Mjeshtër i madh i diplomacisë së mashtrimit - Enver Hoxha

- Bota Sot

Mjeshtër i madh i diplomacisë së mashtrimit - Enver Hoxha

Megjithëse kanë kaluar vite e vite dhe për Enver Hoxhën e bëmat e tij është shkruar shumë, ende ka dilema se si e ka marrë pushtetin si ai erdhi në krye të partisë, si i mori njërin pas tjetrit portofolat më të rëndësishme të partisë e të shtetit shqiptar?! Para se të merremi me faktet e ngjarjet që e sollën Enver Hoxhën në udhëheqje e në pushtet, le ta nisim me pyetjen se cili ishte Enver Hoxha, veçanërisht në periudhën pas pushtimit fashist të vendit e deri në krijimin e partisë dhe pastaj periudha e Luftës Antifashiste e më pas. Përkufizimi më i saktë është i anglezit Jon Halliday që konkludon për të si “Shqiptari dinak Enver Hoxha”?!

Pa u futur në jetën e tij të “kabareve” në Paris e Bruksel, por për atë pjesë në qytetin e Korçës, njerëzit që kanë lënë kujtime, të sjellin në vëmendje se ai në ato vite ishte po i njëjti njeri, aventurier. U njoh me Koço Tashkon e me Ymer Dishnicën dhe shfaqi simpati ndaj ideve të tyre. Këta të dy, Enver Hoxhën e punësuan shitës cigaresh në Tiranë dhe përkoi gjithçka me momentet e përgatitjeve për krijimin e partisë. Në Tiranë “erdhën” edhe të “deleguarit” jugosllavë. E prezantuan edhe Enver Hoxhën me to. Me dinakëri e djallëzi  ai diti të tribloi deri në mbledhjen themeluese të partisë dhe doli edhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor.

Megjithëse është shkruar për këto ngjarje, përsëri ende kanë mbetur edhe shumë dyshime se si Enver Hoxha mundi të bëhej “udhëheqës i madh” siç propagandohej e siç paraqitej. Aq më shumë që deri në ditë e themelimit të partisë, Enver Hoxha nuk qe as anëtar i ndonjë grupi komunist.

Në fakt dilemën e ka qartësuar vite më parë militanti i vjetër i lëvizjes komuniste, Koço Tashko, megjithatë ende ekziston dilema. Dokumenti thotë se ishte Koço Tashko ai që e promovoi Enver Hoxhën në mbledhjen themeluese të partisë. Dhe Enver Hoxha pas çlirimit kur e bënë “të madh”, nderet  “ja shpërbleu” Koços, e futi përjetësisht në burgun e Burrelit.

Faktin që “e mori përdore” dhe e solli në mbledhjen themeluese të partisë  e ka pranuar vetë Koço Tashko në “Katër ditët e Beratit”  ku thotë se “ishte ai që e mori Enver Hoxhën me vete dhe e çoi në mbledhjen themeluese të partisë, madje pa qenë Enveri as anëtar grupi”. Fakt interesant!

Menjëherë Enver Hoxha bëhet anëtar partie, merr pjese në mbledhjen themeluese të partisë dhe madje “zgjidhet” edhe në Komitetin Qendror Provizor. Ç’fat! Lind pyetja: Përse Koço Tashko ja bëri një të mirë kaq të madhe Enver Hoxhës, që e mori në mbledhjen themeluese të partisë pa qenë komunist dhe e “zgjodhi” në Komitetin Qendror Provizor?! Përse Koço Tashko e “deshi” aq shumë Enver Hoxhën?!

Pa mohuar servilizmin të ndërthurur me djallëzinë, që ishin hapat e para të Enver Hoxhës drejt ngjitjes, ata Koço e Ymeri i dhanë atij shansin dhe Enver Hoxha manifestoi ndaj tyre dhe ndaj “dy jugosllavëve” për një farë kohe bindjen në pa kufi. Siç deshën dy jugosllavët, Enver Hoxha fillimisht varrosi çështjen e Kosovës e më pas me Miladinin e Dushanin sunduan Pezën, anulluan Mukjen e prishën Bujanin. 

