Jesé Rodríguez rrëfen makthin te PSG-ja

- Bota Sot

Jesé Rodríguez rrëfen makthin te PSG-ja

Jese Rodríguez, ish-futbollisti i njohur që ka luajtur për Real Madrid, PSG dhe Sampdoria, së fundi ka folur hapur në një intervistë me YouTuber-in Mowlihawk, në programin e tij “Batmowli”. Ai ndau përvojat e tij në futboll, përfshirë marrëdhëniet me emra të mëdhenj si Cristiano Ronaldo, Mourinho, Ancelotti.

Po kështu u ndal te përvoja e tij e keqe me PSG, ku pretendon se presidenti Nasser Al-Khelaifi kishte më shumë interes për bashkëshorten e tij, modelen Aurah Ruiz, sesa për atë si futbollist. Në fillim të intervistës, Jesé përmendi çështje të errëta në botën e futbollit, duke aluduar se disa lojtarë përdorin substanca të ndaluara për të përmirësuar performancën, ndërsa këto raste mbeten të fshehta.

Karriera e tij nisi në mënyrë të shkëlqyer, duke impresionuar figura si Florentino Pérez dhe Karanka, të cilët e çuan te Mourinho. Megjithatë, marrëdhënia me trajnerin portugez nuk ishte gjithmonë e lehtë: “Kam pasur disa përplasje me Mourinhon, por gjithmonë me respekt. Ai është një trajner i madh, strateg dhe shumë inteligjent. Natyrisht, përplasej shpesh me lojtarët për shkak të karakterit të tij të fortë”.

Jesé shfaqi admirim për Carlo Ancelottin, i cili pati guximin ta aktivizonte atë në vend të Gareth Bale, një lojtar për të cilin klubi kishte investuar 120 milionë euro: “Ancelotti kishte kurajën ta ulte Bale në stol dhe të më aktivizonte mua. Pak trajnerë do ta bënin këtë”.

Kalimi te PSG-ja, megjithatë, nuk rezultoi i suksesshëm. Jesé shprehet se marrëdhënia me presidentin Al-Khelaifi ishte e tensionuar dhe gati e papërballueshme: “Presidenti nuk donte të më shihte as në fushë. Nuk e di nëse i pëlqente më shumë gruaja ime sesa unë si lojtar. Nuk më dhanë asnjë shpjegim”.

Debutimi i tij te PSG ishte premtues, duke dhënë asistin për golin fitues në ndeshjen e parë, por një operacion apandesiti e la jashtë fushës për dy muaj. Jesé pranon se në fund ndjeu se PSG e kishte trajtuar keq dhe kuptoi vlerën e Real Madridit si klubi më i mirë në botë.

Jesé kujtoi edhe marrëdhënien e tij me Cristiano Ronaldon dhe ëndrrën për të fituar “Topin e Artë”: “Cristiano më solli ‘Topin e Artë’ kur e fitoi dhe më tha: A do ta fitosh edhe ti? Unë i thashë: Po. Ai më tha: Ky është qëndrimi i duhur”.

Dëmtimi i rëndë i gjurit ishte pikë kthese e karrierës së tij: “Florentino më dërgoi te kirurgu më i mirë në Gjermani, por infeksioni që mora më bëri të mendoja: Ka mbaruar…” Pas kësaj, karriera e tij nisi të merrte tatëpjetën, me aventura në klube të ndryshme, pa arritur të rigjente formën më të mirë.



Read it all at Bota Sot