Rusia sulmon me dronë e raketa disa qytete të Ukrainës

- Bota Sot

Rusia sulmon me dronë e raketa disa qytete të Ukrainës

Raketat ruse dëmtuan disa ndërtesa banimi në Kharkiv dhe Odesa, dy qytete që shtrihen përkatësisht në lindje dhe jug të Ukrainës.

Sulmet ndaj Kharkivit shkaktuan plagosjen e të paktën 23 personave si dhe dëmtuan mbi 40 ndërtesa të hënën në mëngjes, njoftoi guvernatori rajonal si dhe zyrtarë të policisë.

Në Odesa u dëmtuan disa ndërtesa banimi dhe u plagosën 10 persona.

Ndërkohë një numër i madh dronësh shkaktuan ndërprerje të përkohshme të energjisë në rajonin e Mykolaivit. Objekt i sulmeve ruse me dronë ishte edhe kryeqyteti i vendit Kievi, si dhe disa objekte industriale në rajonin juglindor të Zaporizhzhias.

Rusia, e cila po përparon në lindje të Ukrainës, po kryen sulme çdo natë ndaj qyteteve ukrainase duke përdorur raketa e dronë.

Nga 145 dronë të lëshuar gjatë natës, Ukraina rrëzoi 71 prej tyre ndërsa humbi gjurmët e pjesës tjetër thanë zyrtarët ukrainas.

Presidenti Volodymyr Zelenskiy u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të rrisin trysninë ndaj Rusisë.

"Sulmet ruse ndaj Ukrainës mund të ndalen me presion, sanksione, bllokim të qasjes së pushtuesve tek pjesët që përdorin për të prodhuar mjetet e këtij terrori, me paketa armësh për Ukrainën si dhe me vendosmëri që duhet të jetë e palëkundur", tha ai.

Rusia ka goditur vazhdimisht rrjetin elektrik dhe infrastrukturën e Ukrainës që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë në shkurt të vitit 2022.

Moska thotë me sulmet e saj nuk synon popullatën civile, por OKB-ja ka verifikuar vdekjen e pothuajse 12 mijë civilëve ukrainas.

Ndërkohë zyrtarët në Kiev thonë se totali ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.

Sulmi më fundit rus ndaj infrastrukturës energjetike ka ndezur sërish frikën e ukrainasve për ndërprerje të gjata të energjisë gjatë periudhës së dimrit.



Read it all at Bota Sot