Se ç’qe kjo lloj marrëdhënie mes tij dhe të “deleguarve” jugosllavë, Enver Hoxha e zbulon vetë kur rrëfehet se mes tyre dmth mes tij dhe Miladinit e Dushanit “lindi jo më një simpati…, por një dashuri… Pastaj erdhëm në Konferencën e Vendit. Unë këtu dukesha si më i preferuari i Aliut (pseudonimi i Miladin Popoviçit). Ai kishte besim të madh te unë, unë gjithashtu tek ai…Do të theksoj zgjedhjen time si Sekretar Politik. Aliu s’kishte besim tek asnjëri tjetër veç meje…,di që Aliu mbrojti tezën që unë të isha Sekretar Politik”.

Por në kontekstin e ngjarjeve, kjo “dashuri” me jugosllavët, ishte e pamjaftueshme për të arritur atje ku tashmë synonte Enver Hoxha, pasi për të hapur rrugën i duhej të eliminonte edhe rivalët. Vrasjet e Qemal Stafës, Vasil Shantos, etj. etj, janë vepër apo përgjegjësi direkte e pa asnjë ekuivok të Enver Hoxhës, janë “pastrim” nga ai i rrugës për pushtet. Më pas këto veprime vrastare e terroriste, u kthyen edhe në vijë politike të partisë. “…në zbatimin e vijës terroriste, - rrëfehet përsëri Enver Hoxha në Berat, - unë isha pasqyrë e Aliut. Kur vinte një informacion nga Fronti, ku thuhej se ky apo ai po vepronte keq, edhe unë sipas versionit të Aliut, vendosnim dhe e vrisnim…”.

A ishte Enver Hoxha tregëtar i sovranitetit për pushtetin?!

Vitet e para pas Çlirimit apo periudha “me jugosllavët”, që rrok vitet 1945-1948, është periudha që Enver Hoxha bëhet një tregëtar i sovranitetit të Shqipërisë për pushtetin e tij personal. Vërtet e shiti Enver Hoxha sovranitetin e Shqipërisë për pushtetin e tij personal?! Faktet, ngjarjet e dokumentacionet thonë se po. Ta shohim!

Menjëherë sapo mbaroi Lufta, Enver Hoxha ndërtoi edhe ai diplomacinë e tij. Me kë? Fillimisht me jugosllavët, me Titon, me ato që e sollën në pushtet! Në fakt ajo lloj diplomacie e tij e pasluftës, ishte si ajo në kohën e Luftës, diplomaci servile dhe e nënshtrimit pa kushte, ndërsa sipas dokumentacioneve ajo del se ishte diplomaci diskredituese, diplomaci e kapitullimit, tradhti kombëtare.

Pas Lufte, me miratimin e Enver Hoxhës, Tito ndërhyri në të gjitha anët e skutat e Shqipërisë. Më konkretisht, kjo ndërhyrje u bë me nënshkrimin e Traktatit të Përbashkët Ekonomik Shqipëri-Jugosllavi, ku edhe “de fakto” edhe “de jure” regjimi titist depërtoi në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare. Ky “bashkëpunim” përbënte suprimimin e kufijve, heqjen e doganave apo shkëmbimin e mallrave me pabarazi. Ky Traktat u nënshkrua më 20 shkurt të vitit 1945, nga zëvendëskryeministri Myslym Peza. Në të njëjtën kohë u nënshkrua nga Nako Spiru edhe një dokument tjetër famëkeq, Akordi për Bashkëpunimin Ekonomik. Mbi këtë bazë pabarazie me Jugosllavinë u krijuan shoqëritë e përbashkëta si për Fabrikimin e Naftës, për Lundrimin Detar, për Bankën e Përbashkët etj.,etj. Dhe pas Akordit të Parë, erdhi Akordi i dytë, ai për kredinë, sipas të cilit pasuritë e mëdha të nëntokës shqiptare, viheshin plotësisht në dispozicion të Jugosllavisë.

