Stuhia “Bora” goditi Greqinë, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në dy ishuj! Shkon në tre numri i viktimave

- Bota Sot

Stuhia “Bora” goditi Greqinë, shpallet gjendja e jashtëzakonshme në dy ishuj! Shkon në tre numri i viktimave

Gjendje të jashtëzakonshme ka shpallur qeveria greke për ishujt, Rodos dhe Limnos pas valës së motit të keq me emrin ‘Bora’ që goditi shumë zona të vendit me reshje të vrullshme dhe erëra të fuqishme.

Në Rodos ende banorët pastrojnë shtëpitë e përmbytura, rrugët me baltë, bizneset dhe makinat janë dëmtuar, ura janë shembur dhe pjesë të mëdha të rrjetit rrugor janë shkatërruar plotësisht.

Ndërkohë ka shkuar në tre numri i viktimave të shkaktuara nga moti i keq që preku kryesisht përveç ishujve të Rodosit dhe Limnos edhe gadishullin e Halkidikisë. Në zonën e Sithonisë është gjetur pas 8 orësh i vdekur një 48 vjecar, i cili ka humbur jetën nga hipotermia pasi rrëshqiti dhe mbeti brenda në makinën në një kanal me ujë kur rruga u përmbyt.

Vetëm brenda 40 orëve të fundit , shërbimi zjarrfikës iu përgjigj gjithsej 3024 thirrjeve në lidhje me motin ekstrem, ku shumica e thirrjeve për ndihmë vinte nga Rodosi, Selaniku dhe Halkidhikia.

Në shumë komuna të kësaj zone , ka shtëpi dhe dyqanet ende të përmbytura, ndërsa balta dhe materialet inerte kanë përfunduar mbi rrugë dhe mbi makina. Në Selanik ka ende probleme me furnizimin me energji elektrike dhe disa rrugë janë të përmbytura.

Edhe tuneli i Tempit në Thessali mbetet i mbyllur për shkak të përmbytjeve dhe linja hekurudhore nuk funksionon. Sipas një buletini të përditësuar të urgjencës nga Shërbimi Meteorologjik Kombëtar i Greqisë, kushtet intensive të motit pritet të vazhdojnë në zona të caktuara deri në mesditën e së martës.



Read it all at Bota Sot