11 të vdekur nga shpërthimi në një fabrikë eksplozivi në Turqi

- Bota Sot

11 të vdekur nga shpërthimi në një fabrikë eksplozivi në Turqi

Një shpërthim në një fabrikë eksplozivi në pjesë veriperëndimore të Turqisë të martën, shkaktoi vdekjen e 11 personave dhe plagosjen e shtatë të tjerëve, njoftoi Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya. Ai tha se kanë filluar hetimet.

Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohen në spitalet pranë fabrikës, njoftoi ai.

“Po vazhdojnë hetimet për shkakun e zjarrit, por nuk dyshojmë se bëhet fjalë për sabotim në këtë incident”, tha ministri Yerlikaya duke folur para fabrikës.

Në pamjet nga vendi i ngjarjes dukeshin flakë dhe shtëllunga tymi.

Shpërthimi ndodhi në një fabrikë në fshatin Kavakli, në krahinën Balikesir.

Ekipe të shumta zjarrfikësish, ambulanca të ndihmës së shpejtë dhe njësite policore u dërguan në zonë ndërsa vazhdojnë hetimet, sipas zyrtarëve turq.



Read it all at Bota Sot