Raportohet se Rusia ka kapur një britanik duke luftuar për Ukrainën

- Bota Sot

Raportohet se Rusia ka kapur një britanik duke luftuar për Ukrainën

Raportohet se forcat ruse e kanë kapur një shtetas britanik duke luftuar për Ukrainën në rajonin Kursk të Rusisë.

Një video e publikuar nga kanalet proruse në Telegram dhe agjencia e lajmeve TASS gjatë fundjavës, e shfaq një burrë në uniformë ushtarake, i cili e identifikon veten si James Scott Rhys Anderson, 22-vjeçar, nga Mbretëria e Bashkuara.

Duke folur me një theks të qartë anglez, Anderson thotë se në të kaluarën kishte shërbyer si sinjalizues në Ushtrinë Britanike deri më 2023, dhe se më vonë iu bashkua Legjionit Ndërkombëtar të Ukrainës, për të luftuar kundër Rusisë.

Videoja nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, dhe nuk është e qartë se kur dhe ku është xhiruar ajo.

Kapja e dyshuar e Andersonit vë në pah përfshirjen e gjerë të vullnetarëve të huaj në rezistencën e Ukrainës kundër Rusisë.

Prej se presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje më 2022 për rekrutim ndërkombëtar, mijëra luftëtarë i janë bashkuar konfliktit. Shumica e tyre janë regjistruar në Legjionin Ndërkombëtar, i cili është njësit tejet selektiv i integruar në forcat tokësore të Ukrainës.

Kapja e britanikut ndodhi gjithashtu në një kohë të ndryshimit të dinamikave në rajonin e Kurskut.

Derisa Ukraina kapi hapësirë të madhe territoriale gjatë inkursionit në gusht, tani raportohet se ajo e ka humbur mbi 40 për qind të atij territori.

Përdorimi i ushtarëve koreanoveriorë nga Rusia në këtë rajon dhe shtytjet e saj për ta rimarrë territorin e humbur, lënë të kuptohet se lufta po thellohet, ndërsa operacionet e Ukrainës matanë kufirit tregojnë sfidën e guximshme të saj ndaj mbrojtjes ruse.

Teksa lufta vazhdon, fati i luftëtarëve të huaj, sikurse Andersoni, mbetet simbol i rreziqeve të mëdha dhe humbjeve në njerëz nga ky konflikt./REL



Read it all at Bota Sot