Formacionet e mundshme të Inter-Milan/ “Djalli” vjen me surpriza, zikaltërit nuk kanë “snajperin”

- Bota Sot

Formacionet e mundshme të Inter-Milan/ “Djalli” vjen me surpriza, zikaltërit nuk kanë “snajperin”

Lajme negative për Interin, por të mira për Milanin në prag të derbit dhe finales së Superkupës të Italisë.

Dy trajnerët janë duke punuar me detajet e fundit për të përgatitur formacionet e tyre dhe lojtarët që do të zbresin në fushën e lojës. Simone Inzagi duhet të bëjë me disa mungesa të rëndësishme (që tashmë dihen në mbrojtje, Pavar dhe Açerbi), ndërsa trajneri Konseisao ka marrë sinjale pozitive nga të tijtë.

INTERI- Jo vetëm Markus Turam, por edhe Hoakin Korrea. Dy sulmuesit e Interit nuk kanë marrë pjesë në stërvitjen me grupin në qendrën sportive të Riadit. Sulmuesi francez pësoi një dëmtim në gjysmëfinale kundër Atalantës dhe trajneri Simone Inzagi nuk ka ndërmend që ta rrezikojë për këtë ndeshje. Ai nuk do të bëjë ekzaminime të tjera në Arabi, por kur të rikthehet në Itali. Edhe argjentinasi në fakt ka shfaqur shqetësime në muskuj dhe për këtë arsye nuk do të jetë i gatshëm. Kanë zhvilluar terapi dhe vetëm një pjesë të stërvitjes me grupin. Megjithatë, të dy do të ulen në pankinë për këtë ndeshje.

Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë, ka punuar me intensitet dhe me disa ushtrime për muskujt. Sigurisht që në fund trajneri ka dashur të provojë edhe formacionin që do të zbresë në fushën e lojës. Mehdi Taremi do të shoqërojë Lautaro Martinezin nga minuta e parë, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e njëjtë me duelin kundër Atalantës. Zomer në portë, Bisek bashkë me De Vrajin dhe Bastonin përpara tij. Në kabinën e regjisë do të jetë si gjithmonë Çalhanoglu i mbështetur nga Barela dhe Mkitarian. Ndërkohë Dumfris nga e djathta dhe Dimarko majtas për të provuar të shtyjnë sa më shumë në sulm. Ndërkohë që mungesa e Turamit është e rëndësishme sepse ai ka qenë golashënuesi i skuadrës dhe Taremi bashkë me Lautaron nuk kanë pasur shënjestër.MILANI- Për trajnerin Konseisao kanë ardhur lajme pozitive nga stërvitja e fundit. Rafael Leao është rikthyer të stërvitet me pjesën tjetër të grupit dhe nëse nuk ndodhin surpriza do të jetë në shërbim të trajnerit për derbi. Sigurisht që portugezi nuk i ka 90 minuta në këmbët e tij dhe ndeshjen do ta nisë nga stoli. Sigurisht që mund të jetë një as nën mëngë dhe një armë për vazhdimësinë e ndeshjes. Në grup punuan gjithashtu edhe Loftus Çik dhe Himenez, i cili doli kundër Juventusit prej dëmtimit. Trajneri mund të luajë me skemën 4-4-2. Në stërvitje nuk mori pjesë Gabia, për shkak të një influence dhe grumbullimi i tij është në rrezik.

Në rast se nuk ia del, Konseisao mund të mbështetet tek dyshja Tomori dhe Çau, e njëjta që e nisi kundër Juventusit. Prezentë në stërvitje ishin edhe Ibra dhe Monkada. Milani do të luajë me Menja në portë, Emerson në të djathtë dhe Tomori-Çau në qendër. Nga e majta është si gjithmonë Teo Hernandez. Në qendër të mesfushës do të luajnë Fofana dhe Benaser, ndërsa Pulisiç dhe Musah nga krahët. Përpara dyshja Abraham-Morata për të provuar të çajnë mbrojtjen e hekurt të Interit. Milani është e vetmja skuadër në Serinë A këtë sezon që ka arritur të mundë Interin dhe të përfitonte nga situata aspak pozitive që po kalonte në fillimin e sezonit. Një tjetër humbje erdhi në Champions kundër Leverkusenit, pasi zikaltrit bënë një ecuri të jashtëzakonshme. Sot është një duel shahu.



Read it all at Bota Sot