Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pritet të mbledhë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor javën e ardhshme, pak ditë pasi të ketë marrë detyrën.
Radio Evropa e Lirë mëson nga burimet diplomatike se ai këtë takim do ta organizojë të martën e 3 dhjetorit në Bruksel.
Costa, ish-kryeministër i Portugalisë, do të nisë zyrtarisht mandatin në krye të Këshillit të dielën, më 1 dhjetor, pasi është emëruar në këtë pozitë si pasues i presidentit të deritashëm, Charles Michel.
Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, Costa dëshiron të dërgojë sinjal me këtë takim se në punën e tij do ta ketë parasysh rajonin e Ballkanit Perëndimor si prioritet dhe se dëshiron të ketë raporte të rregullta me liderët e rajonit.
Ky takim do të jetë gjithashtu mundësi për të për t’u njohur personalisht me liderët e vendeve të rajonit, por edhe për të diskutuar rreth përgatitjes së një samiti të posaçëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohej më 18 dhjetor në Bruksel.
Samitet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor tashmë janë bërë të rregullta dhe zhvillohen së paku një herë në vit. Këtë traditë pritet ta mbajë edhe presidenti i ri i Këshillit.
Të njëjtën ditë kur e fillon mandatin Costa, pritet të nisë edhe mandati i Komisionit të ri Evropian.
Zakonisht, në takimet e nivelit të lart mes BE-së dhe vendeve të rajonit, kur mikpritës është presidenti i Këshillit Evropian, marrin pjesë edhe komisionarët për zgjerim dhe përfaqësuesit e lartë për politikë të jashtme dhe siguri.
Është paralajmëruar jozyrtarisht se në darkën e 3 dhjetorit do të mundë të jenë edhe përfaqësuesja a ardhshme e lartë e BE-së, Kaja Kallas, dhe komisionarja për zgjerim, Marta Kos.
Kjo do të ishte edhe hera e parë që këto dy anëtare të Komisionit të ri Evropian takohen me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor./REL