Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mund të provojë të “eksportojë problemet e brendshme jashtë Serbisë”. Taktikë kjo, sipas Mustafës, e njohur historikisht nga liderët serbë kur ndihen të kërcënuar në pushtet.
Megjithatë, sipas tij “kjo mundësi tashmë është marrë seriozisht nga NATO dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë në rajon, të cilët janë të njoftuar dhe të përgatitur për çdo përpjekje për destabilizim nga jashtë”.
Në një reagim në Facebook, Mustafa ka kujtuar mënyrën si vepronte Sllobodan Millosheviq kur pushteti tij në Beograd lëkundej.
“Në atë kohë, ai shpërndante konflikte në rajon, përfshirë Kosovën dhe vende të tjera, për të shmangur vëmendjen nga krizat e brendshme”, ka shkruar Mustafa.
Vuçiq po përballet me protesta masive në Serbi - atje ku rrugët e kryeqendrës panë mbi 100 mijë protestues.
Protestat e studentëve u përhapën në Serbi pas vdekjes tragjike të 15 personave më 1 nëntor 2024 nga shembja e strehës hekurudhore në Novi Sad.
Kjo shkaktoi një valë pakënaqësie dhe luftë kundër korrupsionit, dhunës dhe për një shoqëri më të drejtë.
Vuçiq, i cili akuzohet për sundim gjithnjë e më autokratik, ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.