtetëror rus “Russia 1”, kritikoi mbështetjen e BE-së ndaj Ukrainës dhe sanksionet e vëna kundër Rusisë.

Fico ndërmori më pas “udhëtimin më të rëndësishëm të vitit” drejt Pekinit, mbase duke kërkuar të marrë mbrapsht shpagimin, pasi kundërshtoi një vendim të BE-së që lidhej me vendosjen e tarifave shtesë për makinat elektrike kineze. Këtë qëndrim ai e mbajti edhe pse ekonomia e vendit të tij varet ngushtësisht nga tregu i prodhimit të makinave, më shumë se çdo shtet tjetër i Bashkimit Europian./DW



Read it all at Bota Sot