Dhe kur u bë bilanci i shkëmbimit tregtar, “specialistët” jugosllavë nxorën debi, pra borxh Shqipërinë me 1 milion e 794 mijë dinarë. Sipas marrëveshjes së shtatorit të vitit 1946, këtë bilanc të debisë, Shqipëria do t’ia plotësonte Jugosllavisë me mallra. Kjo masë dënuese çoi në boshatisjen e tregut shqiptar, ku çdo gjë e lëvizshme mall, u ngarkua në makina e vaporë jugosllavë dhe u nisën për në Jugosllavi. I ua morën të gjitha shqiptarëve, të gjitha prodhimet e mallrat, të gjitha iu grabitën tregtarëve dhe iu “dhuruan” Titos. Dhe dokumentet “bërtasin” se asgjë nuk është bërë pa dijeninë e Enver Hoxhës, as pa vendimin e tij. Që të gjitha ishin rezultatet i shumë marrëveshjeve që vetë Enver Hoxha kishte miratuar e nënshkruar me Jugosllavinë. Vetë kishte nënshkruar në një ditë me Jugosllavinë në periudhën 1945 - 1948, plot 33 marrëveshje të pa barabarta, marrëveshje diskriminuese, që në fakt ishin më shumë se kaq, ishin marrëveshje skllavëruese.

Përse përfundoi dashuria dhe divorci i dytë i Enver Hoxhës?!

Një marrëdhënie e gjatë, me uljet e ngritjet e veta, me flirtet dhe mëritë e saj, ishte periudha 1948-1961 e marrdhënieve me sovjetikët. Nga një titist i zellshëm, Enver Hoxha pas prishjes së Stalinit me Titon, kthehet e bëhet një stalinist i tërbuar, një besnik i plotë dhe një imitues perfekt i "të madhit" Stalin. Bën vizita në Moskë si "triumfues"e "kontribues" në dënimin e Titos, cilësi që ja ushqente vetes dhe ndërmerr në planin e brendshëm të Shqipërisë edhe "masa revolucionarizuese".

Për të mbuluar shpirtin e tij të shitur te Titua, Enver Hoxha eliminon një e nga një "bashkëpunëtorët" e tij të tjerë si Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, të dy udhëheqsa "me emër” të Luftës. Pas çlirimit Tuk Jakova ishte sekretar organizativ i partisë, ishte edhe zëvendës kryeministër, kishte zëvendësuar në detyrë Koçi Xoxen, zëvendësonte edhe vetë Enver Hoxhën por e dënoi se Tuk Jakova ishte kundër masave ekstreme terroriste të partisë e të shtetit.Po Bedri Spahiun përse e dënoi Enver Hoxha?! Atë e shpalli si një nga organizatorët e Konferencës së Tiranës, e cila ishte as më shumë e as më pak, por prologu i "demokracie të re" sovjetike, kundër "kultit të individit".

Për "ruajtjen e kolltukut" të tij Enver Hoxha, ishte dhe mbeti besnik i Stalinit, ndaj në vitet 1948-1961 me sovjetikët, ai luajti diplomacinë e centralizimit ose diplomacinë që i mbrojti pushtetin. Pas vdekjes së Stalinit, gradualisht erdhën përplasjet e mëdha mes Enver Hoxhës dhe Nikita Hrushovit, jo për parime siç është thënë, por për pushtetin personal. Mirëpo "zënkat" e "përplasjet" i janë "shitur" opinionit shqiptar si trimëri të Enver Hoxhës mbi sovjetikët hrushovianë e nën atë petk Enver Hoxha u përpoq të mbronte "kultin e individit", pushtetin e tij politik! Në Bukuresht e në Moskë Enver Hoxha “e paditi” si fajtor e si shkelës parimesh Nikita Hrushovin dhe si kundër përgjigje mori nga "sovjetikët e rinj” ndërprerjen e çdo lloj ndihme e kredie për Shqipërinë.

Mund të themi se periudha e dashurisë dhe e divorcit të Enver Hoxhës me sovjetikët, ndahet në tri pjesë". E para; dashuria për Stalinin me interes për pushtetin e Enver Hoxhës. E dyta; dashuria e “shtirë” për të mbijetuar me Hrushovin, përsëri për të ruajtur pushtetin. Dhe e treta; divorci me “sovjetikët e rinj” masë e Enver Hoxhës për të ruajtur po pushtetin e tij.

Fliriti me kinezët dhe prishja e tretë  e pakuptimtë e Enver Hoxhës.

