Shqipton masa disiplinore ndaj dy prokurorëve të Prizrenit

- Gazeta e Prizrenit

Shqipton masa disiplinore ndaj dy prokurorëve të Prizrenit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka shqiptuar masa disiplinore ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prizren, Genc Nixha dhe Musli Gashi.

Burime të “Betimit për Drejtësi” në KPK kanë treguar se paneli hetimor ka marrë vendim për t’ia ulur 30 përqind të pagës për tre muaj prokurorit Gashi, ndërsa ka shqiptuar vërejtje me shkrim ndaj prokurorit Nixha.

Këto masa ndaj prokurorëve janë marrë pas raportimit të “Betimit për Drejtësi” se Gashi dhe Nixha duke pirë alkool brenda orarit të punës po takoheshin me një person të dënuar nga shkalla e parë për “Lëndim të rëndë trupor”.

Personi rezultoi të ishte Reshat Tahiri, ndaj të cilit prokurori Gashi kishte ngritur aktakuzë më 27 tetor 2023.

Më 3 korrik 2024 Gjykata Themelore në Prizren kishte marrë aktgjykim duke e dënuar më 6 muaj burgim Tahirin nën minimumin e përcaktuar me Kodin Penal të Kosovës, i cili në fund i ishte zëvendësuar me 1 mijë euro gjobë.

I pandehuri Tahiri ishte takuar me prokurorin Gashi më 9 korrik 2024, pikërisht në fazën e ankesës kur ky i fundit do të mund të ankohej në Gjykatën e Apelit për nivelin e ulët të dënimit.
Mirëpo, bazuar në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës, pala e pakënaqur ka ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatë Supreme.

Burime të “Betimit për Drejtësi” kanë treguar se ankesë ndaj këtij vendimi ka bërë prokurori Gashi, ndërsa prokurori Nixha është pajtuar me masën disiplinore “vërejtje me shkrim”.

“Sa i përket rastit disiplinor ndaj dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prizren, në të cilin subjekte të hetimit janë prokurori Genc Nixha dhe prokurori Musli Gashi, Ju njoftojmë se Paneli Hetimor ka kryer të gjitha hetimet në afatin e paraparë ligjor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës ka marrë vendim lidhur me masën disiplinore, mirëpo, meqenëse, pala e pakënaqur ka të drejtë të paraqesë ankesë ndaj vendimit të KPK-së në Gjykatën Supreme në afat prej 15 ditësh, atëherë jemi të obliguar të mos e bëjmë publik vendimin deri në shterjen e afateve ligjore”, thuhet në përgjigjen e KPK-së.

“Betimi për Drejtësi” ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga prokurorët Gashi dhe Nixha përmes zyrës për media të Prokurorisë Themelore në Prizren, lidhur me ankesat e parashtruara në Gjykatën Supreme. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë ofruar informacione.

Lidhur me pyetjet për rastin e I-rë, sa i përket zhvillimit të procedurave disiplinore lidhur me dy prokurorët e apostrofuar në kërkesën tuaj, ju lusim që për çdo informatë t’i drejtoheni Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), pasi këta të fundit janë autoriteti që është marrë me procedurën disiplinore dhe që ka nxjerr vendimet disiplinore”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti- Sejrani. /BetimipërDrejtësi

Lexo edhe:

Policia jep detaje për rastin e kapjes me granatë të një personi në një restorant në qendër të Prizrenit



Read it all at Gazeta e Prizrenit