“E ringjallën në ambulancë, situata ishte serioze”/ Mjeku tregon detajet çfarë ndodhi me Boven: Nuk duhen futur gishtat në gojë, mund të shkaktonin…

- Bota Sot

“E ringjallën në ambulancë, situata ishte serioze”/ Mjeku tregon detajet çfarë ndodhi me Boven: Nuk duhen futur gishtat në gojë, mund të shkaktonin…

Momente frike dhe paniku shoqëruan ndeshjen e djeshme mes Fiorentinës dhe Interit, me mesfushorin e “violëve”, Edoardo Bove, që pësoi një kolaps në fushë, duke tronditur futbollin italian.

Mjeku Giovanni Ghini, president i Vëllazërisë Ushtarake të Firences, ndoqi nga distanca përpjekjet e shpëtimit për mesfushorin e Fiorentinës, të dyja në momentin kur lojtari u ndje keq dhe për ato të mëvonshme.

“Kanë kaluar 4 minuta nga momenti kur Bove ra në fushë, deri te vendosja e tij në ambulancë. Transporti nga stadiumi në spitalin ‘Careggi’ zgjati edhe 4 minuta të tjera. Ai hyri në dhomën e kuqe në ‘Careggi’ 13 minuta pas episodit. Po flasim për një problem që ne e përkufizojmë si ‘në varësi të kohës’. Nga ana jonë ka pasur organizim dhe jo improvizim.

Gjithçka që është bërë, është rezultat i një protokolli midis Vëllazërisë Ushtarake, spitalit ‘Misericordia’ e Firences dhe Fiorentinës. Ambulanca nuk hyri në fushë sepse ekzistonte rreziku që të mos dilte për shkak të terrenit të lojës, mund të ngecte. Ekipet që janë brenda fushës kanë të njëjtat pajisje që janë brenda ambulancës, kanë gjithçka në çantat e shpinës. Ne jemi shumë të trajnuar, edhe nga pikëpamja emocionale”, tha ai për “ANSA” duke treguar se udhëtimi drejt spitalit kishte qenë në situatë kritike për jetën. “Ai nuk ishte i vetëdijshëm. Në atë udhëtim ata defibriluan dhe kryen manovra ringjalljeje. Problemi ishte serioz”.

Ndërhyrja e njerëzve që janë afër futbollistit në momente të tilla, shpesh cilësohet vendimtare, por Gini bëri të qartë se më mirë duhej që t’i hapej rruga ekspertëve, nëse të pranishmit nuk ishin të trajnuar.

“Duhet sqaruar kjo gjë. Padyshim që e vlerësojmë gjestin, por improvizimi nuk është zgjidhje. Manovra që u krye duke futur gishtat në gojën e Bove nuk këshillohet, për dy arsye. Si fillim duke qenë se pacienti mund të mbyllë papritur gojën, ai rrezikon të krijojë lëndime shumë të rënda në gishta. E dyta është se në atë moment mund të bëhen plagë brenda gojës, gjakderdhja e të cilave mund të jetë e vështirë për një pacient të asaj natyre. E përsëris, ne e vlerësojmë gjestin, por dua të nënvizoj rëndësinë e marrjes së kurseve të shpëtimit. Bëhet fjalë të ndjekësh disa orë kurse, por ato orë mund të shpëtojnë jetë”, tha ai.



Read it all at Bota Sot