Flirti i Enver Hoxhës me kinezët, 1961-1978, ngriti shumë pikëpyetje për kohën, se “përse u bë e si u bë”?! Thonë se u bë për “mbrojtjen” e marksizëm-leninizmit nga tradhtia e Bashkimit Sovjetik?! Shkruajnë se ndodhi për “parime” ideologjike që i “mbrojti” Enver Hoxha! Analizojnë se çdo gjë ishte për egoizmin e Enver Hoxhës, mbrojtjen e pushtetit të tij personal! Nga këto të gjitha, cila të jetë e vërteta?!

Thuhet edhe për një tjetër si e vërtetë, për devizën që kishin në atë kohë kinezët, mbrojtjen e “kultit të individit” dhe “luftën ndaj imperializmit”. Këto të dyja po, Enver Hoxhës i interesonin. Për “kultin e individit” e “rimiqësimin” me Jugosllavinë, “ai” u prish me sovjetikët. Por Enver Hoxha për “pushtetin personal” i tribloi situatat! Si shpërblim i mbështetjes në Bukuresht e në Moskë, politika kineze i “vuri paterica” të fuqishme ekonomike dhe ushtarake Enver Hoxhës! Por edhe Enver Hoxha i mbështeti kinezët e u bë “megafon”  i tyre në tribunat e OKB-së, e me flamurë shqiptar në anijet e “verdha” nëpër dete e oqeane.  Kina, ca më shumë i a “shpërbleu”  Enver Hoxhës me ndihma e kredi të mëdha, me të cilat Shqipëria mori një farë hov zhvillimi për kohën. Mirëpo kinezët, shpejt e shpejt “erdhën në vete” dhe e kuptuan se zhvillimi i tyre nuk mund të shkonte paralel me “dogmat” e kaluara marksiste, pa konkurrencë e “liri tregu”, ndaj nisën hapjen me Botën, kryesisht me SHBA-në, por edhe me të tjerë pa përjashtuar as BS, si edhe me vendet e Botës së Tretë.

Këto “hapje”, veçanërisht afrimi kinez me Jugosllavinë, njëlloj siç bënë dikur edhe sovjetikët, nisën shqetësimin te Enver Hoxha. Në pafundësi, atij “i dogji” propozimi kinez, “aleancë ushtarake me Jugosllavinë e Rumaninë”. Kjo, te Enver Hoxha riaktivizojë fuqishëm makthet e të shkuarës, sepse “afrimi kinez” me Jugosllavinë sipas tij, donte të thoshte pajtim me jugosllavët dhe më pas “ai”, Enver Hoxha e dinte se do të jepte llogari për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë që i kishte ekzekutuar. Arsyet e vërteta të prishjes me kinezët (se arsye ai thotë plot), Enver Hoxha nuk i tha asnjëherë,  madje i fsheh, njëlloj siç bëri edhe me sovjetikët. Ai sajon në kujtimet e tij lloj-lloj shkelje “parimesh” të tyre në aspektin ideologjik si për “luftën e paqen”, si dhe për “qëndrimin ndaj epokave”, apo për “idetë e marksizëm-leninizmit” etj.

Mosmarrëveshjet me Kinën, nuk ishin në fakt për çështjet e mësipërme, por veçse lidheshin për çështjen e pushtetit personal të Enveri Hoxhës. “Mbrojtja e parimeve”, që nxirrte në evidencë Enver Hoxha, dikur Mao Ce Dunit në kohën e “sovjetikëve të rinj” i erdhën për shtat, ndërsa Enver Hoxhës i sollën “mbështetje” politike, ekonomike dhe ushtarake.

Mirëpo as me kinezët Enver Hoxha “nuk ndenji rehat”! Pas disa viteve miqësie, atë e “shqetësonte” diplomacia kineze me Amerikën. Ndonëse kinezët “i jepnin” ndihma të mëdha ekonomike e ushtarake, Enver Hoxha krijoi konflikt absurd edhe me to sepse kërkoi tu diktojë edhe në Pekin. Në fakt ujdia e Enver Hoxhës me kinezët, ishte një puqje interesash pragmatiste për mbrojtjen e “kultin e individit”, pra po për ruajtjen e pushtetit të tij personal. Edhe kinezët në kuadrin e gjeopolitikës, e deshën një mbështetje të tillë, një “levë arkimedi” në Ballkan e në Europë.

Ku e çoi Shqipërinë politika e Vetizolimit e Enver Hoxhës?!

