Kryetari i Odës së Mjekëve: Rritja e pagave për mjekët është ‘’hajgare’’, 103 mjekë e kanë lënë sivjet Kosovën

- Bota Sot

Kryetari i Odës së Mjekëve: Rritja e pagave për mjekët është ‘’hajgare’’, 103 mjekë e kanë lënë sivjet Kosovën

Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve të Kosovës, në një prononcim ka kritikuar Qeverinë e Kosovëës në lidhje me vendimin për rritjen e pagave, duke e quajtur të njëjtin “hajgare”.

Sipas tij, pagat për mjekët duhej të rriteshin më herët dhe në përputhje me Ligjin, i cili parashikon rritjen e koeficientit dhe çmimit, dhe jo përmes këtyre, siç thotë ai, “këstëve” të vendosura nga Qeveria.

‘’ Kjo rritje e pagave për mjeket ta them të drejtën është pak hajgare. Pagat do të duhej të rriteshin prej janarit dhe të vazhdohej në bazë të Ligjit, ku parashihet rritja e çmimit apo vlerës së koeficientit dhe jo me këto ‘këste’, tha Sejdiu.

Ai shtoi se çfarë ka bërë Ministria e Shëndetësisë deri tani ka ndihmuar më shumë për të stigmatizuar profesionin e mjekut sesa për të mbrojtur ata si profesionistë.

‘’Çdo gjë që është bërë nga kjo Ministri është bërë në dëm të mjekëve, apo duke stigmatizuar mjekun si profesionist. Te mjeku kanë stigmatizuar profesionin, Ministria e Shëndetësisë e kanë stigmatizuar profesionin e mjekut ‘’, tha kryetari.

Sipas tij, sivjet 103  mjekë kanë emigruar në Gjermani, për shkak të kushteve jo të mira dhe mundësive të kufizuara për karrierë në Kosovë.

‘’Deri më sot kemi 103 kolegë tanë që kanë marrë dokumentacionin e nevojshëm për punësim në Gjermani në përgjithësi. Fatkeqësia është se shumica nga ta janë të pa punë, tash e dy tri vite kanë pritur për punë e shteti i Kosovës nuk u ka dhënë mundësinë dhe e dyta qëndron te kushtet e punës në Kosovë dhe shqetësimi i tyre është se nuk shohin të ardhme në Kosovë’’, përfundoi Sejdiu.



Read it all at Bota Sot