Granit Xhaka është zgjedhur mbrëmë futbollisti më i mirë i vitit në Zvicër në gala mbrëmjen “Sports Awards 2024”.
Ylli kosovar shkëlqeu në 2024-shin me paraqitje mbresëlënëse me Bayer Leverkusenin dhe me Kombëtaren e Zvicrës,
Prandaj edhe nuk kishte dyshim se ai do ta zgjidhej më i miri i shtetit “Helvetik”.
E për arritjen e radhës së ish-futbollistit të Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit, s’kish se si të mos ishte krenar babai i tij, Ragip Xhaka, i cili e bëri një postim emocionues në rrjetet sociale.
Siç dihet, Ragip Xhaka do ta kërkojë një ulëse në Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit, ku do të kandidojë për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
"Urime djali im, Granit, për çmimin ‘Lojtari më i vlefshëm’ në Zvicër për vitin 2024!
Me fanellën tënde me numrin 34, ti ke shkruar histori këtë vit – duke fituar kampionatin dhe kupën me Bayer Leverkusen, duke udhëhequr skuadrën si lider në çdo hap të rrugës, dhe duke arritur çerekfinalet me Kombëtaren e Zvicrës në Kampionatin Evropian.
Madje, nominimi yt për Ballon d’Or është një tjetër arritje që na bën të gjithëve krenarë! Jam krenar për përkushtimin dhe pasionin tënd që frymëzon miliona njerëz. Vazhdo të na bësh krenar dhe të shkëlqesh gjithmonë!", - ka shkruar Ragip Xhaka në profilin e tij në facebook.
Ndërkohë, djali i tij, Graniti, në vitin që e lamë pas e fitoi titullin e parë dhe historik të Bundesligës me Bayer Leverkusenin, si dhe Kupën e Superkupën e Gjermanisë, duke e pasur kështu një sezon për mbamendje, derisa shkoi edhe në finale të Ligës së Evropës.