Trafo e KEDS-it në Prishtinë mbushet me mesazhe të fuqishme Kundër Dhunës Ndaj Grave

- Bota Sot

Trafo e KEDS-it në Prishtinë mbushet me mesazhe të fuqishme Kundër Dhunës Ndaj Grave

Trafo e KEDS-it në qendër të Prishtinës, pos që furnizon qytetarët me energji elektrike, në muret e saj tashmë bart edhe mesazhe të fuqishme kundër dhunës ndaj grave. Aty, të hënën u vendosën instalacione me ngjyra e slogane që promovojnë barazinë gjinore dhe sensibilizojnë përkushtimin për ndalimin e dhunës ndaj grave.

Përveç CEO-së së KEDS-it, z. Alpin Dogan, dhe menaxhmentit të kompanisë, kësaj iniciative iu bashkuan edhe zëvendësministri i Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, dhe përfaqësues të UN Women.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të fushatës së shënimit të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.

Zëvendësministri i Drejtësisë tha se Ministria e Drejtësisë është e përkushtuar që në shoqërinë tanë të mos ketë dhunë me baza gjinore, duke inkurajuar të gjitha viktimat që të raportojnë rastet e tilla.

“Dhuna në vendin tonë nuk ka vend! Kushdo që bie viktimë e këtij akti, duhet të raportojë organet e drejtësisë”, thotë ai, duke e cituar edhe mesazhin e vendosur në trafo se “sot dhe çdo ditë tjetër mos hesht, raporto dhunën”.

Znj. Naxhije Pajaziti-Arifaj, Drejtoreshë për Marrëdhënie me Publikun në KEDS, në emër të kompanisë falënderoi zëvendësministrin e Drejtësisë dhe përfaqësueset e UN Women, që u bashkuan në këtë fushatë të rëndësishme, përmes së cilës përçohet mesazhi kundër dhunës dhe për një shoqëri pa dhunë.

“Përmes kësaj iniciative, sot po fillojmë fushatën 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore ku, duke qenë të bashkuar, po i japim më shumë zë kësaj dhe po përçojmë mesazhin kundër dhunës”, tha znj. Pajaziti-Arifaj.

Edhe përfaqësuesja e UN Women, u shpreh e kënaqur që në mënyrë aktive të gjithë po kontribuojmë për sensibilizimin e publikut për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

“Falënderojmë KEDS-in që si kompani private ndihmon jo vetëm në aspektin e zhvillimit ekonomik të vendit, por gjithashtu po ndihmon në mënyrë aktive duke kontribuuar në sensibilizimin e opinionit kundër dhunës me bazë gjinore, ku edhe përmes faturave me ngjyrë portokalli raportohet numri i rasteve të tilla të dhunës”, tha Arbenita Mjekiqi, Koordinatore e Projektit GEF nga UN Women.

Ky është vetëm një nga aktivitetet që KEDS mëton të realizojë përgjatë 16 Ditëve të Aktivizmit, me qëllim të luftimit të kësaj dukurie duke rritur ndërgjegjësimin e opinionit karshi Dhunës me Baza Gjinore.

Në vitin 2020, KEDS e KESCO janë kompanitë e para në Kosovë që kanë nënshkruar zotimin në 7 Parimet e UN Women, si udhëzuese që ndihmojnë kompanitë në fuqizimin e gruas në vendin e punës dhe në shoqëri.



Read it all at Bota Sot