Pesë gjëra të rëndësishme nga zgjedhjet parlamentare në Rumani

- Bota Sot

Pesë gjëra të rëndësishme nga zgjedhjet parlamentare në Rumani

Partia Social-Demokratike (PSD) e qendrës së majtë i fitoi zgjedhjet parlamentare të Rumanisë, që u mbajtën më 1 dhjetor, një javë pas fitores befasuese të një kandidati të ekstremit të djathtë në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në këtë vend.

PSD-ja ishte në pushtet edhe deri më tash, por çfarë do të ndodhë në periudhën në vazhdim?

1. Formimi i qeverisë mund të mos jetë i lehtë

Siç edhe pritej, PSD-ja nuk e fitoi shumicën, por 23 për qind të votave. Ndaj, duhet të përpiqet të bëjë një qeveri koalicioni.

Si partia më dominuese e Rumanisë në periudhën postkomuniste, ajo ishte në një koalicion të tensionuar me Partinë Kombëtare Liberale të qendrës së djathtë (PNL), e cila doli në vendin e tretë, me 14 për qind të votave.

Koalicioni më i mundshëm qeveritar do të ishte një aleancë mes partive properëndimore, që do të bashkonte PSD-në, PNL-në dhe Unionin “Shpëtojeni Rumaninë” (USR) të qendrës së djathtë.

Teorikisht, kjo do të ishte e mundur, pasi një koalicion i tillë do t’i kishte 52 për qind të vendeve në parlament.

Pengesë kryesore është marrja e USR-së në bord.

Partia e Elena Lasconit, e cila do të garojë kundër kandidatit të ekstremit të djathtë, Calin Georgescu, në balotazhin presidencial më 8 dhjetor, u krijua si një parti kundër establishmentit dhe korrupsionit dhe ishte shumë kritike ndaj qeverive të udhëhequra nga PSD-ja dhe PNL-ja, sidomos për mosadresimin e korrupsionit.

Për më tepër, mungesa e përvojës administrative të USR-së ngre dyshime për aftësinë e saj për të qeverisur në mënyrë efektive brenda një koalicioni.

Gjithashtu, në vitin 2021, USR-ja u tërhoq nga një qeveri koalicioni me PNL-në, duke u thirrur në dallimet mbi qeverisjen dhe reformat.

Kjo çoi në krizë politike dhe në formimin e koalicionit PNL-PSD, i cili u kundërshtua nga USR-ja.

2. Balotazhi i rëndësishëm presidencial

Shumëçka varet edhe nga balotazhi presidencial, i cili do të zhvillohet më 8 dhjetor mes kandidates së qendrës së djathtë, Lasconi, dhe kandidatit të ekstremit të djathtë, Georgescu.

Nëse sigurohet një koalicion properëndimor midis PSD-së, PNL-së dhe USR-së, ai mund të funksionojë me Lasconin si presidente.

Por, nëse fiton Georgescu, Rumania mund të rrëshqasë në krizë politike. Një skenar i tillë do të vinte përballë një president që mbështet Rusinë dhe që do paqe në Ukrainë në çdo rrethanë, dhe një koalicion qeverisës që do pikërisht të kundërtën.

Megjithatë, mund të ketë edhe një skenar tjetër. Nëse formohet qeveria PSD-PNL-USR dhe rezulton të jetë efektive, ajo mund të përpiqet ta shkarkojë Georgescun.

Një skenar i tillë ka ndodhur më herët, kur parlamenti ka votuar dy herë për shkarkimin e presidentit Traian Bashescu, më 2007 dhe 2012. (Të dyja vendimet janë përmbysur më pas në referendume kombëtare).

3. Zgjedhja e një kryeministri

Marrë parasysh frikën për destabilitet, zgjedhja e kryeministrit është bërë çështje urgjente.

Në Rumani, kryeministri zakonisht vjen nga partia që fiton më shumë vota elektorale.

