Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve

- Bota Sot

Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane të sigurisë e pranuan se kishin marrë informacione vitin e kaluar për autorin e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në një treg Krishtlindjesh, por thanë se hetimet kishin treguar se ai nuk përbënte rrezik. Por ekspertë kundër terorrizmit thonë se autoritetet gjermane dështuan të hetonin këtë rast dhe se duhet të kishin marrë më shumë masa sigurie pranë tregut të Krishtlindjeve. Policia në Magdeburg tha të dielën se katër të rritur dhe një fëmijë humbën jetën nga sulmi. Autoritetet thanë se 200 persona u plagosën, përfshirë 41 në gjendje të rëndë.

Autoritetet gjermane thanë se kishin marrë informacione vitin e kaluar për autorin e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në një treg Krishtlindjesh në qytetin Magdeburg.

Një mjek saudit, i cili mbërriti në Gjermani në vitin 2006 dhe kishte marrë leje qëndrimi të përhershme përplasi automjetin e tij me turmën e njerëzve në tregu e Krishtlindjeve duke vrarë 5 persona dhe plagosur 200 të tjerë.

Kreu i Zyrës Federale të Policisë Kriminale, Holger Münch, tha në një intervistë për televizionin gjerman ZDF se “zyra e tij mori një njoftim nga Arabia Saudite në nëntor të vitit 2023 dhe autoritetet morën masat e duhura hetimore”.

“Ai ishte i njohur për autoritetet, kishte bërë komente fyerje dhe herë pas here kërcënime, por nuk kishte informacione për akte dhune”, tha zoti Munch për të dyshuarin.

Edhe Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët në Gjermani tha gjithashtu të shtunën në një postim në rrjetin social “X” se mori një informacion për të dyshuarin në fund të verës së vitit të kaluar.

“Ky informacion u mor seriozisht, si çdo informacion tjetër që vjen”, njoftoi ky institucion.

Burimet e sigurisë saudite thanë se e kishin paralajmëruar Gjermaninë për autorin e dyshuar dhe kishin kërkuar ekstradimin e tij, por Berlini nuk ishte përgjigjur.

“Është shumë e qartë se mes autoriteteve të sigurisë në Gjermani ka patur disa mangësi dhe si pasojë nuk u parandalua ky sulm shumë i tmerrshëm. Pati një paralajmërim nga Arabia Saudite, pati paralajmërime brenda vendit, në Gjermani, nga njerëzit që e njihnin atë. Kishin njoftuar policinë se autori i dyshuar po bëhej mjaft i çuditshëm. Dhe së fundmi patëm dështime për të ofruar siguri, për të vendosur pengesa përreth tregut të Krishtlindjeve”, thotë Dr.Hans-Jakob Schindler, drejtor i Projektit Kundër Terrorizmit.

Autoritetet thonë se autori i dyshuar nuk i përshtatet profilit të zakonshëm të autorëve të sulmeve ekstremiste. Ai e cilësonte veten si një ish-mysliman, i cili ishte shumë kritik ndaj Islamit dhe në shumë postime në mediat sociale shprehu mbështetje për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Ai po mbahet në paraburgim ndërsa autoritetet po e hetojnë.

Ndërkohë buqeta me lule mbuluan sheshin përpara kishës së Shën Gjonit (Saint John) në qytetin Magdeburg, me njerëz që qëndronin në heshtje për të nderuar viktimat e sulmit.

“Kjo është hera ime e dytë që vij këtu. Solla lule dhe ndeza qirinj për viktimat dhe të plagosurit. Jam tërësisht i tronditur sepse isha në tregun e Krishtlindjeve një ditë para sulmit dhe aty kishte shumë fëmijë”, thotë një banor.

“Është e tmerrshme. Thjesht e tmerrshme. Dhe në bazë të asaj që është hetuar deri më tani, është e habitshme që ky person ishte këtu. Duhet të shërbejë si mësim për të ardhmen: të kontrollojnë kush vjen këtu. Kurrë nuk kishim menduar se në qytetin tonë do të kishte lajme si ky”, thotë një tjetër banor.

Policia në Magdeburg tha të dielën se katër të rritur dhe një fëmijë humbën jetën nga sulmi. Autoritetet thanë se 200 njerëz u plagosën, përfshirë 41 në gjendje të rëndë./VOA



Read it all at Bota Sot