Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se do të japë dorëheqje në ditët në vijim si kancelar dhe si lider i partisë, pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion qeveritar.
Kancelari ka thënë se partia e tij, Partia Popullore konservative – dhe Social Demokratët, nuk janë pajtuar për çështjet kryesore.
Neoliberalët, një tjetër parti e përfshirë në bisedime, është tërhequr po ashtu të premten.
Në shtator, Partia e Lirisë – e së djathtës ekstreme – ka shënuar fitore të pashembullt në zgjedhjet e përgjithshme të Austrisë, mirëpo partitë tjera patën thënë se nuk formojnë koalicion me liderin e këtij subjekti politik, Herbert Kickl.
Kolapsimi i bisedimeve mund të rezultojë me nisjen e bisedimeve të konservatorëve me të djathtën ekstreme, apo edhe me organizim të zgjedhjeve të reja, vlerësojnë analistë.
Partia e Lirisë – miqësore me Rusinë – ka qenë më parë në pushtet. Ajo duket se do ti mirëpriste zgjedhjet e reja, pasi sondazhet e opinionit publik sugjerojnë për rritjen e mëtejme të saj edhe pas shtatorit.
Kjo parti e ka kritikuar presidentin e shtetit, Alexander Van der Bellen për “kaosin e krijuar dhe kohën e humbur”.
Dalja në zgjedhjet e shtatorit ka qenë 77.3 për qind, ndërsa temat kryesore kanë qenë ato të migrimit, azilit dhe ekonomisë në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kickl pati premtuar se do të rikthente sigurinë për austriakët.
Partia që udhëheq ai është e ashpër për çështjet e migrimit dhe e promovon idenë e rimigrimit, që përfshin dërgimin e azilkërkuesve në shtetet e origjinës.
Partia e Lirisë është themeluar nga ish-nazistët në vitet ’50.
Dy ditë para zgjedhjeve të shtatorit, disa kandidatë janë zënë duke kënduar në një funeral këngë të nazistëve, ndonëse partia më vonë ka mohuar gjithçka./REL