Veçse te tolloni që brezi i ri nuk e njeh. Mungesa e lirisë njerëzore, ishte ulëritëse. Të drejtat e njeriut, fshiheshin pas diktatit të shtetit. Lëvizja e lirë, ishte mallkim. Burgosjet politike, ishin vijë e regjimit. Dënimet e sajuara, u a kalonin edhe nurembergëve. Të gjitha të njohura dhe të jetuara mbi shpinën e popullit shqiptar të sakatuar për gjysmë shekulli. Veçanërisht pas viteve ’78 -të, jeta politike dhe ekonomike në Shqipëri ishte në një kolaps të plotë. “Mumjet e Bllokut” i kalonin ditët me andrallat e “ngrënies së dhjamit” dhe nuk donin ta kuptonin se Shqipëria rënkonte gramat e fundit. Ngulmohej gjithnjë në sloganin e kokëfortësisë, të “mbështetjes në forcat e veta”. Në kushtet e izolimit edhe me Kinën, që i krijoi po vetë Enver Hoxha, ekonomia shqiptare kaloi agoninë e plotë. Qysh në fillim të viteve ’70 -të, kur kreditë kineze u shkurtuan, Enver Hoxha hodhi parullën e mbështetjes në “forcat e veta”. Tashmë fondet, që do të shërbenin për industrinë, do të nxirreshin nëpërmjet eksporteve nga vetë ekonomia shqiptare. Duke qenë se eksportet mbetën i vetmi burim financiar, Enver Hoxha propagandoi parullën tjetër dhe urdhëroi që importet “të barazoheshin me eksportet”. Në sajë të këtij urdhri, regjimi u organizua të eksportonte të gjitha prodhimet e mira, që bëheshin në Shqipëri dhe të gjitha të ardhurat (përveç fondeve për “orgjitë” e Bllokut) të përdoreshin për importimin e makinerive dhe të pajisjeve të industrisë. E gjithë kjo politikë e gabuar ekonomike, u zhvillua në kurriz të konsumatorit shqiptar, gjendja e të cilit po bëhej gjithnjë e më tragjike për shkak të mungesës së mallrave ushqimore në treg.

Në fakt për hir të së vërtetës duhet thënë se opinioni shqiptar ka qenë i mbarsur me diplomacinë e Enver Hoxhës si diplomaci e madhe, si diplomaci e suksesshme, si diplomaci kombëtare etj, etj. (ndofta ka ende që u besojnë këtyre përrallave!) dhe jepen edhe disa si “argumente” se u a kemi hedhur si sovjetikëve se “u morëm luftanijet e u denoncuam Traktatin e Varshavës” dhe ata “nuk patën ç’të na bënin”, ashtu edhe kinezëve, që “u morëm tërë ato kombinate e armatime” edhe këto nuk patën përsëri ç’të na bënin. Ky është një shikim empirik, madje i mjerë, që u përpoq Enver Hoxha ta injektoi atëherë me propagandën megallomane. Hesapet duhen bërë “me hanxhinë” se ku na çoi vetizolimi i Enver Hoxhës, egoizmi i tij për pushtetin personal dhe çfarë na solli ajo lloj diplomacie e quajtur e “suksesshme”?!

Përgjigja toples, është se Enver Hoxha na çoi e na e la Shqipërinë pa miq e pa aleatë, pa partnerë e të vetëm, të izoluar e me tollona, që na kushtojë 10 mijë viktima (sipas një varianti të pavarur), ndërsa sipas një studimi të bërë në vitet 1992-94 nga Shoqata e ish të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, rezulton se për atë lloj politike, regjimi në Shqipëri ka ekzekutuar 5.557 burra e gra, kanë vdekur në burgje 988 burra e 7 gra, kanë humbur aftësinë mendore 308 vetë, janë internuar 48.217 burra dhe 10.792 gra, kanë vdekur në internime 7.022 vetë dhe janë viktima të luftës civile 22.500 vetë.

Dhe si konkluzion: Si mundet që Shqipëria të konsiderohej vend i lirë, me liri të mohuara?! Si mundet të quhej vend demokratik, me diktaturën më të egër të Lindjes?! Si mund të quhej vendi i zhvilluar, me nivelin e jetesës më të ulët në botë, me bazë furnizimi tollonin?!



Read it all at Bota Sot