Por, nëse qeveria nuk formohet para balotazhit presidencial dhe nuk zgjidhet kryeministri, atëherë presidenti i ri mund ta emërojë kryeministrin nga një parti tjetër - jashtë PSD-së.

Kryeministri aktual, Marcel Ciolacu, njëherësh udhëheqës i PSD-së, është kandidati më i mundshëm. Megjithatë, emri i tij u dobësua, me tentativën e fundit për dorëheqje si udhëheqës i PSD-së dhe me vendin e tretë në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor.

Lasconi këtu është e rëndësishme. Nëse ajo do ta mbështeste një kryeministër të PSD-së, ai do të ishte një kompromis politik që do ta minonte qëndrimin e saj kundër establishmentit dhe kundër korrupsionit.

Kjo, pastaj, do të mund të ndikonte në paraqitjen e saj në balotazhin presidencial, pasi mbështetësit do ta shihnin duke u bashkuar me establishmentin, kundër të cilit është ngritur shpesh.

Por, për t’i fituar zgjedhjet presidenciale, ajo duhet të shihet edhe si kandidate e unitetit dhe kompromisit.

Në Rumaninë konservatore, një kryeministër burrë, i mbështetur nga një shumicë e qartë, do t’i shërbente mirë kandidaturës së saj.

Nëse Lasconi nuk e mbështet një kandidat të PSD-së, një gjë e tillë mund të çojë në vonesa sa i përket formimit të koalicionit.

Kjo, pastaj, mund të sjellë një qeveri të përkohshme dhe zgjedhje të reja parlamentare në fillim të vitit të ardhshëm.

4. Faktori i ekstremit të djathtë

Me shumë rumunë të pakënaqur me ekonominë, korrupsionin dhe ato që i shohin si premtime të dështuara nga anëtarësimi në BE, partitë e ekstremit të djathtë fituan rreth 32 për qind të vendeve në parlament.

Partia e ekstremit të djathtë dhe ultranacionaliste, Aleanca për Unitetin e Rumunëve (AUR), fitoi 18 për qind të votave, duke u renditur në vendin e dytë.

Nëse partitë properëndimore dështojnë të arrijnë marrëveshje për koalicionin qeverisës dhe kryeministrin brenda ditëve të ardhshme, është e mundur që PSD-ja ta formojë qeverinë me AUR-në dhe me parti të tjera më të vogla të ekstremit të djathtë.

Megjithatë, kjo ka pak gjasa, për shkak të dallimeve të thella ideologjike midis PSD-së dhe partive të ekstremit të djathtë.

Socialdemokratët dhe Ciolacu kanë thënë shpesh se janë të përkushtuar ndaj anëtarësisë në BE dhe orientimit properëndimor të vendit.

5. Mbajtja e drejtimit properëndimor

Pavarësisht peripecive në politikën rumune, pozicioni properëndimor i vendit është thellësisht i rrënjosur në të gjithë spektrin politik dhe midis elitës.

Ishte presidenti Ion Iliescu, një ish-komunist, ai që e vendosi Rumaninë në rrugën e anëtarësimit në BE dhe në NATO në fillim të viteve 2000.

Shumë rumunë u tronditën javën e kaluar me suksesin e Georgescut në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Kjo, me gjasë, kontribuoi në pjesëmarrjen në zgjedhje - prej 52% - që ishte më e larta në zgjedhjet parlamentare në 12 vjet.

Pjesëmarrja pritet të jetë edhe më e lartë në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 dhjetor, pasi shumë rumunë duket se janë mobilizuar kundër kandidatit të ekstremit të djathtë.

Megjithatë, të gjitha bastet do të binin poshtë, nëse Georgescu do ti fitonte zgjedhjet. Kjo, pasi presidenti luan një rol kyç në formësimin e marrëdhënieve të jashtme të vendit dhe përfaqësimin e Rumanisë në skenën ndërkombëtare./REL



Read it all at Bota Sot