Kryeministri i Gjeorgjisë thotë se presidentja duhet ta lëshojë postin

- Bota Sot

Kryeministri i Gjeorgjisë thotë se presidentja duhet ta lëshojë postin

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Kobakhidze, ka thënë se presidentja e vendit Salome Zurabishvili duhet ta lëshojë postin e saj sapo t’i mbarojë mandati në fund të këtij muaji, pavarësisht zotimit të saj se nuk do ta bëjë këtë.

Një ditë më herët, Zurabishvili e quajti Parlamentin e vendit si të jashtëligjshëm dhe u zotua se do vazhdojë të jetë presidente.

Gjeorgjia është duke u përballur me trazira prej zgjedhjeve parlamentare në tetor – të cilat i fitoi partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane – por me opozitën dhe qeveritë perëndimore që argumentuan se votimi u përshkrua me shkelje dhe me ndikim rus.

Mijëra demonstrues protestuan në rrugët e Tbilisit më 30 nëntor, për natën e tretë radhazi, kundër vendimit të Qeverisë për t’i pezulluar bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Në qendër të Tbilisit, policia hodhi gaz lotsjellës dhe përdori topa uji kundër demonstruesve, disa prej të cilëve thërrisnin "tradhtarë" dhe mbanin fotografi të gazetarëve që, sipas tyre, janë rrahur nga policia. Demonstruesit kanë ngritur barrikada në rrugën kryesore të Tbilisit.

Më shumë se 100 persona janë arrestuar gjatë dy ditëve të fundit, thanë zyrtarët.

Zurabishvili tha më 30 nëntor se Parlamenti “ilegal” nuk ka të drejtë ta zgjedhë pasardhësen e saj pas përfundimit të mandatit të saj në dhjetor dhe u zotua se do ta mbajë postin.

“Nuk ka Parlament legjitim, dhe për rrjedhojë, një Parlament jolegjitim nuk mund ta zgjedhë një president të ri”, tha Zurabishvili.

“Prandaj, asnjë inaugurim nuk mund të ndodhë, dhe mandati im vazhdon deri sa të formohet një Parlament i zgjedhur në mënyrë legjitime”, shtoi ajo, duke krijuar një përplasje të mundshme me Ëndrrën Gjeorgjiane.

Më 1 dhjetor, Kobakhidze e kundërshtoi zotimin e saj, duke thënë se ajo duhet të largohet.

Ai gjithashtu e kundërshtoi edhe njoftimin e Uashingtonit se Shtetet e Bashkuara e kanë pezulluar partneritetin strategjik me Gjeorgjinë.

Duke e quajtur atë “ngjarje të përkohshme”, ai tha se Qeveria e tij do të bisedojë me administratën e re të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, kur ai të inaugurohet në janar.

Kobakhidze gjithashtu i akuzoi ata që e kundërshtuan pezullimin e bisedimeve me BE-në se po planifikonin revoltë, sipas modelit të protestave Euromaidan të Ukrainës në vitin 2014.

Të nxitura nga vendimi i presidentit për t’i refuzuar lidhjet më të ngushta me BE-në, muaj protestash në Kiev kulmuan atë shkurt me përleshje të dhunshme në rrugë. Presidenti, Viktor Yanukovych, më pas u largua nga vendi.

“Disa njerëz duan të përsërisin atë skenar në Gjeorgji”, tha ai. “Por nuk do të ketë Maidan në Gjeorgji.”

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, e kritikoi vendimin për pezullimin e bisedimeve me BE-në, duke thënë se kjo “e bën Gjeorgjinë më të cenueshme ndaj Kremlinit”.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë përdorimin e tepruar të forcës nga policia kundër gjeorgjianëve që kërkojnë të ushtrojnë të drejtat e tyre për tubim dhe për t’u shprehur, përfshirë lirinë e tyre për të protestuar paqësisht”, tha Miller.

Autoritetet amerikane janë përpjekur të ushtrojnë trysni ndaj zyrtarëve gjeorgjianë, duke vendosur sanksione ndaj dhjetëra zyrtarëve të Qeverisë për të cilët Uashingtoni tha se e kanë “minuar” demokracinë dhe të drejtat e njeriut në vend.

Shefja e re e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian i paralajmëroi autoritetet gjeorgjiane të mos ushtojnë dhunë ndaj demonstruesve.

“Është e qartë se përdorimi i dhunës kundër protestuesve paqësorë nuk është e pranueshme dhe Qeveria gjeorgjiane duhet ta respektojë vullnetin e popullit gjeorgjian”, tha Kaja Kallas për gazetarët gjatë një vizite në Ukrainë./REL



Read it all at Bota Sot