Prizren: 329 kallëzime penale për dhunë në familje gjatë 11 muajve të vitit

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: 329 kallëzime penale për dhunë në familje gjatë 11 muajve të vitit

Në Prokurorinë Themelore në Prizren është mbajtur takimi i rregullt (përmbyllës për vitin 2024), i mekanizmit koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie, percjell Gazeta e Prizrenit.

Në këtë takim, thirrur dhe organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje Mehreme Hoxha, ishin të pranishëm prokurorja/koordinatore znj. Elfete Purova, udhëheqësi i Departamentit të Përgjithshëm prokurori Atnor Skoro, përfaqësues nga Policia e Kosovës për regjionin e Prizrenit, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, përfaqësues nga Shërbimi Sprovues, mbrojtës të viktimave, si dhe përfaqësues nga OJQ.

Prokurorja Hoxha, njoftoi se në periudhën Janar – Nëntor 2024, Prokuroria Themelore në Prizren, ka pranuar treqind e njëzet e  nëntë (329) kallëzime penale, lidhur me veprat penale të dhunës në familje. Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë kryer gjithsej treqind e nëntëmbëdhjetë (319) lëndë të kësaj natyre.

Në këtë takim, të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan lartë bashkëpunimin që ekziston në mes institucioneve kompetente për trajtimin e këtyre rasteve, ku u theksuan të arriturat por edhe sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet gjatë punës së përditshme në trajtimin e këyre rasteve.

Nga të pranishmit u potencua se rastet e dhunës në familje, janë rastet më të vështira për trajtim, sidomos sfiduese janë rastet kur kryes të këtyre veprave janë personat me çrregullime mendore. Po ashtu, u kërkua që në çdo rast të bëhet vlerësimi i rrezikut për viktimat e dhunës në familje, në mënyrë që të ndërmeren masa adekuate për mbrojtje të viktimave.

U diskutua edhe për lansimin e sistemit të hallkave për mbikëqyrje elektronike, dhe u theksua se pritet që së shpejti të funksionalizohen, dhe se të njëjtat do të ndikojnë në parandalimin e rasteve të dhunës në familje.

Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan që do të vazhdojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të gjitha institucionet relevante t’i kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre me përgjegjësi dhe profesionalizëm, në mënyrë që viktimat e dhunës në familje të trajtohen me profesionalizëm dhe me dinjitet të plotë./ Gazeta e Prizrenit /



Read it all at Gazeta e Prizrenit