Finlanda fillon hetimet mbi këputjen e kabllove në Detin Baltik

- Bota Sot

Finlanda fillon hetimet mbi këputjen e kabllove në Detin Baltik

Autoritetet finlandeze thanë të mërkurën se kanë hapur një hetim mbi këputjen e një kablloje komunikimi në shtratin e Detit Baltik, që lidh Finlandën me Gjermaninë. Suedia tashmë ka nisur një hetim mbi një incident të ngjashëm të këputjes së një kablloje tjetër komunikimi. Autoritetet e të dyja vendeve po hetojnë për të parë nëse këto incidente janë akte sabotazhi.

Kablloja “C-Lion1”, e cila kalon mes Finlandës dhe Gjermanisë, u dëmtua të hënën, një ditë pas dëmtimit të një kablloje të ngjashme nën Detin Baltik, mes Lituanisë dhe Suedisë, afër ishujve suedezë të Olandit dhe Gotlandut. Ministri gjerman i Mbrojtjes tha të martën se dëmi duket se ishte pasojë e një sabotazhi, megjithëse aktualisht nuk ka prova për këtë.

Byroja Kombëtare e Hetimit në Finlandë tha se hapi një hetim penal për këputjen e kabllos “C-Lion1”, duke thënë se dyshohet për "një veprim kriminal dhe ndërhyrje të rëndë në sistemet e komunikimit".

Policia suedeze tashmë ka hapur një hetim paraprak të martën për sabotim të dyshuar në lidhje me këputjen e dy kabllove dhe tha të mërkurën se "policia dhe prokurorët suedezë janë gjithashtu të interesuar të mësojnë më shumë për një anije që është parë afër zonës ku ka ndodhur incidenti".

Ata nuk dhanë asnjë hollësi mbi anijen, por thanë se "ajo aktualisht nuk ndodhet në ujërat suedeze".

Hetimet zyrtare pasuan njoftimet e mediave se një anije me flamur kinez, “Yi Peng 3”, kishte qenë në zonë në kohën kur ishin dëmtuar kabllot.

Informacioni për gjurmimin e anijes nga një faqe interneti që monitoron trafikun detar tregon se anija e transportit të mallrave 225 metra e gjatë kishte ndaluar pasditen e së mërkurës në brigjet e Danimarkës në Detin Baltik.

Marina Mbretërore Daneze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.



Read it all at Bota Sot